Zjarr në kodër, digjet një shtëpi
DURRES - Digjen sërish kodrat e Spitallës në Durrës. Kodrat e qytetit bregdetar janë përfshirë nga flakët masive mesditën e së dielës. Në fillim flakët janë konstatuar në lagjen numër 15 (Spitallë) dhe në kodrat pranë Repartit të Marinës, ku janë djegur me dhjetëra hektarë sipërfaqe tokë me shkurre dhe vreshta. Më pas, të ndihmuara nga era, flakët kanë përfshirë një lagje në Kodër-Vilë, ku janë rrezikuar mbi 500 shtëpi. Në të dyja rastet zjarrfikësja ka mbërritur rreth një orë me vonesë në vendngjarje për shkak të terrenit të thyer kodrinor dhe mungesës së ujit. Banorët të tmerruar kanë ndërhyrë për shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore, por shpejtësia e flakëve ka qenë tepër e madhe dhe për pasojë është djegur një shtëpi. Por nuk kane qenë vetëm flakët tmerri i banorëve, por dhe plasja e municioneve luftarake, ku për pasojë është lënduar një fëmijë, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e shkakut të zjarrit. Në orët e pasdites flakët janë vënë nën kontroll. o.u