SOCA, partner kryesor për policinë shqiptare

Një bashkëpunim në luftën kundër terrorrizmit dhe krimit të organizuar ka qenë në qendër të takimit te drejtorit të përgjithshem të policisë së Shtetit Ahmet Prençi dhe Drejtorit të Agjensia Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda të Mbretërisë së Bashkuar Bill Hughes. "Ne ju garantojmë seriozitet dhe besnikëri në misionin tonë të përbashkët, në luftën kudër krimit në përgjithësi dhe në veçanti kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkufitar etj"- u shpreh Prençi gjatë takimit të ditës së hënë. Ndërkohë, nga ana e tij Drejtori i SOCA-s, z. Bill Hughes pasi vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit, garantoi kreun e policisë për asistencë të vazhdueshme. "Jam i impresionuar nga puna e bërë nga Policia e Shtetit, jo vetëm brenda territorit tuaj por edhe në arenën ndërkombëtare. Jam informuar se keni pasur disa operacione policore në bashkëpunim me policitë homologe të vendeve evropiane, të cilat kanë rezultuar të suksesshme- u shpreh Hughes. Sipas tij, agjencia SOCA në të ardhmen do të vazhdoj të jetë një partner kryesor në trajnimin e oficerëve të policisë shqiptare.