Rama: Ndarja e LSI-së në 2003 i ka kushtuar Shqipërisë
Albin Kurti intelektual, por politikisht bën gabime mbresëlënëse
Kryesocialisti shqiptar, Edi Rama, ka zgjedhur ditën e diel që ta vizitojë Prishtinën dhe tua prezantojë kosovarëve planin e tij qeverisës për Kosovën. Edhe pse ka qëndruar shumë shkurt në Prishtinë, ai ka gjetur kohë që tia japë një intervistë ekskluzive gazetës Zëri. Derisa filloi të përgjigjej në pyetjet e gazetës, kreut të PS-së i duhej ta lidhte edhe kravatën dhe të përgatitej për takimin që e kishte pas 20 minutash në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, me temën: Shqipëria, Kosova dhe rajoni pas 23 qershorit. Në këtë intervistë, Edi Rama thotë se ka ardhur koha për bashkimin real të shqiptarëve këndej dhe andej kufirit. Rama premton që kufirin Kosovë-Shqipëri ta shndërrojë në një kufi inekzistent. Ai flet për bashkim doganor, për krijimin e një hapësire të përbashkët të energjisë, të edukimit, kulturës… Koalicionin me LSI-në e Ilir Metës, Rama e quan të natyrshëm. Ai thotë se ndarja e së majtës më 2003, i ka kushtuar shumë jo vetëm PS-së e LSI-së, por gjithë Shqipërisë. Sipas tij, bashkimi i PS-së me LSI-në është koalicioni i së ardhmes, i cili do ta rilindë Shqipërinë. Rama është i bindur se nga 23 qershori, Shqipëria do të ndryshojë. Thotë se ndihet shumë mirë kur viziton Kosovën, derisa nuk preferon të flasë shumë nëse ka arritur që me vizitat e shpeshtuara në Prishtinë ta rrëzojë mitin e quajtur Berisha. Rama ka ironizuar kur është pyetur në lidhje me bojkotin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se jam shumë i vogël të ankohem përse më kanë bojkotuar. Kryesocialisti shqiptar, Edi Rama, ka edhe një vlerësim interesant për liderin e VV-së, Albin Kurti. …Albini është një intelektual i admirueshëm, por që politikisht bën gabime mbresëlënëse dhe nuk di të bëjë gabime të vogla, ka thënë Rama.
Po fillojmë me vizitat në Kosovë. Kohëve të fundit po e vizitoni shumë shpesh Kosovën. Doni që ta mundni Berishën edhe në Kosovë, apo për çfarë arsye?
Sot kemi ardhur për një fjalë, që ka të bëjë me programin tonë. E keni parë që ne jemi në rrugën e programit dhe po konkludojmë një proces të filluar qysh më 5 nëntor të vitit 2011, ku kemi miratuar në Kongresin e partisë draftin e programit, dhe pastaj kemi filluar një proces konsultimesh në rang territori për të gjitha fushat. Dhe pjesë e këtij programi sigurisht se është edhe programi i politikës sonë të jashtme, marrëdhënieve me Kosovën dhe me rajonin. Sot, këtu unë do të shpalos elementët kryesorë të programit me temën Shqipëria, Kosova dhe rajoni pas 23 qershorit.
Na i trego tri-katër pika kryesore të programit që lidhen me Kosovën?
Sot jemi në një situatë krejt të re dhe kemi nevojë për një vizion të ri, duke e parë të ardhmen me instrumentet e ndryshme nga ato të së shkuarës. Parafytyroni për një moment se sa shumë gjëra kanë ndryshuar në një kohë që për historinë është shumë e shkurtër, janë vetëm 15 vjet. Dhe në këto 15 vjet është kryer një transferim i jashtëzakonshëm. 15 vjet më parë Kosova ishte në kushtet kur, qindra-mijëra njerëz ishin të kërcënuar me jetët e tyre dhe pastaj erdhi momenti i tentativës gjakatare për spastrim etnik dhe sot Kosova përfaqësohet në tryezën e bisedimeve me Serbinë si palë që e ka fituar luftën, dhe që po tregohet përsëri kurajoze dhe largpamëse për të fituar edhe paqen. Është një transformim i jashtëzakonshëm, edhe për faktin se bashkimi kombëtar për të cilin ne flasim, në esencë ka ndodhur. Nuk ka ndodhur si bashkim me instrumentet dhe vizionin e së shkuarës, por ka ndodhur si një bashkim, kur kufiri neve sot nuk na pengon të zhvillojmë një projekt të përbashkët strategjik.
