E Shtunë, 31 Tetor 2026

SKANDALI/ Buxhetorët kontrolloheshin me listë nëse ishin në shesh për mitingun e PD-së

miting 1Administrata po përdoret në mënyrën më të shëmtuar për të mbushur sheshet në takimet elektorale të PD-së.

Fiks Fare solli fakte sesi punonjësit e administratës të detyruar janë paraqitur në sheshin Nënë Tereza për të marrë pjesë në mitingun e hapjes se fushatë së PD.

Më 13 maj 2013 u bë zyrtarisht hapja e fushatë së Partise Demokratike si dhe prezantimi i kandidatëve të Tiranës për PD. Në shesh morën pjesë simpatizantë të kësaj partie, por një pjesë e madhe e atyre që morën pjesë në këtë miting ishin punonjësit e  administratës, të cilët kishin ardhur të detyruar.

Shefat e burimeve njerëzore të institucioneve të ndryshme qëndronin në vende të caktuara në shesh dhe me lista në dorë merrnin mungesat e atyre që nuk ishin të pranishëm në miting.

Disa prej tyre nëpunësve të administratës së sotme pohuan për gazetarët e emisionit Fiks Fare se në mes të turmës ndodheshin eprorët e tyre me listat e punonjësve në duar.

Madje udhëzimi ishte që duhet të merrnin me vete edhe të afërm në miting.

Ai që refuzonte të merrte pjesë në këtë miting, rrezikonte të humbte vendin e punës.

Disa punonjës të ministrisë së Transportit pohuan se ata ishin caktuar nga ana e kësaj ministrie të paraqiteshin çdo ditë në shtabet elektorale që ndodhen në rrugën Ali Demi në Tiranë. Gjithashtu ata treguan se punonjësit e administratës që po drejtojnë fushatën po furnizohen me karburant nga shteti.

Disa mësues treguan se kishin ardhur me urdhër nga drejtoria e shkollës.

Një tjetër punonjës i Ujësjellës- Kanalizime Tiranë pohon se ishte i detyruar të vinte në miting.

Ndërsa dy punonjës të Bashkisë së Tiranës shprehen se kanë ardhur pasi janë te detyruar sepse i largojnë nga puna.

Ne kemi ardhur për bukën e kalamajve, shprehen ata.

Punonjësit e administratës tregojnë terrorin me të cilin përballen çdo ditë vetëm për të mbajtur vendin e punës.

Tregojnë sesi u bëhet presion për të votuar PD-në.

Na kontrollojnë nëse vijmë apo jo dhe na heqin nga puna. Na kanë thënë se edhe fletët e votimeve do t’i bëjnë me shenjë, tregon një punonjës i Bashkisë së Tiranës

Në këtë miting kanë marrë pjesë edhe punonjësit e administratës së Ministrisë së Mbrojtjes, edhe pse kanë statusin e ushtarakut.

Një punonjëse e ushtrisë, e trembur se mos e dëgjon shefja e administratës, tregon se punonjësit e Ministrisë së Mbrojtjes vendin e grumbullimit e kishin përpara ndërtesës së Universitetit të Arteve.

Ajo tregon se u është kërkuar nga eprorët që të fotografojnë edhe fletën e votimit, si provë për të mbajtur vendin e punës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›