E Diel, 1 Nëntor 2026

SPANJË – Policia sekuestron sasinë rekord të kokainës prej 30 tonësh

MADRID, 7 maj /ATSH-DPA/ – Policia spanjolle ka sekuestruar një sasi rekord prej 30 tonësh kokainë nga një anije mallrash në brigjet e Afrikës, thanë sot autoritetet gjyqësore, në atë që e përshkruan si dërgesa më e madhe e vetme e drogës e kapur ndonjëherë kudo.

Sekuestrimi u krye në bashkëpunim me Administratën Amerikane të Zbatimit të Ligjit për Drogën (DEA) dhe policinë holandeze.

”Droga ishte e paketuar në 1 279 pako dhe kishte një vlerë në rrugë prej më shumë se 812 milionë eurosh (953 milionë dollarë)”, tha gjykata në Ishujt Kanarie.

”Nëse shitet në rrugë, sasia e kokainës së gjetur të premten e kaluar do të arrinte deri në 1,5 miliardë euro”, theksoi ajo.

”Një gjyqtar në Ishujt Kanarie ka urdhëruar paraburgim për të gjithë 23 anëtarët e ekuipazhit të anijes, Arconian”, shtoi një zëdhënës gjyqësor.

Sipas shërbimeve të gjurmimit të anijeve, anija 90 metra e gjatë, që mbante flamurin e Komoreve, ishte në rrugë nga Sierra Leone në Afrikën Perëndimore për në Libi kur u kap në brigjet e Saharasë Perëndimore.

Autoritetet besojnë se droga, e cila ka shumë të ngjarë të ketë origjinën nga Amerika e Jugut, do të transferohej në det në motoskafe më të vogla, të cilat më pas do të transportonin kokainën në Evropë./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›