E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri Barka në prokurori: Nuk kam përgjegjësi

Hetimet/ Prokuroria e Beratit po heton lidhur me fondet e dhëna për Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan


BERAT - Ish-ministri Kosta Barka është paraqitur dje pasdite në Prokurorinë e Beratit, ndërsa ka dhënë shpjegime lidhur me fondet e dhëna për qendrën e fëmijëve të ngujuar në Poliçan, pas akuzave të hedhura nga drejtoresha e kësaj qendre, Liljana Luani. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se përpara organeve përkatëse, ish-ministri Barka është shprehur se nuk është teknicien, kështu që nuk mund të merret me problemet për të akuzuarit. "Unë jam përfaqësues politik i qeverisë dhe përgjegjësia për këtë çëshje është mbi ata për përgjigjen drejtpërdrejt me menaxhimin dhe drejtimin e qendrës, - mësohet të jetë shprehur Barka para përfaqësuesve të akuzës. Më pas ai është larguar nga Berati në drejtim të kryeqytetit.


Hetimi


Ndërkohë, para prokurorëve është paraqitur edhe kryetari i bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotka. Megjithatë, dëshmia e tij mësohet që të ketë qenë në rolin e personit që ka dijeni për çështjen, dhe jo në pozicionin e të pandehurit. Siç bëhet e ditur, ndaj Zotkës nuk është ngritur asnjë akuzë, të paktën deri në momentet e para të hetimit. Burime nga prokuroria shprehen se personat që po hetohen aktualisht janë ish-drejtoresha Liljana Luana, magazinierja e qendrës së fëmijëve, si dhe ish-drejtori i saj. Akuza që do të ngrihet ndaj tyre nëse provohet se janë fajtorë do të jetë ajo e shpërdorimit të detyrës.


Fondet


Fondet e humbura të adresuara për Qendrën e Fëmijëve të Ngujuar në Poliçan kapin shifrën e rreth 190 mijë dollarëve amerikanë. Kjo është shuma e përafërt me të cilat dyshohet se është abuzuar nga personat që kanë pasur në dorë këto fonde apo nëpër të cilët kanë kaluar. Fondet e abuzuara janë bërë të ditura për "Shekullin" nga burime të organit të akuzës sipas të cilëve, një fond prej 100 mijë dollarësh ka qenë pjesë e një projekti të Bankës Botërore për rikonstruksionin e godinës së qendrës. Po kështu, sipas burimeve, abuzimet janë kryer për një fond prej 2,7 milionë lekësh që janë akorduar nga Ministria e Punës në fund të vitit 2006, për ushqimin e fëmijëve dhe për pagesa të tjera të qendrës. Fondi i tretë mësohet se kap vlerën e rreth 5 milionë lekëve të reja të akorduara po nga kjo ministri vitin e kaluar për shpenzime të nevojshme të kryera në qendër dhe për kryerjen e pagesave të ushqimeve të blera për fëmijët. Të gjitha këto fonde mësohet se janë adresuar për llogari të qendrës së fëmijëve të ngujuar, por që sipas ish- drejtoreshës së qendrës, Liljana Luani, këto para nuk kanë mbërritur në destinacion dhe nuk ka qenë e mundur të përdoren për fëmijët e ngujuar. Rreth 20 fëmijë të kësaj kategorie kanë qenë të detyruar të ushqehen me ushqime të falura, të blera me listë apo edhe me ndihma të dhëna nga familje të ndryshme poliçanase apo edhe nga ndihma të dhëna nga fondacione bamirëse.

Barka: Paraqitja në prokurori, jo me detyrim

Në linjë telefonike, i pyetur nga gazeta "Shekulli" për dëshminë e tij para prokurorëve, ish-ministri i Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, u shpreh se paraqitja e tij para organit të akuzës ishte me dëshirë dhe për respekt të detyrës së prokurorisë. Sipas ish-ministrit (sot në detyrën e zv.kryeregjistruesit të Republikës së Shqipërisë, ai ka dhënë deklarime lidhur me funksionimin e një qendre për fëmijët që kanë probleme gjakmarrjeje. Barka tha se bëhej fjalë për një problem të lindur midis bashkisë së Poliçanit dhe një organizate joqeveritare të përzgjedhur nga kjo bashki. "Kam dëgjuar se flitet për abuzime me fondet, - u shpreh Barka, - por ministri nuk ka lidhje me një gjë të tillë". Ai sqaroi se ishte një projekt i Bankës Botërore për zhvillimin e funksionimin e një qendre për fëmijët e ngujuar, në një kohë që ministria i kishte mbështetur këta fëmijë me fonde të cilat dalin nga Ministria e Financave, duke kryer kështu detyrimin e saj njerëzor. Për gjithçka më tej Barka u shpreh se menaxhimi i fondeve apo keqmenaxhimi ishte një çështje që ndiqej nga organe të tjera dhe jo nga vetë ministri.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›