E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali i Korçës kthehet në hotel, asnjë ilaç pacientëve

Prej dy muajsh spitali i Korçës po përballet me mungesën totale të medikamenteve mjekësore. 

KORÇE / JORGJETA GJANÇI

Kjo ka bërë që si i vetmi "shpëtim" për pacientët të mbesin farmacitë dhe laboratorët e analizave privatë të qytetit ku fatura financiare është e lartë.
Listës së mungesave në këtë spital përveç barnave i shtohet edhe ajo e reagentëve laboratorikë, si edhe ajo e shiringave të cilat duhet të blihen gjithashtu në sektorin privat. Nëndrejtori i qendrës spitalore, Ilir Koroveshi, ka bërë të ditur se prej kohësh spitali i Korçës ka firmosur kontratat për të gjitha medikamentet e materialet ndihmëse që nevojiten gjatë kryerjes së funksionit të tij në kurim të njerëzve, por ato nuk kanë mbërritur ende. Sipas tij, spitali është në pritje të organizimit të tenderit nga Ministria e Shëndetësisë për blerjen e medikamenteve, reagentëve dhe materialeve të ndryshme. "Para 10 ditësh janë firmosur të gjitha kontratat dhe ne presim që brenda një kohe sa më të shkurtër të na vijnë furnizimet që kemi kërkuar. Kemi sinjale se shumë shpejt kjo situatë e vështirë që është krijuar do të zgjidhet, mbasi janë duke u kryer tenderët në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne si qendër spitalore kemi nënshkruar 15 kontrata me firmat farmaceutike. Pas përfundimit të tenderëve mendoj se do të zgjidhet përfundimisht problemi", u shpreh Koroveshi. Ndërkohë burime pranë qendrës spitalore të Korçës kanë bërë të ditur se, fondet për blerjen e medikamenteve shëndetësore, reagentëve dhe materialeve të tjera ndihmëse janë planifikuar nga qeveria, por kanë qenë zvarritjet burokratike në këtë dikaster që kanë zvarritur tenderët me ndërmarrjet farmaceutike dhe me ndërmarrjet e furnizimit. Situata e krijuar i ka rënduar jo pak xhepat e pacientëve apo të familjarëve të tyre, të cilët janë të detyruar që t'i blejnë barnat nëpër farmacitë private e më pas t'i sjellin në spital. Mungesa e reagentëve në laboratorin e spitalit ka sjellë edhe pamundësinë e kryerjes së një sërë analizash laboratorike, të cilat janë të domosdoshme për diagnostikimin e të sëmurëve. Ndërkohë që situata është krejtësisht e kundërt në farmacitë private ku nuk ndihet mungesa e barnave mjekësore. Madje, një pjesë e mirë, ato që ndodhen pranë qendrës spitalore ofrojnë shërbim edhe gjatë orëve të natës. Sipas pacientëve, situata e krijuar ka lënë edhe vend për abuzime nga ana e stafit mjekësor. Ata pohojnë që disa mjekë kanë krijuar "aleanca të frytshme" me pronarët e farmacive, ku edhe i drejtojnë më pas pacientët e tyre për të blerë medikamentet që u nevojiten. Gjithashtu pacientët dhe burime brenda spitalit kanë pohuar se, nuk kanë munguar rastet kur edhe për barna që gjendeshin në farmacinë e spitalit, nga mjekët rekomandohen e lëshohen receta për barna zëvendësuese që gjenden në farmacitë private.

Fier, alarm për ilaçet

FIER - Mjekët e spitalit të Fierit i kërkojnë Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa pasi kanë mungesa të theksuara të medikamenteve, deri edhe tek ato më elementaret. Situata është kaotike, ndërsa kërkesat e pacientëve janë të shumta. Ata ankohen se janë të detyruar të blejnë deri edhe paracetamolin, duke mos llogaritur ilaçet e tjera të cilat nuk gjenden në spital. Mjekët e reparteve të ndryshme pranojnë se gjendja është alarmante, por sipas tyre, deri në çeljen e fondeve nga ana e dikasterit përkatës, situata do të vijojë të jetë e njëjtë. Që në hyrje të spitalit të Fierit, aty ku bëhen grafitë, prej një muaji e gjysmë nuk janë siguruar filmat polmonar. Ndërkohë mungojnë shumë medikamente për zemrën, për të sëmurët talasemikë, si dhe për shumë të tjerë që u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale.          m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›