Megjithatë, ka disa pengesa. Si shembull, kemi pasur probleme me eksportimin e patates në Shqipëri, pastaj miellit… Po ashtu bizneset kosovare e kanë shumë të vështirë zhvillimin e tyre në Shqipëri, apo nuk kanë fare mbështetje nga institucionet e atjeshme…
Bashkimi në esencë ka ndodhur, por na duhet një vizion i ri për ta parë që ka ndodhur, dhe instrumentet e reja për të shfrytëzuar këtë që ka ndodhur. Në këtë aspekt ne i kemi disa propozime për nesër, mbi një qasje të re, pikërisht e prezymon që jemi dy shtete, por me një hapësirë që sa më e përbashkët të jetë në administrimin e punëve, aq më shumë mund të sjellë mirëqenie dhe cilësi edhe për qytetarët këtej dhe andej kufirit, duke filluar nga siguria energjetike. Neve na duhet një plan strategjik për sigurinë energjetike për të gjitha hapësirat, një plan i bashkërenduar mes dyja shteteve dhe mes dyja qeverive. Ne nuk kemi pse të bëjmë investime kuturu në energjetikë, ndërkohë që edhe investimet duhet të jenë të projektuara sipas këtij plani. Në arsim është e patolerueshme që të mos kemi një hapësirë të përbashkët të dijes, arsimimit, të edukimit të të rinjve dhe të sistemit të shkollimit deri në universitet. Në aspektin e zhvillimit të prodhimit bujqësor-blegtoral, ne nuk kemi pse të mos e kemi një hartë të prodhimit të rajonalizuar sipas territoreve, sipas stinëve dhe pse të mos e kemi një bashkim doganor.
Thoni që ekziston mundësi për treg të përbashkët. Pastaj hapësirë të përbashkët për sport, ku kemi pasur iniciativë konkrete nga pala kosovare, sidomos nga klubet e futbollit për krijimin e një lige të përbashkët. Por, që ka pasur direkt pengesë nga UEFA. A mendoni se pengesa të tilla do të hasim edhe në fushat tjera?
Problemi është se ne nuk duhet të shkojmë direkt në konflikt me organizatat ndërkombëtare, në këtë rast me UEFA-n dhe FIFA-n. Mendoj se ne nuk duhet të shkojmë direkt në ligën e përbashkët të futbollit. Ne duhet në radhë të parë të shohim si ta shfrytëzojmë sportin për të afruar dhe për të krijuar ndërveprim te sa më shumë njerëz, duke filluar nga niveli universitar. Për shembull ne e dimë shumë mirë që jeta sportive universitare në Amerikë, apo në shumë vende tjera është shumë e zhvilluar me kampionate, me aktivitete të përbashkëta. Pastaj në të gjitha ato aktivitete ku tanimë federatat ndërkombëtare nuk e kanë problem, si në mundje, në boks, në peshëngritje. Kjo gjë mund të ndodhë. Pastaj ne mund të kemi një Kupë të Flamurit, që mund të jetë kupa e gjithë hapësirës shqiptare dhe nuk kemi nevojë të bëjmë një ligë që të shkojmë të përplasemi me dynjanë. Dhe gjërat vijnë hap pas hapi. Prandaj, ne duhet të pararendim një proces, i cili sot nuk mund të shihet me sytë e të shkuarës, dhe nuk mund të zhvillohet me instrumentet e të shkuarës ngase realiteti ka ndryshuar dhe ne ende jemi në realitetin e vjetër.
E kam të qartë se pjesa kryesore e këtij bashkimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është pjesë e bashkëpunimit ekonomik, por edhe social e kulturor. Mirëpo, nëse e shikojmë nga këtu, bizneset kosovare kanë qenë shumë pak të pranishme në Shqipëri. Nuk e di pse dhe çfarë pengesash ka pasur, por në anën tjetër kemi prani të bizneseve shqiptare në Kosovë, por jo bashkëpunim ndërmjet tyre. Do të duhej që ne të konkurronim me njëri- tjetrin, apo do të duhej që ne të bashkëpunonim në fusha të caktuara që të konkurronim në tregun rajonal dhe global?
Ne duhet të krijojmë një hapësirë të përbashkët konkurrence, jo midis bizneseve në Shqipëri dhe Kosovë, por një hapësirë të përbashkët të biznesit pa dallim, duke e bërë kufirin praktikisht kufirin inekzistent, që mallrat të kalojnë nga Kosova në Shqipëri, ta zëmë siç kalojnë nga Durrësi në Vlorë. Dhe nuk ka doganë dhe të bëjmë bashkimin doganor dhe të mos kemi më probleme të kësaj natyre. Dhe ndërkohë të kemi politika të përbashkëta për prodhimin bujqësor, për prodhimin blegtoral, të kemi politika të përbashkëta të agro-përpunimit, në mënyrë që ti japim më shumë hapësirë prodhimit vendor të kësaj hapësire.
Ti kthehemi pak zhvillimeve në Shqipëri