E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për Prokurorinë, Braho: PS të mos bëjë pazar me Qeverinë

 

Lëvizja Socialiste për Integrim harton një draft të saj për funksionimin e Prokurorisë. Projektligji është bërë prezent dje në një konferencë për shtyp nga ana e deputetit të LSI-së, juristit, Spartak Braho, i cili bëri të ditur se ekspertët e partisë së tij e kanë përfunduar atë. "Do t'i niset organeve të interesuara, si Presidencës, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit të Shqipërisë, Shoqatës së Prokurorëve, EURALIUS-it, ambasadës të SHBA-së", deklaroi dje Braho. Ai theksoi se, "ky ekzekutiv nuk ka më të drejtë morale të hartojë dhe të paraqesë ligjin "Për Prokurorinë", pasi ka konflikt interesash sa kohë që 3 apo 4 ministra të kabinetit "Berisha" dhe dhjetëra funksionarë të tjerë të piramidës shtetërore, janë nën hetim nga organi i Prokurorisë". LSI-ja edhe njëherë tërheq vëmendjen dhe denoncon këto synime të mbrapshta dhe tentativa të maxhorancës, duke theksuar se vendit i duhet një Prokurori e fortë, e pavarur tërësisht, me integritet dhe efikase në luftën kundër krimit. Për Brahon drafti ilegal i Ministrisë së Drejtësisë i qarkulluar nën dorë shkel parimet bazë të organit të Prokurorisë si pavarësinë, funksionet bazë të saj; nëpërkëmb dhe dobëson këtë organ duke synuar ta kthejë në një vegël të qeverisë. "Qëllimisht kjo ministri nuk ka marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtjet e organizmave ndërkombëtare si EURALIUS, OBDAT, për çështjet themelore të ligjit duke i shmangur ato. Qëllimisht kjo ministri ka punuar në fshehtësi duke shmangur gjithë faktorët e interesuar, i ka munguar transparenca aq sa sot e kësaj dite Prokuroria e Përgjithshme nuk ka projekt zyrtar", deklaroi deputeti i LSI-së. Sipas tij, nuk mund të pranohet ideja dhe synimi i Ministrisë së Drejtësisë për të rritur ndikimin direkt të saj, në strukturën e Këshillit të Prokurorisë, si dhe të eliminohet prezenca aktive e përfaqësuesit të Presidentit. "Ne i drejtohemi gjithë faktorit politik dhe në mënyrë të veçantë grupit të PS-së, që të mos bëhet pjesë e pazareve, por të bëhet pjesë e synimit të ruajtjes së pavarësisë së Prokurorisë, forcimit të integritetit dhe efikasitetit të saj në luftën kundër krimit gjatë hartimit dhe miratimit të ligjit për Prokurorinë", theksoi Braho.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›