E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjohet Kristiano Ronaldo, Portugalia shkon në çerekfinale

CR7 shënon dy herë duke përmbysur golin e Van der Vartit, kësisoj portugezët fitojnë 2-1 ndaj Holandës dhe do të ndeshen me Çekinë në raundin e ardhshëm të Euro 2012

Greqia dhe Portugalia nuk janë mirë ekonomikisht, por në futboll është tjetër gjë. Pas kualifikimit të grekëve, të drejtuar nga një trajner portugez, edhe përfaqësuesja e drejtuar nga Bento arrin në çerekfinale të Europianit, duke e mbyllur Grupin B në vend të dytë.

E arrin falë fitores 2-1 që e lë Holandën me 0 pikë në tri ndeshje, duke zhgënjyer të gjithë. Kristiano Ronaldo më në fund është protagonist: dy gola dhe dy shtylla.

Holandezët në sulm

Në Kharkiv, Bento ka konfirmuar po atë formacion që ka përdorur deri tani, kurse Van Marvijk ka nevojë për gola dhe e nis ndeshjen ashtu si e mbaroi sfidën kundër Gjermanisë, pra me pesë lojtarë sulmues në fushë.

Nuk luan Van Bomel dhe i takon Van der Vartit të luajë i tërhequr, kurse Huntelar luan para një treshe lojtarësh të njohur: Roben, Van Persi dhe Shnejder.

Fillimi për tulipanët

Pjesa e parë e ndeshjes është e çuditshme. Duke dashur të shënojë dy gola, tulipanët që luanin me të zeza, e nisin menjëherë në sulm. Këtë e bëjnë duke zgjeruar lojën në shërbim të Roben dhe Shnejder, sepse Van Persi dhe Huntelar nuk shohin top me sy në këtë pjesë.

Por më i shërbyeri ishte Van der Vart, i cili në minutën e 11-të shënon golin e parë të ndeshjes me një gjuajtje fantastike që nuk i jep asnjë shans Rui Patrisios.

Zhbllokohet CR7

Lajmet që vijnë nga Lviv janë inkurajuese për përfaqësuesen e Van Marvijk që e sheh veten një gol larg çerekfinaleve sepse e shton presionin. Por Portugalia, që deri atëherë ishte munduar të kontrollonte situatën, është e detyruar të reagojë dhe të ndryshojë lojë. Ronaldo bën vizitën e parë në portën kundërshtare dhe topi i tij godet shtyllën.

Më pas, pas nja dhjetë minutash në të cilat loja është e fortë dhe me kundërsulme për të dyja skuadrat, Velozo, Meireles dhe Moutinjo nisin të shfrytëzojnë superioritetin e mesfushës. Nani në të djathtë dominon në duelet me Vilems. Rastet për portugezët nisin të shtohen, Helder Postiga e shpërdoron, por jo Ronaldo.

Është minuta e 28-të kur Zhoao Pereira jep një top shumë të bukur për CR7, i cili shënon më të djathtën. Pasi ka shënuar më në fund në Europian, fenomeni i Realit të Madridit merr zemër dhe i shkon pranë golit të dytë në tre raste. Por Holanda tani është më larg kualifikimit dhe arrin të shkojë në pushim të ndeshjes me rezultatin 1-1.

Nani humb rast…

Van Marvijk bën ndryshime te Holanda e tij në pjesën e dytë duke futur Shnejderin më në qendër dhe Roben në të majtë e Van Persi në të djathtë. Por i vetmi që arrin të duket para portierit Rui Patrisio është mbrojtësi Vlar, që humb një rast të mirë me kokë.

Në mes të pjesës së dytë, trajneri holandez nxjerr të riun Vilems dhe fut Afelain. Rezultati është që Ronaldo ka edhe më shumë hapësirë kur vendos të sulmojë në krah.

E nëse Nani nuk do të kishte humbur atë rast shumë të mirë që iu dha nga Ronaldo, kur doli përballë Stekelenburgut,  Ronaldo do ti kishte shtuar edhe një asist statistikave të tij në këtë Europian.

…por e shlyen gabimin

Por Ronaldo më pas shton një gol në statistika sepse Nani e shlyen gabimin duke dhënë një asist fantastik në një kundërsulm. Është minuta e 29-të ajo që fundos përfundimisht Holandën e lodhur dhe kualifikon Portugalinë.

Shtylla e goditur nga Van der Vart në fund shërben vetëm për të treguar talentin e lojtarit të Totenhemit, i cili tregon se di të bëjë me të djathtën atë që bëri me të majtën.

Gjuajtjet e vonuara të Huntelar dhe Van Persit janë tentativat e fundit për gol të Holandës në këtë turne: nënkampionët e botës kthehen në shtëpi, të mbetur në klasë në çdo drejtim.

Bento: Europiani ynë nisi me fitoren ndaj Bosnjës!

Portugalia shkon në çerekfinalet e Euro 2012. I pyetur nëse kjo është skuadra më e fortë që ai ka pasur në dispozicion, trajneri Paolo Bento u përgjigj: Luajtëm më mirë se ndaj Gjermanisë dhe ndaj Danimarkës, por ishte pikërisht fitorja ndaj Danimarkës që na dha mundësinë të bënim këtë paraqitje të mirë kundër Holandës.

Portugalia ime ka treguar qëndrueshmëri dhe nuk duhet të harrojmë se në ndeshjet zyrtare kemi humbur vetëm ndaj Danimarkës, ndërsa në këtë Europian na ka mundur një ekip pretendent si Gjermania, ku bëmë disa gjëra gabim. Më pas, Bento shtoi:

Kam vetëm pak vite që punoj si trajner dhe nuk e di nëse kjo e sotmja mund të konsiderohet si nata më e lumtur. Nëse më pyesni nëse jam i kënaqur dhe krenar, atëherë mund të them se pa dyshim që ndihem mirë, ashtu si futbollistët.

Ishim në grupin më të fortë dhe për mendimin tim u kualifikuam plotësisht me meritë. Europiani ynë ka nisur që me fitoren në play off-in ndaj Bosnjës.

PORTUGALI           2

HOLANDE   1

Shënues: Ronaldo 28, 74 / Van der Vart 11

Portugalia: R.Patrisio, Zh.Pereira, B.Alvesh, Pepe, Koentrao, Meireles (Kustodio 72), Velozo, Zh.Moutinjo, Nani (Rolando 87), Postiga (N.Oliveira 64), K.Ronaldo. Trajner: Bento.

Holanda: Stekelenburg, Vilems (Afelai 67), Matijsen, Vlar, Van der Viel, Van der Vart, De Jong, Shneijder, Van Persi, Roben, Huntelar. Trajner: Van Marvijk

Gjyqtar: Nikola Ricoli (ITALI)

Kartonë të verdhë: Vilelms, Van Persi.

 

Statistikat

Portugali      Holandë

2          gola     1

20        goditje            9

9          goditje në kuadrat    4

11        goditje jasht렠          5

12        goditje dënimi           21

7          goditje nga këndi      5

4          pozicione jashtë loje           1

1          kartonë të verdh렠   2

0          kartonë të kuq           0

41%    qarkullimi i topit      59%

1 fitore ka arritur Holanda në 11 përballjet ndaj Portugalisë. Fitorja e fundit e tulipanëve daton në vitin 1991.

 

6 herë e ka kaluar Portugalia fazën me grupe, në të gjashtë europianët me strukturën akutale, ku ka marrë pjesë.

 

50 ndeshje ka luajtur portieri Morten Stekeleburg me kombëtaren holandeze, e cila i humbi të tri ndeshjet e luajtura në Euro 2012.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›