E Shtunë, 31 Tetor 2026

SPIT THE SPOT

Elisa Spiropali 

Teksti i shkruar duhet të jetë i bukur. Teksti i shkruar për t'u folur nga të tjerët duhet të jetë patjetër edhe më i bukur. Kur tekstin e shkruan dhe e flet vetë kryeministri, teksti duhet të jetë domosdoshmërisht edhe i bukur edhe i ngjeshur. Por kur kryeministri tekstin e shkruar vetë nuk e flet nga një tribunë lokale apo partiake, por në një spot televiziv, teksti duhet të jetë një kryevepër; një kryevepër urtësie, respekti, diskrecioni, përulësie, dashurie, pra shumë-shumë i bukur dhe shumë-shumë i ngjeshur.
Përveç paligjshmërisë, arrogancës, vrazhdësisë, gjëra këto që i duken sheshit nga jashtë dhe për të cilat është folur dhe po flitet, çfarë është në brendinë e vet teksti i spotit të fundit propagandistik qeveritar me protagonist të kudo dhe kurdo ndodhurin kryeministrin tonë?
Është i tëri një djallëzi primitive, një lëmsh pa asnjë fill, asnjë shije, asnjë stil. Një çorientim total. Një kaos i përsosur. Një mendjemadhësi e pashoqe. Një cektësi e pashembullt.
Ja pse;
Të dashur qytetare dhe qytetarë...
Kryeministri e di që Shqipëria është plot me fshatare dhe fshatarë. Por i quan "qytetare dhe qytetarë"! Domethënë, "o fshatare dhe fshatarë, përvojë keni, fare pak iu ndan nga të shndërruarit në qytetarë. Meqenëse unë si dinak i regjur dhe ju si fshatarë hallexhinj që e njohim mirë gjuhën e njëri-tjetrit, vërsuluni të gjithë zaptoni periferitë e qyteteve. Bëni zullume sa të doni. Vetëm besomëni dhe votomëni mua dhe të mitë, se prej jush kaq më duhet mua për momentin". Sa djallëzor! Por edhe sa trashanik përderisa beson se me gudulisje të tilla mund ta ketë simpatinë e fshatarëve që po ndërtojnë vila dhe po blejnë traktorë dhe hiç s'u shkon mendja te propaganda e tij.
Korrupsioni është një sëmundje e rëndë...
Ç'zbulim i madh! Hera e parë që po e dëgjojmë. Faleminderit që na e the ti atë që e vuajmë ne që po të mos na e kishe thënë ti nuk do ta kishim mësuar kurrë. Po pra po, Kryeministër. Por sëmundjet nuk nisin kot pa asnjë shkak. Njeriu, për shembull, "sëmuret rëndë" kur punon shumë, paguhet pak, ka halle shumë, merr pension të vogël, ha pak, vishet keq, etj., etj. Po fillesat e kësaj sëmundjes së rëndë që u quaka korrupsion, a s'na thua cilat janë? A ke ndonjë çik gisht ti personalisht dhe qeveria jote në këtë sëmundje? Pse Kryeministër, pse e nis nga sëmundja dhe jo nga shkaku? Se je dhe mjek!
Një armik i ligë që vetëm së bashku mund dhe po e luftojmë...
Aha, kështu pra fol. Nxirre pra kokën. Qaje pra hallin. Domethënë mundkemi dhe po e luftokemi së bashku. Po pse ta luftojmë "së bashku" atë që nuk rëndon aspak mbi ty por e tëra mbi ne? Sepse vetëm nuk mundesh?! Si ta luftokemi "së bashku"? Ti në qeveri ne në hallet tona? Ti me mega-korrupsionin ne me mega-hallet?
Me ndihmën tuaj kemi vendosur para ligjit mbi 100 zyrtarë të korruptuar...
Nuk e thua, por është e qartë se "me ndihmën tuaj" ke pasur parasysh "me ndihmën e spiunllëkut tuaj". Insistimi yt për t'i zhytur shqiptarët në spiunllëk është një gjë aq e turpshme, sa nuk vlen as të zgjatesh. "Kemi vendosur para ligjit" është edhe kjo një lajthitje aq e madhe sa të lë pa frymë. Ta kemi thënë me mijëra herë; nuk je ti që vendos para ligjit, është Drejtësia. Detyra jote, si e të gjithë të tjerëve është ligjet t'i zbatosh. Kur do ta marrësh vesh këtë o burr' i dheut? 100 zyrtarë? Kryeministër! Numrin e zyrtarëve që kërkojnë ryshfet e kemi qindra herë më të madh se 100, pra tmerrësisht të madh. Ata 100 që i paske zbuluar përmes spiunllëkut nuk janë asgjë. Madje ka shumë mundësi që për ata 100-ët spiunët t'i kesh caktuar apo shpikur ti. Korrupsioni nuk luftohet duke zënë në çark funksionarë të vegjël burokratë, por duke krijuar një sistem funksionues për të gjithë. Ose ndoshta nise nga ministrat e tu pa imunitet, ata që akuzohen për vjedhje milionash e hedhje në erë fshatrash.
Kemi kursyer mbi 2.2 miliardë dollarë në tatime e dogana;
Këto kursimet spote ke ndërmend t'i bësh?!
Mbi 280 milionë dollarë në prokurime publike, mbi 250 milionë të tjera për shpenzimet e qeverisë...
Këtë s'ta beson as Ridvan Bode.
Po të shikojmë ku ishim kemi bërë shumë...
