E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Pensionet dyfishohen në 2009

Kryeministri Sali Berisha fton kundërshtarin e tij politik, Edi Rama për të parë nga afër, siç e quajti ai, ndryshimet që po ndodhin në infrastrukturë në të gjitha zonat e vendit. 

ADI SHKEMBI

Kreu i qeverisë ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme turin "Shqipëria po ndryshon" me një sërë përurimesh në rrugë, ujësjellës, kanalizime e shkolla në rrethin e Korçës. Duke folur gjatë qëndrimit në Vithkuq, kreu i qeverisë i bëri thirrje liderit të opozitës që të shohë nga afër ndryshimin në këtë zonë. "E ftoj kryetarin e PS të vijë në Vithkuq, jo për të shpërndarë enciklika, jo për të recituar enciklika, por të vijë e të shohë se si punohet këtu, si e ndërtojnë jetën këta qytetarë, sepse këta qytetarë mendojë për rrugët, nuk kanë nevojë për fjalë, kanë nevojë për ujësjellës, nuk kanë nevojë për retorikë, kanë nevojë për kanalizime, nuk kanë nevojë për slogane, kanë nevojë për shkolla moderne, që të vazhdojnë të investojnë për fshatin e tyre", u shpreh Kryeministri Berisha. Gjatë takimeve në rrethin e Korçës, kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu dyfishimin e pensioneve të fshatit vitin e ardhshëm, ndërkohë që bëri të ditur se eksportet janë rritur. "Këtë vit ju keni shitur në tregjet shqiptare me çmime më të larta se asnjëherë më parë. Kjo, sepse ka një qeveri që mendon për prodhimet tuaja, për grurin tuaj, pra për çdo prodhim. Sapo ne erdhëm në pushtet punuam për të mbajtur premtimin për të dyfishuar pensionet në fshat dhe ne po e bëjmë atë dhe vitin e ardhshëm do ta tejkalojmë", theksoi më tej Berisha. Në fund të vizitës Berisha bëri edhe një paralelizëm mes poemës së shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli "Devoll, Devoll" dhe infrastrukturës së rrënuar në këtë zonë. "Ne jemi shumë të ndjeshëm ndaj halleve dhe derteve tuaja. Para se të vizitoja Devollin, kisha lexuar poemën e Dritëro Agollit 'Devoll, Devoll' dhe më kishin bërë shumë përshtypje rreshtat kushtuar baltës së Devollit. Kur erdha këtu, e kuptova përse poeti ishte frymëzuar dhe i shkruante kaq shumë kësaj balte, por, njëkohësisht, u zotova të bëj çdo përpjekje për ta nxjerrë Devollin nga balta dhe ju jap fjalën për këtë", theksoi më tej kreu i qeverisë. Gjatë ditës së djeshme, Berisha inauguroi përfundimin e rikonstruksionit të disa shkollave të reja si shkolla 9-vjeçare në fshatin Bllacë; rikonstruksioni i shkollës së mesme në komunën Pirg; përfundimi i shkollës 9-vjeçare në fshatin Tren si dhe inspektoi punimet për rikonstruksionin e shkollës së mesme të Progërit, që përkon edhe me 100-vjetorin e krijimit të saj. Gjithashtu, Kryeministri inauguroi përfundimin e disa investimeve infrastrukturore, si inaugurimi i segmentit rruga nacionale-deri në qendër të Vithkuqit; inaugurimi i rrugës së spitalit në Bilisht; inaugurimi i rrugës që lidh Vishocicën me rrugën kombëtare; inaugurimi i rrugës që lidh Sulin me rrugën kombëtare; inaugurimi i investimit për frigoriferin e prodhimeve bujqësore, me kapacitet të madh, në Bulgarec inaugurimi i sistemit të vaditjes dhe kullimit të Devollit të Sipërme, në fshatin Ponçar.

PS: Berisha të indeksojë pensionet

Partia Socialiste i kërkoi dje Kryeministrit Berisha që të indeksojë pensionet, pasi sipas saj është detyrim ligjor. Duke folur në një konferencë për shtyp, nënsekretari për programin në Partinë Socialiste, Ilir Beqja tha dje se, "kryeministri deklaroi se do të rrisë pensionet në datë 1 maj dhe u përpoq ta shesë këtë si risi të tij. I kujtojmë kryeministrit se ka detyrim ligjor të indeksojë pensionet çdo datë 1 maj. Zbatimi i këtij detyrimi në maj 2009, nuk ia lan gjynahet që i ka pensionistëve për moszbatim të indeksimit çdo datë 1 maj për 3 vjet rresht". Sipas Beqës, "rritja 10 dhe 20% e pensioneve vitin e ardhshëm, konfirmon atë që kemi thënë që kur e premtoi, por edhe në mënyrë të përsëritur, se dyfishimi i pensioneve ishte një gënjeshtër e madhe dhe se do të mbetet një gënjeshtër e madhe". "Është gënjeshtër e madhe, sepse nuk do të ketë dyfishim për 320 mijë pensionistë pleqërie dhe këta janë ¾ e numrit të pensionistëve të pleqërisë. Është gënjeshtër skandaloze për të gjithë 280 mijë pensionistët (65% e totalit të pensionisteve të pleqërisë) në qytet, për të cilët Kryeministri Berisha nuk mban as gjysmën e premtimit të tij", tha më tej Beqja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›