E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama, ciceroni i ri

Në përfundim të zgjedhjeve presi
denciale në Shtetet e Bashkuara,
një revistë amerikane publikoi
disa shprehje të konsideruara sipas saj si
"obamizma". Në këtë qëmtim doli se një
pjesë e mirë e termave të këtyre fjalimeve
reflektonin thënie apo personazhe të
Romës, apo Greqisë së lashtë. Kur Obama
pranoi emërimin e demokratëve si kandidati
i tyre presidencial, në konventën e
partisë ai përdori në fjalën e tij përshëndetëse
disa të ashtuquajtura "kolona
dorike". Republikanët thanë se kundërshtari
i tyre po përpiqej që përmes llojit të
oratorisë që po përdorte të shfaqej si një
orator grek. Në fakt, rezonanca e përmendjes
së kolonave dorike është shumë
më e komplikuar nga sa mendonin në atë
moment republikanët. Ato i referoheshin
Shtëpisë së Bardhë, e cila në vetvete vizualisht
përbën një jehonë të republikës
romane mbi Kushtetutën e së cilës bazohet
ajo e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës. Ato nënkuptojnë Memorialin e
Linkolnit, para të cilit Marthin Luther King
deklaroi thënien e famshme: "Unë kam
një ëndërr". Ato evokojnë edhe ndërtesën
në të cilën bazohet Memoriali i Linkolnit:
Parthenonin. Duke përmendur simbolikisht
Athinën, Obama nënkuptonte, po
simbolikisht, edhe demokracinë vetë. Për
të kuptuar politikën amerikane të 4 viteve
të ardhshme, të duhet të kuptosh diçka
nga politika e Greqisë dhe Romës së lashtë.
Zgjedhjet e fundit presidenciale janë
karakterizuar nga shumë aspekte kontradiktore,
por një gjë është shumë e qartë
dhe e panegociueshme: aftësia e Obamës
si orator ka qenë një nga faktorët më të
rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi i
fitores së tij. Fjalimet e tij para njerëzve,
që e dalluan edhe nga rivalët e tij, të japin
përshtypjen e politikës në Athinën e lashtë,
kur fjalimet publike para votuesve të
thjeshtë ishin motori i politikës. Pikërisht
gjatë kësaj periudhe edhe vetë arti i retorikës
u maturua së bashku me
demokracinë.
Obama iu kundërvu tendencës së
presidentëve të fundit të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, duke mos përjashtuar
edhe Bill Klintonin, për të bërë fjalime
të mërzitshme e të thata. Një studiues
amerikan në librin e tij: "Presidenca
anti-intelektuale: rënia e retorikës presidenciale
që nga Xhorxh Uashingtoni te
Xhorxh Bush", ia nënshtron retorikën e
presidentëve analizave statistikore. Ai del
në përfundimin se 100 vjet më parë fjalimet
e presidentëve ishin të një niveli akademik,
ndërsa sot ato ishin të denja për
nxënësit e klasës së 8-të fillore. Fjalimet e
Obamës, në të kundërt të kësaj tendence,
sollën një risi e një hop cilësor dhe emocional.
Fjalimet e tij janë krijime letrare, të
pasura dhe solide si vetë kolonat dorike,
me simbolika dhe fraza që evokojnë
logjikë dhe emocion e mbi të gjitha
evokojnë mençurinë e presidentëve të
tillë si Linkolni, Kingu, apo filozofë të ndryshëm.
Megjithatë, jo gjithçka është e
firmës së Obamës. Sigurisht që ai ka fjalimshkruajtës
dhe njëri prej tyre, që kryeson
skuadrën e fjalimshkruesve të Presidentit
të ri, është 27-vjeçari Jon Favreau,
një i ri i talentuar dhe plot premtim për të
ardhmen. Sipas një profesori të retorikës
në Universitetin e Harvardit, stili i Obamës
i ngjan shumë atij të Ciceronit. Ciceroni,
politikani i shkëlqyer romak i republikës,
ishte pa dyshim një nga oratorët më
të mëdhenj të kohës së tij dhe të gjithë
historisë. Duke qenë se ishte një mbrojtës
i flaktë i Kushtetutës republikane dhe kritik
i Mark Antonit, ai u vra në vitin 43 para
Krishtit. Gjatë Republikës Romake (por
edhe në Athinën e lashtë) politika ishte
oratori. Në Athinë, kur bëhej fjalë për çështje të tilla si deklarimi i luftërave ndaj një
shteti armik apo çështje të tjera, vendoseshin
nga i gjithë elektorati dhe në
debate të hapura. Oratoria ishte aftësia
supreme politike, nga e cila vareshin
shumë gjëra. Si pasojë, oratoria ishte e organizuar
në një shkallë shumë të lartë dhe
analizohej deri në imtësi. Grekët dhe romakët
dinin gjithçka në lidhje me marifetet
e oratorisë dhe shumë prej tyre kishin
edhe një emër të caktuar. Duket se edhe
Obama dinte shumë prej këtyre
marifeteve, ose mjaftueshëm për t‘i përdorur
ato me sukses. Një nga teknikat më
të njohura të Ciceronit është ajo e përdorimit
të tri pikave të rëndësishme:
trikolona. Një nga shembujt më të famshëm
të trikolonës nuk është e Ciceronit,
por e Çesarit: "Veni, vidi, vinci" ("Erdha,
pashë, fitova"). Trikolonat gjetën një përdorim
shumë të madh edhe në fjalimet e
Obamës. Ja një shembull: "Sonte jemi
mbledhur që të afirmojmë madhështinë
e kombit tonë, jo për shkak të lartësisë së
godinave, apo fuqisë ushtarake, apo përmasës
së ekonomisë sonë". Në këtë
pasazh të marrë nga fjalimi i mbajtur në
Konventën Demokrate të vitit 2004,
Obama përdor edhe teknikën e "praeteritios",
pra të tërheqjes së vëmendjes ndaj
diçkaje, por pa e diskutuar atë. Një nga
"marifetet" e preferuara të Obamës është
edhe përmendja e gjërave të rëndësishme
në mënyrë fare të thjeshtë. Shembull i
kësaj ishte përdorimi i frazës "një predikues
i ri nga Xhorxhia", që ishte një referencë për
Martin Luther Kingun. Kjo teknikë në oratori
quhet "antonamazi". Një shembull
tjetër i marrë nga Ciceroni është edhe
mënyra se si i referohet Feniksit, mentorit
të Akilit tek "Iliada", si një "magjistër i
nderuar", ose "mësuesi i moçëm". Në të
dyja rastet, këto mënyra tentojnë që të krijojnë
një afrueshmëri mes folësit dhe audiencës.
