E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kthimi i trurit”, mbështesim 20 pozicione në administratë

Përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Gülden Türköz-Cosslett, në një intervistë për gazetën "Panorama" shprehet entuziaste për mbështetjen që kjo agjenci po i jep përpjekjes për "kthimin e trurit" në atdhe. 

Aristir Lumezi

Sipas saj, PNUD-i po mbështet qeverinë shqiptare për 20 pozicione të larta në administratën shtetërore dhe 100 pozicione të tjera në institucione akademiko-shkencore për të gjithë ata që janë diplomuar jashtë shtetit. Por projektet e PNUD-it nuk ndalojnë këtu; programi "Një OKB" mbështet të gjitha objektivat integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pa lënë pas dore dhe çështje të tilla si barazia gjinore, minoritetet, bashkëjetesa fetare, rritja e peshës së shoqërisë civile në jetën e vendit etj.
Si po e ndihmon programi "Një OKB" Shqipërinë në proceset e saj integruese drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian?
Programi "Një OKB" u krijua për të adresuar prioritetet kombëtare shqiptare dhe objektivat e integrimit në Bashkimin Evropian dhe udhëhiqet nga platforma të rëndësishme kombëtare si Marrëveshja për Stabilizim-Asocim dhe Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Do të doja të përmendja disa fusha specifike në të cilat OKB-ja punon në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE:
- Zhvillimi Rajonal, ku do të mbështetet qeveria në ngritjen e strukturës institucionale dhe marrjen e masave menaxhuese për thithjen dhe zbatimin e fondeve strukturore dhe kohësive të Bashkimit Europian.
- Reduktimi i informalitetit në fushën e biznesit dhe pronësisë që çon në rritjen e taksës së sheshtë dhe rritjen e investimeve të huaja direkte në vend.
- Rritja e aftësisë menaxhuese të mjedisit në përputhje me udhëzimet e BE-së për pakësimin e ndotjes, kërcënimeve mjedisore, rritjen e prodhimit të energjisë dhe investimeve në teknologji të pastra.
- Mbështetja e përpjekjeve kombëtare për përfshirjen sociale dhe  rritjen e aftësive për të siguruar shërbime shëndetësore cilësore, shkollim dhe shërbime sociale, veçanërisht për grupet e përjashtuara.
- Ngritja e kapaciteteve institucionale dhe mirëqeverisja.
- Zhvillimin e shoqërisë civile. 
Cilat janë efektet konkrete që sjell program "Një OKB"?
Mendoj se ky program sjell shumë përfitime për popullin shqiptar, për qeverinë shqiptare dhe për partnerët tanë ndërkombëtarë gjithashtu. Nëpërmjet këtij programi, Shqipëria përfiton dhe merr asistencë nga një sistem i OKB-së, i cili është më koheziv dhe punon më me efektivitet, ku pikat e forta, kapacitetet dhe ekspertiza e organizatës bashkohen dhe vihen në shërbim të kërkesave dhe prioritetet kombëtare. Qeveria shqiptare ka rolin kryesor në përcaktimin e fushave të mbështetjes që mund t'i japë OKB-ja dhe në menaxhimin e asistencës së huaj në përputhje me prioritetet kombëtare të saj. Eshtë e rëndësishme për t'u theksuar që shpërndarja e fondeve për programet e OKB-së bëhet në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe përputhet plotësisht me prioritete e saj. Siç e përmenda pak më parë, ky program ka bërë që OKB-ja të jetë më e mirëkordinuar. Do t'ju jap një shembull; më parë kishim 4-5 agjenci të OKB-së që punonin në mënyrë individuale në fushën e barazisë gjinore. Tashmë, nëpërmjet programit "Një OKB" në kemi arritur të kemi programin e parë të përbashkët në Shqipëri për barazinë gjinore, një program shumë i fokusuar dhe në përputhje të plotë me prioritetet e qeverisë shqiptare, duke shmangur në këtë mënyrë mbivendosjen e ndihmës së huaj dhe duke rritur impaktin e kësaj ndërhyrjeje.
Cilët janë donatorët, të cilët mbështesin programin "Një OKB"?    
Ky reformim i sistemit të OKB-së nëpërmjet programit "Një OKB", gjithashtu kërkon ndryshime në mënyrën se si operojnë donatorët  në vend. P.sh., nëpërmjet këtij program të ri, donatorët inkurajohen të kontribuojnë në një fond të përbashkët "të paparacaktuar" për të lejuar që puna e OKB-së në vend të jetë e parashikueshme dhe strategjike. Donatorët të cilët po mbështesin programin janë: Spanja, Zvicra, Austria, Norvegjia dhe së shpejti dhe Holanda. Programi "Një OKB" ka një vlerë prej 75 milionë USD për periudhën 2007-2010. OKB-ja po punon me partnerët tanë ndërkombëtare të sigurojë boshllëkun financiar.
Ju po punoni fort për përmirësimin e barazisë gjinore. Si e shikoni rolin e gruas në Shqipëri dhe përse kemi një përfaqësim kaq të ulët të saj në jetën politike dhe sociale?
Në muajin korrik, Parlamenti miratoi legjislacionin e barazisë gjinore përgatitur nga qeveria me mbështetjen e PNUD-it dhe OSBE-së. Ky ligj shënon një përmirësim të dukshëm në tërë kuadrin ligjor në promovimin e barazisë gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në Shqipëri. Programi i përbashkët i OKB-së mbi barazinë gjinorë është firmosur rishtazi nga qeveria shqiptare dhe agjencitë pjesëmarrëse të OKB-së (UNIFEM, UNDP, UNFPA, UNICEF). Në këtë program, ne do të punojmë në partneritet të ngushtë me qeverinë në nivel kombëtar dhe lokal, me shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare në mbështetje të zbatimit të ligjit të ri të miratuar. Katër fushat që do të mbështeten janë: i) Forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi barazinë gjinore; ii) Rritja e pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje; iii) Përmirësimi i situatës së grave në rrezik përmes rritjes së aksesit të tyre ndaj shërbimeve shoqërore cilësore; dhe iv) Eliminimi i dhunës në familje. Mendoj që ky është një program shumë interesant me vlerë 3.7 milionë USD.
