E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes pas abortit të kryer 22-vjeçarja

VLORË/ Raimonda Bleta ka ndërruar jetë gjatë natës, ndërsa u pretendua se ishte thjesht një gjendje "febrile"

Drejtori i spitalit të Vlorës u shpreh se pritet përgjigjja e ekspertëve mjeko-ligjorë lidhur me ngjarjen e ndodhur


VLORË - Vdekje e papritur. Kaq kanë komunikuar bluzat e bardha, ndërsa me dhjetëra familjarë kanë mbushur në orët e paradites ambientet para morgut të spitalit, në pritje të trupit të 22-vjeçares Raimonda Bleta. Gjithçka duket e veshur me mister, por dhimbja është e madhe. Për humbjen, por edhe për shkaqet si iku. Dikush nga familjarët e djalit na tregon një foto. Një nuse që pati jetë si e tillë vetëm katër muaj. E gjatë, me sy jeshil dhe kaq. Shkaku i vdekjes shumë shkurt: gjendje febrile.


Ngjarja


Për familjarët që kishin mbushur dyert e spitalit, të ardhur një pjesë nga Risilia e të tjerë nga Tepelena, gjithçka ka nisur pas një aborti që 22-vjeçarja kreu në mesin e janarit. Bashkëshorti i saj, Ramadani, 25 vjeç, tregon se nevojën për abort e zbuluan kur shkuan për të bërë një vizitë, si dhe të merrnin mjekimet për dhëmbët. Duke parë ecurinë e shtatzënisë në aparat, mjeku kishte konstatuar se fëmija nuk ishte zhvilluar më dhe shtatzënia ishte ndërprerë. Si rrjedhojë, në kushtet spitalore, 22-vjeçarja iu nënshtrua abortit. "Pas kësaj nisën dhe shqetësimet, - tregon bashkëshorti i saj. - U vizitua disa herë pasi kishte një problem me analizat, të cilat nuk na i bënë shumë shqetësuese". Edhe pse me mjekime, gruaja e re u shtrua edhe një herë në spital. "E mbaj mend që ishte data 13 shkurt që kemi qenë te infektivi, - shpjegon i shoqi, - pasi edhe Shën Valentinin e kemi kaluar në spital. Ishte kjo periudhë që ajo kishte probleme me temperaturën. E kuruan për grykët. Dje në mëngjes e solla prapë se kishte temperaturë dhe i vinte për të vjellë. E shtruan sërish te infektivi. Nuk më thanë asnjëherë se gjendja e saj ishte e rëndë. Madje kam marrë në orët e darkës që ajo kishte temperaturë edhe një mjek nga këta të urgjencës, pasi këtu te infektivi nuk ka mjek roje. Por ai më qetësoi, duke më thënë se do t'i kalojë. Më thanë se ka grip dhe e trajtuan me serume dhe kalcium. Nuk i japin dot mjekime të tjera, më thanë, se ajo ka marrë shumë ilaçe. Kur pati temperaturë të lartë, në mbrëmje, shkova sërish dhe mora mjekun, si edhe njoftova infermieret. I bënë një ilaç në vena dhe më thanë të mos kem fare merak, se do të qetësohej. Nuk kaluan as pak çaste, kur e pashë që ishte prishur në fytyrë dhe shkoj i them, por sërish më japin të njëjtën përgjigje. Vetëm brenda 15 minutave ka mbaruar. Erdhën mjekë dhe infermiere, pastaj e çuan në reanimacion, por ishte shumë vonë. Nuk e kuptoj dot si mund të ikë njeriu kaq shpejt kur është në duart e mjekëve",- përfundon Ramadani.