Si ta shikojmë? Ku të shikojmë. Çfarë të shikojmë? Sa shumë kemi bërë? Ta zemë se pamë dhe dëgjuam. Nga ato që pamë dhe dëgjuam më i famshmi është Gërdeci. Për Gërdecin thua "kemi bërë shumë"?! Ta them unë sa kemi bërë; Kemi bërë aq shumë sa, një herë mbi, tjetrën herë nën, Kamerunit nuk po i shqitemi.
Por së bashku kemi ende shumë për të bërë...
Pra, duke të votuar përsëri ty më 2009-ën, që ti me nepotistat e tu të vazhdosh të vjedhësh, dhe ne të tjerët të vazhdojmë të spiunojmë, jo peshqit e mëdhenj si ti, as balenat rrotull teje, por cironkat e vogla, dhe urraaaaaaaa e luftuam korrupsionin.
Sepse sërish ka zyrtarë që për një shërbim që ju takon me ligj ju kërkojnë para në dorë. Ata, duke shfrytëzuar postin, fusin dorën në xhepat tuaj...
Sa bukur i njifke gjirizat e korrupsionit. Veçse ky ishte një paragraf me karakter aq përgjithësues sa nuk shpreh asgjë. Sepse zyrtarë që të kërkojnë para në dorë për një shërbim nuk ka vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Sidoqoftë faleminderit edhe për këtë sqarim primitiv përmes të cilit qartësove edhe një herë rolin tënd.
Ju grabisin kursimet tuaja por edhe dinjitetin...
Jepi kryeministër jepi me moralizma që s'ka asnjë budalla të t'i besojë.
Në çdo shoqëri të qytetëruar ky quhet krim dhe vetëm krim...
Jo more! Grabitja e kursimeve dhe dinjitetit u quajtka krim?! Ne kemi kujtuar se quhet nder, meritë, aftësi, talent, zotësi.
Një gjyqtar apo prokuror që ju kërkon para për të dhënë një vendim ligjor bën një krim të rëndë...
Jo mor jo, nuk është aspak kështu. Edhe gjirizat nuk i ditke mirë. Për ta zgjidhur padrejtësinë nuk është as gjyqtari as prokurori që kërkon para, sepse prokurori dhe gjyqtari nuk i njohin dhe as munden t'i njohin fare hallexhinjtë që janë me qindra mijëra. Janë hallexhinjtë ata që secili për hesap të vet shkojnë i gjejnë e u japin para gjyqtarit dhe prokurorit. E kuptove pra sa e ngatërruar është? Domethënë sa e ke ngatërruar këtë punë ti i pari, që ke të paktën dhjetë vite që bën pushtet?
Punonjësi i hipotekës apo kthimit të pronave që u kërkon para për të zbatuar një vendim bën një krim të shëmtuar...
Po. Po, sidomos ai i yti që ia kthen të njëjtën tokë 6 pronarëve, me vulë me të tëra!
Mjeku që u kërkon para për një shërbim nxin bluzën e tij të bardhë dhe misionin e tij fisnik...
Posi, posi, sidomos ata drejtorët e spitaleve të partive të vogla të aleancave të mëdha!
Punonjësi i tatimeve, doganave, policisë që u kërkon para për të shmangur një gjobë është thjesht një hajdut...
Po kush i dërgon këta në ato vende pune a s'më thua?!
Mos u paguani asnjë ryshfet këtyre gjobëvënësve...
Po, por si thua ti, të mos marrim kurrë ndihmë mjekësore, të mos shërohemi kurrë, të mos mbarojmë asnjë punë në hipotekë?
Duke paguar ryshfet ju ushqeni krimin, forcën e pushtetit të tij...
Domethënë ty dhe hordhinë e hajdutëve me të cilët ke rrethuar veten.
Mos paguani para në dorë se në këtë mënyrë ju përlyeni keq veten, familjen dhe shoqërinë...
Po, por duke përlyer veten dhe familjen tonë të pastrojmë ty dhe familjen tënde.
Ryshfeti mund të luftohet me sukses, ai madje zhduket, por vetëm me pjesëmarrjen, forcën, guximin e moralit tuaj...
Kryeministër, zhdukja e ryshfetit dhe korrupsionit nuk janë gjëra të mundura në këtë planet. Paksimi i tyre po. Veç aman mos ngatërro të tjerët në detyra që janë veçse të tuat.
Zyrtarë që u kërkojnë ryshfet meritojnë ndëshkim dhe vetëm ndëshkim...
Jepua pra ndëshkimin. Kush po të pengon?! Ç'pret?!
Denonconi me guxim dhe fakte pranë autoriteteve çdo zyrtar që u pret gjoba për të drejta apo shërbime që u takojnë...
Pranë cilëve autoritete të denoncojmë? Janë të gjitha të korruptuara. Ah jo, këtë nuk do ta bëjmë. Dhe ti e di fort mirë se shumica e shqiptarëve nuk janë vetëm ryshfetdhënës, por edhe ryshfetmarrës. Sepse po dhe' një herë ryshfet, mezi pret herën tjetër të marrësh. Mos bëj sikur s'kupton.
Numri im i telefonit është 0692099410...
Shqiptarët nuk do ta bëjnë kurrë. Ti e di fort mirë pse. Por edhe sikur ta bënin, nuk do mjaftonte memoria e të gjithë celularëve të botës për të marrë mesazhet e korrupsionit të administratës që vet e ke emëruar për të vjedhur dhe vet hiqesh sikur do ta pastrosh nga hajdutllëku.
Dhe është gjithnjë i hapur për mesazhet tuaja....
Deshe të thuash "për spiunllëkun tuaj".
Le të sillemi si njerëz të qytetëruar për të patur shoqërinë ë lirë që meritojmë...
Po, por pa ty!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›