E Diel, 1 Nëntor 2026

SMS kambistit: Dua 30 mijë euro, ose të vras fëmijët

Një 20-vjeçar është arrestuar dje nga Policia e Shkodrës me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë në dëm të një kampisti, banues në lagjen “Guerile”. Endri Alibali, 20 vjeç, ra në prangat e Policisë pas një aksioni të zhvilluar nga Policia e Shkodrës, të koduar me emrin “Gjoba”. Sipas hetuesve të forcave të rendit, i riu akuzohet se me anë të mesazheve kërcënuese të dërguara në adresë të kambistit R.Basa, 59 vjeç, ka tentuar të përfitojë prej tij 30 mijë euro.

“Duhet të më paguash 30 mijë euro, përndryshe do t’i vras fëmijët”, mësohet se i kishte shkruar 20- vjeçari kambistit në mesazhet e dërguara. Policia ka thënë se i riu banonte në një lagje me të dëmtuarin nga vepra penale dhe përmes njohjeve kishte arritur të siguronte numrin e tij të celularit. Për disa ditë, 20- vjeçari Alibali mësohet se ka ndjekur lëvizjet e kambistit kur hynte dhe dilte nga shtëpia dhe i dërgonte mesazhe duke i rikujtuar të mos vononte dorëzimin e shumës që i kërkohej, “ndryshe fëmijët e tij ishin në rrezik”. Në këto kushte, kambisti i është drejtuar policisë me një padi penale ndaj dërguesit të mesazheve, i cili është identifikuar pa vonesa nga ana e forcave të rendit. Policia ka vënë në përgjim numrin e celularit nga vinin mesazhet te kambisti dhe ndjekja që është bërë, i ka çuar hetuesit te 20- vjeçari. Pasi identifikuan autorin e krimit, agjentët e Policisë organizuan aksionin për kapjen e tij ditën e djeshme. Një agjent i Policisë i ka kthyer përgjigje 20-vjeçarit në celular nga telefoni i kambistit, duke i thënë se do t’i dorëzonte shumën.

Ai ka lënë vendin dhe orën e takimit ku i riu ka shkuar, por është përballur me forcat e Policisë, që i kanë vënë prangat në duar. Pas shoqërimit në ambientet e Policisë, Endri Alibali mësohet se ka hedhur poshtë akuzën, duke mos pranuar të jetë autori i krimit. Megjithatë, Policia thotë se ka prova të pakontestueshme se ai është gjobëvënësi dhe kërcënuesi i kambistit 59-vjeçar R.Basa. Policia e Shkodrës tha dje se dosja penale do t’u kalojë për kompetencë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që po hetohet nëse 20-vjeçari ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë në kryerjen e krimit. Në cilësinë e provës materiale nga Policia u sekuestrua telefoni, së bashku me skedën telefonike me të cilën është kryer kërcënimi për dhënien e shumës së lekëve të sipërpërmendur./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›