Të afërmit


Anila Shyti, kunata e 22-vjeçares, tregon se "nusja ishte për bukuri", nuk kishte pasur asnjë shqetësim deri sa bëri abortin. "Na është bërë gjëma në shtëpi, - tregon ajo. - Nuk dimë nga se e pati". Të afërm të të shoqit nga Risilia, gjithashtu, kanë kërkuar të zbardhen shkaqet sa më shpejt, ndërsa kanë shprehur rezervat për mënyrën e trajtimit të viktimës, e cila prej më se 12 orësh mbahej në morg dhe nuk kishte ardhur asnjë që të mund të zhbllokonte procedurat, në mënyrë që trupi të dërgohej në Krahës të Tepelenës, te njerëzit e vajzës. "Jemi shqiptarë, - vijon Hamdi Bleta, një nga të shumtët njerëz që presin jashtë, - dhe duam të marrim trupin, për t'i bërë zakonet tona. Do të udhëtojë deri në Tepelenë dhe minimalisht duhet të kishte ardhur njeri për t'i vijuar procedurat". Nëna e vajzës, që ka mbërritur nga Tepelena, ka përfunduar në repartin e urgjencës, ku mjekët e kanë trajtuar me qetësues, pasi shfaqi shqetësime. Gjithsesi, pritja e familjarëve ka zgjatur për orë të tëra në ambientet para spitalit, pasi gjithçka duhej të sqarohej nga mjeko-ligjorët.

Reagimi i spitalit


Drejtori i spitalit rajonal të Vlorës, Luter Nuraj, pohon se e ka marrë njoftimin për vdekjen e 22-vjeçares rreth orës 01:30, i njoftuar nga mjekët. Me fillimin e punës në spital, në orët e mëngjesit ai ka marrë në raport të detajuar shefat e reparteve, si dhe versionet e mjekëve. "Kam bllokuar kartelën e pacientes dhe kam bërë menjëherë mbledhje me shefat e çdo reparti për të analizuar rastin. Pacientja ka ardhur me gjendje febrile, por pas një temperature mund të fshihen shumë shkaqe, - tha ai. - Ne po merremi me përparësi me rastin, por pritet mjeku ligjor që të japë verdiktin mbi shkakun e vdekjes së saj. Edhe prokuroria po merret me çështjen, - vijoi Nuraj, - pasi janë njoftuar strukturat, dhe vënë në dijeni ministria, duke u vlerësuar si rast mjeko-ligjor. Unë personalisht, - tha ai, - pres përfundimet. Kam marrë në pyetje për t'u informuar të gjithë personelin mjekësor dhe atë të ulët që ka qenë në turnin e natës mbrëmë, por edhe ata që kanë ndjekur pacienten. Ajo ka ardhur dhe herë të tjera, por nuk ka pranuar të shtrohet. Gjithsesi, për këtë rast, - tha ai, - është vënë në dijeni Ministria e Shëndetësisë. Ne presim përfundimin e autopsisë që të nxjerrim rezultatet për shkaqet e vdekjes". Nuraj gjithashtu e ka cilësuar rastin të komplikuar, duke e parë në këndvështrimin e një vdekjeje të papritur.


Kartela


Me numrin statistikor 140, kartela e Rajmonda Bletës është vënë tashmë në dispozicion të hetimeve. Veç orës së shtrimit, gjendjes në të cilën është paraqitur pacientja, ndodhet edhe mënyra e trajtimit nga mjekët. Sipas kartelës, 22-vjeçares i janë bërë analizat e gjakut, mëlçisë, është parë me grafi ana pneumonare, të cilat veç disa treguesve më të lartë mbi normalen të infeksionit, por që sipas mjekëve, nuk paraqet rrezikshmëri, nuk pasqyrohet detaj që ndihmon për të zbardhur shkakun e vdekjes. Në mjekimin e fundit 22-vjeçares i është dhënë valium për konvulsionet që ajo ka paraqitur. Në kartelë është dhënë edhe një shpjegim nga mjeku neurolog, 30 minuta para se ajo të mbaronte, ku situata vlerësohej e rëndë, pacientja nuk reagonte, por në të nuk është bashkangjitur asnjë shpjegim si do të veprohej me të. Diagnoza është mbyllur me gjendje febrile, ndërsa do të jetë provë për mënyrën si është trajtuar ajo. Ekspertët mjeko- ligjorë kanë kërkuar kohë për t'u shprehur për shkaqet e vdekjes, duke mos nxituar në version zyrtar dhe ia besuan këtë përgjigjes së analizave të mëtejshme.
22-vjecarja ishte e martuar prej katër muajsh. Ajo është zhvendosur nga fshati i lindjes, Krastë e Tepelenës në fshatin Risili, nga ishte dhe bashkëshorti i saj, i cili pas martesës në muajin tetor dhe krijimit të familjes, kishte vendosur t'i jepte fund emigracionit të tij 10-vjeçar në Greqi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›