E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksident për shkak të alkoolit, një në gjendje të rëndë

KAVAJË- Rreth orës 11:30 të së martës në rrugën kryesore pranë Malit të Robit ndodhi një aksident me pasoja të rënda për jetën. Nga përplasja e dy automjeteve njëri me targa greke IEI 9493, tip "Opel Astra" dhe tjetri furgon mallrash me targë DR 4568, kanë mbetur të plagosur rëndë drejtuesi i "Opel"-it dhe personat që e shoqëronin atë. Të dëmtuarit janë dërguar menjëherë në qendrën spitalore të Durrësit, nga ku jepet informacioni se drejtuesi i automjetit është në gjendje kritike për jetën. Policia e mbërritur në vendngjarje, u shpreh se mjeti me targa greke ishte jashtë normave të lejuara të shpejtësisë dhe se parakalimi ishte bërë në mënyrë të gabuar. Gjithashtu nga kontrolli i kryer në makinën me targa greke rezultoi që në automjet kishte shishe alkooli, dhe mendohet se personat e dëmtuar mund të kenë qenë duke konsumuar ushqim të shoqëruar me pije. Sipas hetimeve të para ky mund të ketë qenë shkaku i humbjes së vëmendjes së drejtuesit të automjetit.

Gjendet në lumë kufoma e një 72-vjeçareje

SHKODËR - Kufoma e një shtetaseje është gjetur paraditen e djeshme në lumin Drin në afërsi të Urës së Bahçallëkut. Kanë qenë peshkatarët amatorë ata që kanë parë kufomën që ishte mbi ujë dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Kjo ka bërë të mundur nxjerrjen e trupit në breg ku nga këqyrja e kufomës është konstatuar se ajo ishte femër, e moshuar dhe trupi nuk ishte dekompozuar dhe as kishte shenja dhune në të. Pas dërgimit në morg është bërë ekzaminimi i saj nga ekspertët ku ka rezultuar se vdekja e saj ka ardhur si pasojë e mbytjes në ujë. Në mesditë është bërë i mundur dhe identifikimi i saj ku është mësuar se kufoma e gjetur në ujërat e lumit Drin i përket shtetases Servete Jegeni, 72 vjeçe, me banim në lagjen "Naim Gjylbegu" në Shkodër. Sipas policisë, nga deklarimet e familjarëve të saj është mësuar se e moshuara vuante nga diabeti dhe depresioni. Nuk dihet nëse ajo ka rënë aksidentalisht në ujë apo është vetëmbytur. Viktima jetonte vetëm dhe sipas të afërmve të saj kur ata kanë shkuar në mëngjesin e djeshëm për të parë se si ishte, e kanë gjetur derën e banesës të kyçur. Trupi është gjetur rreth 100 metra larg urës së Bahçallëkut në të majtë të saj drejt hyrjes në qytet, aty ku bashkohen lumenjtë Drin e Buna.

Qëllon me sëpatë "mysafirin e paftuar"


DURRËS - Kishte kaluar mesnata kur një banor i fshatit Manzë ka parë që një fqinj i tij po i afrohej gardhit të oborrit. Kjo ka bërë që ai të marrë sopatën që e mbante në shtëpi për punët e përditshme dhe të qëndrojë në pritje të "mysafirit". Kur ky i fundit ka hyrë në oborr, është përleshur me fqinjin e vet dhe në momentin kur ai ka tentuar që të largohet, ka arritur që ta qëllojë me sëpatë. Pas incidentit të ndodhur në oborr, sipas policisë, u bë arrestimi në flagrancë i Mehdi Alimanit, 56 vjeç. I lindur në Dibër, ai banonte në Manzë të rrethit të Durrësit. Sipas policisë, 56-vjeçari i ka kaluar kufijtë e vetëmbrojtjes.

Sazan, largohen forcat e marinës italiane


VLORË - Mëngjesin e djeshëm në ishullin e Sazanit u zhvillua ceremonia e largimit të marinës ushtarake italiane. Flamuri italian u ul nga shtiza rreth orës 09:30 çka tregoi simbolikisht përfundimin e misionit nga ana e Batalionit 28 "San Marko". Të pranishëm në këtë ceremoni qenë drejtues të marinës italiane në Shqipëri, drejtues të marinës shqiptare, si dhe shefi i distriktit detar, Kristaq Gerveni. Në fjalën e rastit gjenerali italian Aldo Piçoti, shef i delegacionit italian të ekspertëve në Shqipëri, u shpreh me nota pozitive ndaj ecjes së Shqipërisë përpara duke nisur që nga trafiku i qenieve njerëzore dhe pastaj me radhë. Gjatë ceremonisë janë kujtuar dhe dy ushtarët italianë Lorenco Lazareski dhe Daniele de Amiçis të cilët humbën jetën duke shërbyer në ishullin e Sazanit. Më pas të pranishmit në ceremoni u larguan në drejtim të qytetit të Durrësit nëpërmjet anijes ushtarake italiane "San Giorgo". Delegacioni Italian i Ekspertëve në Shqipëri ka dhënë kontribut për mbështetjen e Forcave tona të Armatosura, në procesin e përshtatjes të strukturave ndaj modelit të NATO-s.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›