Gjithashtu, mënyra të tilla e humanizojnë
më shumë personazhin, i cili
mund t‘i përkasë një periudhe të largët historike.
Ndërsa për sa i përket shprehjes
tashmë të famshme: "Po, ne mundemi",
ajo i përket më shumë një retorike kishtare.
Sigurisht që Obama është ndikuar jo pak
nga predikimet e priftërinjve, por edhe
vetë predikimi është një mënyrë oratorie
që i ka rrënjët në Greqinë e lashtë. Tradita
e oratorisë klasike ishte në qendër të kishës
në fillimet e saj, atëherë kur retorika ishte
një pjesë e rëndësishme e shkollimit.
Përmes predikuesve, kisha përcillte traditën
oratorike të të lashtëve. Në Amerikë,
një traditë e tillë ruhet ende, veçanërisht
në kishën e zezakëve. Por Obama nuk i
përngjan Ciceronit vetëm në fjalimet e tij.
Sikundër Ciceroni, edhe ai është një njeri
i ligjeve. Sikundër Ciceroni, edhe ai është
një shkrimtar me shumë vlera dhe talent.
Mjafton të përmendim këtu dy librat që
kanë dalë së fundmi në libraritë e të gjithë
botës. Si edhe Ciceroni, Obama është një
"novus homo", fraza latine që përkthehet
"njeri i ri", në sensin njeri i ndërtuar vetë.
Si edhe Ciceroni, Obama hyri në politikë
pa një familje të fuqishme që t‘i ruante
krahët dhe ta mbështeste në rrugën e tij si
Klintonët, Bushët, apo MekKeinët. Ngjashmëria
e madhe që ka Obama me politikanin
dhe oratorin romak tregon se Presidenti
aktual i SHBA-së është pasardhës i
romakut të lashtë, jo pasardhës biologjik,
por pasardhës intelektual. Por edhe vetë
Ciceroni kishte etërit e tij shpirtërorë. Ata
ishin Licinius Crassus, Scipio Aemilianis
dhe Cato Plaku. Ndërsa për Obamën, veç
Ciceronit janë edhe Linkolni, Rusvelti dhe
King. Por Obama ka marrë edhe nga retorika
e Aristotelit, sipas mësimeve të të cilit
një fjalim i mirë duhet të shoqërohet nga
patosi, logosi dhe ethosi, pra emocioni,
argumenti dhe karakteri. Dhe Obama shkëlqen
veçanërisht për sa i përket elementit
të ethosit. Le të shohim këtë frazë:
"Unë jam djali i një zezaku nga Kenia dhe
një gruaje të bardhë nga Kansasi. Jam rritur
me ndihmën e një gjyshi të bardhë që
i mbijetoi periudhës së trishtë të Depresionit
të Madh dhe shërbeu në ushtri gjatë
Luftës II Botërore, si dhe një gjysheje që
ishte infermiere. Jam shkolluar në shkollat
më të mira të Shteteve të Bashkuara
dhe kam jetuar në një nga vendet më të
varfra të botës". Këtu Obama ia del që të
përcjellë idenë se ai jo vetëm mund të jetojë
ëndrrën amerikane, por e simbolizon
personalisht këtë ëndërr.
Por një orator i vërtetë është shumë
më tepër se një folës i zoti. Ai di jo vetëm
të ngrejë peshë zemrat dhe mendjet e
dëgjuesve, por edhe t‘i verë në jetë, pra
t‘i realizojë ato që thotë. Obama ka premtuar
që t‘i bashkojë retorikës së tij edhe
projektet dhe t‘i verë ato në zbatim sa më
parë. A mund t‘ia dalë mbanë një ndërmarrje
e tillë në vështirësi? A mund t‘i
shndërrojë ai fjalët në vepra? Për këtë
duhet të presim pak, por jo gjatë, pasi
punët e mira duken që hershëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›