E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHKB, hetim lejeve të dhëna në burgje

Përfundon inspektimi në burgjet Shën Koll dhe Burrel, nis në Fushë-Krujë. Grupi i SHKB-së po heton praktikat e dhënies së lejeve

Prej pak kohësh ka nisur kalimi në sitë i të gjitha lejeve të dhëna në burgjet shqiptare për të dënuarit. SHKB-ja e burgjeve ka nisur prej dy muajsh hetimet në drejtoritë e burgjeve në gjithë vendin për të hetuar praktikat e ndjekura nga drejtuesit për dhënien e lejeve të dënuarve. Deri tani ka përfunduar hetimi në dy nga burgjet, Shën Koll të Lezhës dhe Burrel, ndërkohë që pritet të fillojë hetimi i lejeve në burgun e Fushë-Krujës. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare pranë Drejtorisë së Burgjeve, të cilat bëjnë të ditur se ky hetim i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve do të kalojë në sitë të gjitha lejet e dhëna nga drejtuesit e burgjeve dhe komisionet përkatëse për dhënien e këtyre lejeve për të dënuarit. Po sipas të njëjtave burime, grupi i kontrollit po studion nëse lejet janë dhënë brenda kornizave ligjore, nëse kanë përfituar ata të dënuar që e meritojnë apo ka pasur edhe të dënuar që mund të kenë përfituar më tepër se të tjerët. Pasi të përfundojë kontrolli në të gjitha burgjet, SHKB pritet të dalë me një përfundim lidhur me masa disiplinore nëse do të ketë shkelje, të cilat mund t’i rrezikojnë vendin e punës ndonjërit prej drejtuesve apo grupit të komisionit që vendos për lejet, nëse do të gjenden shkelje. Gjithashtu, të dhënat që pritet të grumbullohen nga SHKB-ja, do t’i kalojë në dispozicion grupit hetimor në prokurorinë e Tiranës që janë duke hetuar dhënien e lejeve para zgjedhjeve të 28 qershorit. Ndërkohë, aktualisht në burgje janë kufizuar mjaft dhënia e lejeve, pas një mbledhjeje që pati ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me drejtorët e burgjeve. Në këtë mbledhje, ish-ministri urdhëroi ndërprerjen e dhënies së lejeve dhe kufizimin e tyre deri në 5-6 leje në muaj. Këto leje do të jepen për raste urgjente, kur të dënuarit kanë probleme të rënda në familjet e tyre, persona të sëmurë, vdekje apo dhe fatkeqësi të tjera. Të dënuarit në burgje, në bazë të ligjit, kanë të drejtë që të përfitojnë leje shpërblyese dhe të veçanta.

Kujt i jepet leje shpërblyese

Personave të dënuar 3 vjet burg, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit

Personave të dënuar nga 3 në 10 vjet burg, pasi kanë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit

Personave të dënuar mbi 10 vjet burg, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit

Leje të veçanta, kush përfiton

Drejtori i institucionit mund t'u japë të dënuarve leje të veçantë, në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e anëtarëve të familjes, të vërtetuar me raport mjekësor apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje apo martesa. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit. Leja e veçantë mund të jepet deri në 7 ditë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet për aq kohë sa e diktojnë rrethanat. Në çdo rast, kohëzgjatja e lejes së veçantë nuk mund të jetë më shumë se 30 ditë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›