SPAK dërgon në gjyq tetë persona për skemën e falsifikimit të pronave në bregdetin e Durrësit

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tetë të pandehur, të akuzuar për pjesëmarrje në një skemë kriminale të falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit.
Sipas SPAK, hetimet kanë provuar se të pandehurit Aleksandër Laho (alias Rumi) dhe Vullnet Muça (alias Vullnet Kondi/Vullnet Muharremi) kanë krijuar dhe drejtuar një grup të strukturuar kriminal, i cili, me ndihmën e bashkëpunëtorëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike, ka falsifikuar dokumente pronësie dhe ka regjistruar në mënyrë të paligjshme sipërfaqe të mëdha toke në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në Durrës.
Pjesë e grupit, sipas akuzës, rezultojnë edhe Agron Bejdolli, Vlash Brahja, Mikel Zaho dhe Artur Isaku, ndërsa ish-specialistja e arkivës Ermira Avdyli akuzohet për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim. Urim Agasi akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda.
SPAK bën të ditur se skema kriminale konsistonte në falsifikimin e Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), dokumenteve të arkivës dhe regjistrave të pronësisë, me qëllim përvetësimin e tokave shtetërore ose të papretenduara nga ish-pronarët në zonat Shijak–Kepi i Rodonit, Lalëz, Bizë dhe Shetaj.
Sipas hetimeve, dokumentet e falsifikuara regjistroheshin në sistemin elektronik të Kadastrës me ndihmën e punonjësve të institucionit, ndërsa pronat më pas tjetërsoheshin përmes kontratave të shitjes tek persona të tretë ose investitorë.
Hetimi ka dokumentuar se përmes kësaj skeme janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme të paktën 687 798 metra katrorë tokë shtetërore në zonën bregdetare të Durrësit.
Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi këto pasuri, me një vlerë të përllogaritur rreth 16,89 milionë euro, bazuar në çmimet e tregut për prona të ngjashme në zonë.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet vijojnë në një procedim të ndarë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe dokumentimin e episodeve të tjera kriminale.
/gj.m/r.e/