Si po ndihmon OKB-ja për të avancuar të drejtat e njeriut në Shqipëri?
Ky vit shënon dhe 60-vjetorin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut. OKB-ja ka punuar në Shqipëri duke pasur në themel të punës së saj të drejtat e njeriut, duke u përqendruar në promovimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendime që ndikojnë në jetën e tyre. Puna e OKB-së për të drejtat e njeriut në Shqipëri përqendrohet në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me pabarazinë dhe përjashtimin, të drejtat e romëve dhe fëmijëve, në  mbështetje të rritjes së tregut të punës, në adresimin e situatave jo të favorshme në edukim dhe trajnim, në eliminimin e varfërisë së fëmijëve, përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve cilësore. Gjithë puna jonë në këtë fushë mbështet politikën kombëtare për përfshirjen sociale në përputhje me strategjinë e BE-së në këtë fushë. 
PNUD-i po mbështet qeverinë në nismën e saj "Brain Gain", ose kthimi i trurit. Jeni të kënaqur me rezultatet e deritanishme?  
"Brain Gain" ose rikthimi i trurit është nismë e qeverisë shqiptare mbështetur nga PNUD-i, në të cilën inkurajohet diaspora shqiptare të kontribuojë në zhvillimin e vendit të saj dhe në të njëjtën kohë të mbushë dhe boshllëqet prioritare në fushën e kapaciteteve. Duke u mbështetur tek një kontingjent studentësh të diplomuar jashtë vendit, ky program mbështet kthimin e kapitalit intelektual përmes stimujve dhe përkushtimit për mbajtjen të sapoardhurve në akademi dhe sektorin publik. Këtë vit programi do mbështesë 20 pozicione drejtuese në administratën publike dhe mbi 100 pozicione në institucione akademiko-shkencore. Disa nga këto pozicione janë afatgjata dhe të tjerat afatshkurtra. Ne kemi shtruar themelet dhe shpresojmë së shpejti të arrijmë rezultate të kënaqshme.
Cilat janë dy nga fushat e ndërhyrjes që do të veçonit?
UNDP-ja dhe agjencitë e tjera të OKB-së kanë nisur disa projekte interesante dhe do të desha të përmendja dy fusha:
Programin e përbashkët të OKB-së të udhëhequr nga UNESCO dhe PNUD, i cili synon të promovojë dhe të ruajë trashëgiminë kulturore shqiptare. E financuar nga qeveria e Spanjës ky program bashkëpunon me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Punëve të Jashtme; pushtetin lokal OJF-të dhe sektorin privat për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe rolin në rritje që kjo mund të ketë në zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë. Kultura është një fushë e rëndësishme për të promovuar zhvillim ekonomik. Një ndërhyrje mjaft e rëndësishme do të jetë rehabilitimi i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Një tjetër komponent do jetë dhe mbështetja për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Aleancën e Qytetërimeve sepse kam bindjen se Shqipëria është shembulli për harmoninë fetare, gjë që mund t'ia demonstroj botës dhe mund ta përdor për të përmirësuar imazhin e saj në botë. Shqipëria në fakt përbën një model të harmonisë fetare. Në përgjigje të kërkesës së qeverisë shqiptare, Organizata e Kombeve të Bashkuara  e ka rritur mbështetjen e saj në fushën e mjedisit dhe veçanërisht në atë të mjedisit global siç është fusha e ndryshimeve klimatike. Megjithëse Shqipëria ka një kontribut tepër modest në shkarkimet e gazeve serë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe globit (Kontribut për frymë) ndikimi i ndryshimeve të klimës edhe në Shqipëri është i ndjeshëm.
Shqipëria është nismëtare e shumë iniciativave, të cilat promovojnë tregun e energjive të rinovueshme, tregun e karbonit, marrjen e masave adoptuese ndaj ndryshimeve të klimës. Shqipëria ka krijuar gjithashtu terrenin e favorshëm për të marrë pjesë në transaksionet e shitjes së karbonit nga ku do të shkëmbejë kreditet e karbonit kundrejt investimeve që mund të bëhen në sektorin e energjisë.

Kush është Gülden Türköz-Cosslett

Gülden Türköz-Cosslett është përfaqësuesja e përhershme e PNUD-it në Shqipëri. Ajo mori detyrën e saj të re si përfaqësuese e përhershme e PNUD-it dhe Koordinatore e Përhershme e KB-së në tetor 2005. Funksioni përfaqësues i përhershëm është përfaqësuesi i administratorit të PNUD-it në nivel vendor, si edhe drejtuesi i zyrës vendore. Përfaqësuesi i përhershëm është përgjegjës për cilësinë dhe qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve të PNUD-it, duke përfshirë politikat dhe procedurat e ndjekura. Përpara emërimit të saj në Shqipëri, Znj. Türköz-Cosslett ka punuar si menaxhere e lartë programi dhe drejtuese ekipi për Azinë Qendrore pranë zyrës rajonale për Evropën dhe bashkësinë e vendeve të pavarura të PNUD në Nju Jork, etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›