E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Skema e vetëfinancimit të spitaleve nis brenda muajit



Zbatimi i skemës së sigurimeve shëndetësore në sistemin shëndetësor do të nisë fillimisht me vetëfinancimin e spitaleve. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi dje se skema e re e vetëfinancimit të spitaleve dhe strukturave të tjera shëndetësore do të jetë hallka e parë e reformës në shëndetësi.

Në një takim me drejtuesit e shëndetit publik në Tiranë e rrethe, si dhe specialistë, ajo ka folur për reformën, që tashmë pritet të konkretizohet në fund të muajit prill me lidhjen e kontratave. Ndërkohë, është shprehur se vetëfinancimi dhe pajisja me të gjitha mjetet e nevojshme do të sjellë shërbimin e duhur dhe profesional pranë pacientëve.

Financimi

Institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet do të funksionojnë në bazë të një logjike ekonomike, me rregulla të përcaktuara qartë, duke respektuar të gjitha standardet për një shërbim profesional cilësor, në respekt të të drejtave të pacientit. Për këtë ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në fjalën e saj u ndal në reformimin e sistemit shëndetësor, duke theksuar: “Institucioneve shëndetësore u është akorduar një nivel i caktuar autonomie që kërkon një nivel në rritje të përgjegjësive jo vetëm nga strukturat drejtuese, por edhe nga çdo punonjës”, - u shpreh Godo.

Sipas saj, qëndrueshmëria e një sistemi shëndetësor është e lidhur ngushtë me modelin e financimit dhe raportin mes pranisë së rregullave të tregut të lirë dhe mundësisë së marrjes së shërbimeve shëndetësore nga popullata e gjerë, duke e mbrojtur atë nga shpenzimet rrënuese.

“Financimi i sistemit shëndetësor si në nivelin parësor, ashtu dhe atë spitalor, realizohet përmes një skeme të vetme të sigurimeve shëndetësore. U ndërmor hapi i domosdoshëm, i hezituar prej shumë kohësh, por që përbën veprimin - kusht paraprirës të ndryshimeve të thella në të gjithë sistemin shëndetësor”, – tha ministrja e Shëndetësisë.

Projektligji i ri

Duke u ndalur tek projektligji “Për shëndetin publik”, Godo e vlerësoi si një nismë që dëshmon angazhimin e shtetit për të marrë përsipër përgjegjësitë e sigurimit të një mjedisi të shëndetshëm të promovimit dhe mbështetës, të aksesit të barabartë në shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor, si dhe informimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit të popullatës për çështjet shëndetësore.

Duke u ndalur tek sfidat e shëndetit publik, ajo veçoi ridimensionimin e Inspektoratit Sanitar Shtetëror në një profil të inspektimit shëndetësor, që përfshin përveç funksioneve tradicionale edhe vlerësimin e ndikimit të shëndetit dhe mbikëqyrjen e monitorimin e shërbimeve shëndetësore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›