MPPTT: Bashkia kërkon të shesë si të vetin projektin për të pastrehët
“Bashkia e Tiranës tenton të prezantojë si të vetin programin e Ministrisë së Punëve Publike për strehimin”, - deklaroi dje zëdhënësja e MPPTT-së, znj. Arminda Qylafku.
Duke iu referuar njoftimeve për shtyp të bashkisë, që pretendon se po jep 250 kredi me interesa zero për të pastrehët, ajo tha se ky është një projekt i ministrisë, ku bashkia ka vetëm rolin e ndërmjetësit.
“Ka më se dy ditë që në disa nga mediat e shkruara si dhe në faqen e internetit të Bashkisë Tiranë publikohet se kategoria prej 250 familjesh, të cilat do të blejnë apartamente nëpërmjet kreditimit, është program i Bashkisë së Tiranës dhe i politikave të strehimit të kësaj bashkie. Pra, Bashkia e Tiranës po mundohet ta shesë këtë projekt si të vetin”, – deklaroi ministria.
Sipas saj, ky program është lançuar që prej një viti nga qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe është pjesë e programit të kreditimit të 6000 familjeve në të gjithë vendin.
“Për më tepër, me shkresën nr. 1855, datë 18.03.2009 të MPPTT-së i është kërkuar Bashkisë së Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Gjirokastrës, Kavajës dhe Vlorës, dërgimi i menjëhershëm i emrave të personave të regjistruar si të pastrehë pranë Bankës Kombëtare Tregtare si banka e përzgjedhur për fillimin e këtij procesi”, – deklaroi Ministria, duke shtuar se Bashkisë së Tiranës nuk i ngelet gjë tjetër veç të dërgojë këto lista pranë BKT-së dhe të gjithë hapat e tjerë të procesit janë të garantuar nga marrëveshja që Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Financave ka bërë me këtë bankë.
“Vlen të theksohet se subvencionimi i interesave të kësaj kredie do të rakordohet nga Enti Kombëtar i Banesave nëpërmjet buxhetit të shtetit. MPPTT-ja po punon intensivisht për ndarjen e listës përfundimtare të të gjithë të pastrehëve në rang vendi ku do të përfshihen pa përjashtim të gjitha qytetet e Shqipërisë”, – reagoi MPPTT-ja.
Në këtë program vend të veçantë do të zënë dhe familjet që jetojnë me qira në banesat të cilat u janë kthyer pronarëve. Vetëm për këtë kategori numri i tyre është planifikuar në 3157 apartamente banimi.
Sipas ministrisë, për të gjitha këto familje do të bëhet e mundur blerja e banesës në tregun e lirë të ndërtimit, duke e shlyer atë nëpërmjet kredisë, e cila do të likuidohet nga qytetari për 30 vjet dhe interesat do të paguhen nga buxheti i shtetit.