E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha “fundos” Prokurorinë

12/12/2008  Prokurori Arben Kraja kërkoi përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari

Ministri i Jashtëm ka paditur akuzën se janë kryer shkelje gjatë hetimeve

TIRANË- “Fatmira Hajdari nuk do të përjashtohet nga shqyrtimi i padisë që Lulëzim Basha ka bërë për shkeljet e Prokurorisë në procedurat e hetimit të dosjes “Durrës-Kukës”. Kështu Prokuroria e Krimeve të Rënda për të dytën herë është “rrëzuar” në gjykatën e Tiranës me anë të vendimeve të dhëna nga gjyqtarë të ndryshëm, por që janë të lidhur me njëri-tjetrin. Është i njëjti prokuror që ka në dorë dosjen “Durrës- Kukës”, për të cilën akuzohet ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe Andi Toma. Fillimisht ishte gjyqtari Sokol Toma ai që bëri të pavlefshëm vendimin e Prokurorisë për zgjatjen e afateve të hetimit nga 6 nëntori deri më 6 dhjetor nga Prokuroria dhe dje gjyqtari Altin Abdiu i hapi rrugën gjyqtares Fatmira Hajdari që të nisë shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Lulzim Basha për të nxjerrë të pavlefshme hetimet e Prokurorisë. Prokurori Arben Kraja kërkoi pak ditë më parë përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga shqyrtimi i çështjes.

“Rënia” e Prokurorisë

Midis replikave në sallën e gjyqeve kërkesa për përjashtim kaloi në short, i cili ra në duart e gjyqtarit Altin Abdiu. Ky i fundit në prani të prokurorit deklaroi dje në sallën e gjyqit se nuk ka bazë ligjore në këtë rast për të përjashtuar gjyqtaren e çështjes dhe se nuk ka patur njëanshmëri në shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës. Sipas vendimit të djeshëm, Fatmira Hajdari është treguar korrekte në vendimin e saj, që ishte kundër kërkesës së Prokurorisë për ta dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Prokurori Arben Kraja një javë më parë i kërkoi gjykatës të shpallte moskompetencën për të shqyrtuar kërkesën e bërë nga Lulzim Basha për pavlefshmëri të akteve të saj. Sipas akuzës, Basha është ministër dhe duhet të gjykohet nga Gjykata e Lartë. Por në këtë pikë ka kundërshtuar mbrojtja, e cila është shprehur se Gjykata e Lartë në bazë të Kushtetutës gjykon ministrat e deputetët kur janë në shqyrtim gjyqësor e jo kur kemi të bëjmë me kërkesa procedurale. Në një mendim me avokatin mbrojtës ishte edhe gjyqtarja Fatmira Hajdari, e cila u kundërshtua dhe u quajt e njëanshme nga ana e prokurorit. Ndërsa në gjykatën e Tiranës është duke u shqyrtuar kërkesa e Bashës për pavlefshmëri të akteve të akuzës, kjo e fundit ka nisur drejt Gjykatës së Lartë dosjen gjyqësore. Sot kjo dosje do t’i nënshtrohet shortit që do të caktoi kolegjin penal për shqyrtimin e saj. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se javën që vjen Fatmira Hajdari do të marrë në shqyrtim kërkesën e Lulzim Bashës, i cili në padi shprehet se nuk është dakord me vendimin e Prokurorisë për ta marrë personin në hetim dhe për ta pyetur në cilësinë e personit nën hetim. Ministri i Jashtëm Lulzim Basha nuk ka qenë në gjykatë.

Të përzier politika dhe akuza

“Durrës-Kukës”, rruga që solli debatet

TIRANË- Nga viti 2007 e deri në ditët e sotme dosja hetimore “Durrës-Kukës” ka patur kulme deklaratash politike dhe herë pas here heshtje nga profesionistët, deri në mbërritjen e një momenti të caktuar për të publikuar në çdo media të plotë kërkesën për gjykim nga ministri i Jashtëm Lulëzim Basha dhe drejtori juridik Ando Toma, teksa janë përjashtuar nga dosja Armand Teliti dhe Lejla Saraçi. Duke cilësuar thirrjen e tij në Prokurori si shkelje flagrante nga akuza, Basha dhe avokati Zef Nikaj kanë renditur disa herë parregullsitë në procedurën e ndjekur. Madje, së fundmi, Nikaj ka deklaruar se po sheh mundësinë të hedhë në gjyq prokurorin Arben Kraja për shkelje të të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›