E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPTARI QE NDERTOI SHTEPINE E KRYEMINISTRIT

Shqiptarët e La Spezia-s, ashtu
si 450 mijë shqiptarët e tjerë që
punojnë e jetojnë në Itali, kanë një
shtëpi ku banojnë, të blerë ose me
qira. Kanë një punë, madje biznes,
kryesisht në fushën e shërbimeve që
u garanton kushte normale për
familjen, gati-gati njësoj si vendasit.
Në La Spezia për shembull, një
në gjashtë familje ka blerë shtëpi,
kuptohet me kredi, pasi çmimi i një
shtëpie shkon nga 100 deri në 150
mijë euro.
E theksuam qysh në fillim të këtij
reportazhi se 80% e burrave të La
Spezia-s punojnë në ndërtim. Luigj
Mema është njëri prej tyre. Ky është
gurgdhendësi që ka punuar për
ndërtimin e vilës së
Kryeministrit grek,
Micotaqis. Ai na tregon
se në vitin 1993
emigroi për herë të
parë në Greqi. Ka
qëndruar në Athinë 4
muaj pa folur me
njeri. Bleu një televizor
me ngjyra dhe u
kthye në Fushë Arrëz.
Sapo i mbaruan lekët
që kishte fituar, u nis
përsëri në Greqi, në
Kretë, ku me ndihmën e Petrit Kolës,
i cili drejtonte punimet në vilën e re
të Micotaqis, u punësua aty.
E mbaj mend shumë mirë numrin
e vilës, 52/593, se kam një histori
shumë të dhimbshme. Në Kretë,
shumë shqiptarë kur i kapte policia
përgjigjeshin: punoj te vila e Kryeministrit.
Gënjenin për t‘i shpëtuar policisë,
pasi në atë vilë punonin vetëm
10 shqiptarë. Një ditë më kapi edhe
mua policia në rrugë. Më kërkuan
dokumentet, por unë nuk kisha asnjë
dokument. Ku punon, më thanë.
Te vila e Kryeministrit u thashë me
zë të ulët. Polici pa u menduar gjatë
ma futi me një shuplakë sa gishtat
e dorës i mbetën në faqen time. Sytë
më lëshuan flakë. U lëndova aq
shumë, sa u bëra gati të reagoja,
mirëpo polici tjetër vuri dorën mbi
këllëfin e pistoletës. Gënjeshtar, filloi
të ulërinte polici i parë. Te vila
punoj, i thashë përsëri. Te vila 52/
593, radio ke, verifikoje. Sapo komunikoi
me administratorin e vilës, tjetri
matanë radios iu përgjigj: Sa mirë
që e ke aty. Bjere shpejt në vilë se
ka ardhur Kryeministri e do të komunikojë
vetë me gurgdhendësit. Polici
mbeti. Më futi në makine e m‘u
lut të mos thosha asgjë për shpullën
që më kishte dhënë. Pas këtij
incidenti, askush nuk më ngacmoi
më. U ktheva në Shqipëri dhe erdha
në La Spezia. Italianët e La Spezias,
pasi më njohën,
më nxitën të hap
firmën time të
ndërtimit. Kështu
bëra. Fillimisht me
punë të vogla dhe tani
në dispozicion të
bashkisë. Në La Spezia
ka rreth 20 firma
ndërtimi, të cilat drejtohen
nga shqiptarët.
Ata janë të licencuar,
paguajnë taksa, siguracione
dhe konkurrojnë
me dinjitet firmat italiane. Firma
SHABANI dhe MEMA janë dy
nga firmat më të njohura në La Spezia.
Për shembull, të gjitha punimet
komunale i mbulon firma e Luigj
Memës nga Fushë Arrëzi. Ajo
shquhet për korrektesë, profesionalizëm
dhe çmim konkurrues.
Si është e mundur që këta njerëz
të ardhur nga Shkodra, Lezha e Puka
ta punojnë kaq mirë gurin, sikur të
ishin nga Dibra apo Gjirokastra?
Pasi i njeh nga afër dhe shikon
disa nga punimet e tyre, bindesh se
artin e punimit të gurit shqiptarët e
La Spezia-s e kanë në gjak. Ata vijnë
nga guri. Raporti midis tyre e
gurit është vendosur për shekuj me
radhë. Ai është i natyrshëm. Në
Shqipëri, këta njerëz me gurë kanë
ndërtuar gjithçka: themelet e
shtëpive, muret e brendshme e të
jashtme, oxhaqet, madje edhe
pullazet e çative.
Kullat e tyre në vendlindje janë
ndërtuar me gurë. Këta njerëz që vijnë
nga guri e kanë më të lehtë të
merren vesh me të, ta latojnë e ta
vendosin aty ku duhet, duke i dhënë
vlera të reja veprës arkitektonike që
ndërtojnë. Kur e pyesim Luigj Memën
se ku banon me shtëpi, ai na
përgjigjet se "hë për hë banoj me
qira. Paguaj 650 euro në muaj, plus
150 të tjera për ngrohje, gatim e
mirëmbajtje. Shtëpinë time kam
dëshirë ta ndërtoj vetë nga e para,
njësoj si Kryeministri i Greqisë, por
në Itali, me pamje nga deti, me
peme e lule, me gurë të fortë, që
nesër fëmijët e mi të krenohen me
babanë e tyre.
Dua të blej një shtëpi të vjetër me
pak tokë e ta rindërtoj vetë. Deri tani
s‘e kam gjetur, por shumë shpejt do
ta gjej. Kur t‘ia filloj punës, do të
them me zë të lartë: Tani jam vetë
Kryeministër".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›