Biberaj: Mbështes Mustafajn për PD e Tiranës
I përfolur si një prej kandidatëve për kryetar të degës së PD-së së Tiranës, Aleksandër Biberaj, deputet i kësaj partie, bëri të ditur dje se do të mbështesë Besnik Mustafajn në këtë garë. Nëpërmjet një njoftimi të zyrës së tij të shtypit, Biberaj vlerëson aktivitetin politik të Mustafajt, duke e konsideruar kandidaturën e tij si dinjitoze. "Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, njëkohësisht deputet i PD-së, Aleksandër Biberaj, shpreh mbështetjen e tij ndaj kandidaturës së Besnik Mustafajit për kreun e PD-së së Tiranës. Biberaj vlerëson aktivitetin politik të Mustafajit që nga krijimi i PDSH-së e deri më sot, sidomos në kryeqytet, konkretizuar kjo edhe me zgjedhjen e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë disa herë si deputet i Tiranës", bëri të ditur dje zyra e shtypit e deputetit demokrat. Në njoftim bëhet e ditur më tej se, "Biberaj e konsideron kandidaturën e Mustafajit si një kandidaturë dinjitoze, me autoritet dhe reputacion për drejtimin e demokratëve të Tiranës, me qëllim fitoren e një mandati të dytë qeverisës nga ana e PD-së dhe e së djathtës. Vetë formimi intelektual dhe qytetar i Mustafajit, si dhe karriera e tij e suksesshme politike dhe diplomatike, janë garancia më e mirë për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të demokratëve të Tiranës". Tri ditë më parë, deputeti i PD-së në një nga zonat e kryeqytetit shpalli kandidaturën për kryetar të kësaj partie në degën e Tiranës, ndërkohë që deri tani ende nuk është zyrtarizuar asnjë kandidaturë tjetër në këtë garë.