E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksploziv në dyqan pronarit të marketit

Nuk ka të dëmtuar nga shpërthimi, ndërsa policia ka nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes së të hënës në mbrëmje

Dyshimet e policisë mbi ngjarjen lidhen me konkurrencën apo kërkesën për zhvatje ndaj të zotit të dyqanit

TIRANE- Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e të dielës në rrugën "Sadik Petrela" në kryeqytet pranë një minimarketi, duke shkaktuar dëme materiale pa dëmtuar njerëz. Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 23:20 minuta, lagjen e "Kodra e Priftit", kur shpërthimi është dëgjuar pranë dyqanit të Andrea Xhakrit, 40 vjeç nga Korça me banim po në këtë zonë. Sipas burimeve të Policisë lënda shpërthyese është hedhur praën dyqanit të Xhakrit, që ndodhej në katin e parë të vilës së tij tri katëshe. Nga shpërthimi është dëmtuar pjesërisht dyqani dhe banesa e pronarit që banonte në katet e sipërme të vilës, ndërsa në rrugën e asfaltuar pranë vilës është hapur një gropë e konsiderueshme. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pas shpërthimit, ndërsa ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të mundshëm të tij. Dyshimet e para të ngritura nga hetuesit mësohet se lidhen me çështje që kanë të bëjnë me konkurrencën mes pronarit të dyqanit dhe autorëve. Ndërkaq policia nga veprimet e para ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes së Xhakrit në ndonjë aktivitet të dyshimtë nisur edhe nga personaliteti i tij që sipas hetuesve nuk linte vend për dyshime. Ndërkaq blutë nuk kanë përjashtuar si pistë, xhvatjen e parave që mund t'ia kenë kërkuar atij persona të tretë. Gjithsesi oficerët e krimeve, pavarësisht se kanë ngritur dyshimet e tyre lidhur me ngjarjen, vetë pronari i minimarketit ka pohuar se nuk ka pasur probleme. Nga këqyrja e kryer prej ekspertëve kriminalistë të policisë së kryeqytetit, është konstatuar se lënda plasëse e hedhur mund të ketë qenë në masën e rreth 100 gramëve. Sipas burimeve të policies, ajo mund të jetë hedhur ndoshta nga dy persona që janë larguar me një automjet ose motoçikletë, pasi kanë hedhur lëndën shpërthyese në nxitim e sipër. Tritoli nuk ka shpërthyer, aty ku ishte menduar prej autorëve, por ka shpërthyer jashtë në rrugë duke dëmtuar asfaltin ku edhe është hapur një gropë. Ndërkaq hetuesit e Zyrës së Krimeve Kundër Pronës, kanë pyetur pronarin e minimarketit, i cili iu ka pohuar hetuesve se nuk ka pasur probleme. Të njëtin fakt kanë deklaruar edhe të afërmit e tij të cilët të pyetur mbi shkaqet e mundshme kanë ngritur supet. Policia ka verifikuar persona të ndryshëm gjatë natës së të shtunës të cilët më pas janë lënë të lirë prej bluve.



Dha alarm fals për bombë, rrezikon dy vite burg

Alarmoi policinë për bombë false në shkollën "Kristal", përfundon në ndjekje penale 18-vjeçari. efektivat e komisariatit të policisë nr.2, zbuluan dy ditë më parë identitetin e personit që njoftoi policinë se në ambientet e shkollës "Kristal" në rrugën "Komuna e Parisit" në Tiranë ka bombë. Burime nga policia thanë se telefonata është kryer nga 18-vjeçari L.Xh, rreth orës 11:00 të datës 19 shkurt. Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie rrethuan shkollën ndërsa u evokuan të gjithë nxënësit. Pas kontrolleve të imtësishme policia nuk konstatoi bombë duke deklaruar se alarmi ishte fals. Kështu oficerët e policisë nisën hetimet për të identifikuar dhe kapur personin që dha alarmin e rremë. Ai është zbuluar dy ditë më parë dhe u shoqërua në ambientet e komisariatit ku dhe u mor në pyetje. Burime nga policia thanë se L.Xh, do të ndiqet në gjendje të lirë dhe materialet në ngarkim të tij i kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë pasi ai akuzohet për veprën penale të "njoftimit të rremë në organet e rendit".


Policia bllokon dy mjete me targa false

Antitrafiqet e policisë së Tiranës bllokuan dy automjete të cilat rezultojnë të vjedhura, ndërsa ndiqen penalisht dy persona. Dy ditë më parë, policia bllokoi një automjet tip-veturë "Nisan Primera", me targa BZ 847 LP, pasi nga verifikimet e kryera, targa i përket një automjeti tip-veturë "Peugot", i cili është i denoncuar si i vjedhur në Itali, në muajin dhjetor të vitit 2003. Burime nga policia thanë se automjeti iu bllokua 34-vjeçarit Tomorr M, lindur në Fier dhe banues në Tiranë i cili do të hetohet në gjendje të lirë për veprën penale të "trafikimit të mjeteve motorike". Ndërkohë që po dy ditë më parë, oficerët e antitrafiqeve kryen bllokimin e automjetit tip "Honda Civic", me targa DB625NJ, sepse nga verifikimet rezultoi se targa i përket një automjeti tip Mercedes Benz, i cili është i denoncuar si i vjedhur në Itali, në muajin nëntor të vitit 2007. Sipas policisë, në momentin e bllokimit makina posedohej nga 25-vjeçari Ardian K., banues në Tiranë. Burimet policore thanë se pas hetimeve u konkludua se targat e këtij automjeti janë futur për herë të fundit në territorin e Shqipërisë nëpërmjet pikës se kalimit kufitar të Portit të Durrësit, nga shtetasi italian Cresenzo Polverino me datë 2 nëntor të vitit 2007. Ky i fundit do të ndiqet penalisht nga policia për veprën penale të "trafikimit të mjeteve motorike".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›