E Diel, 1 Nëntor 2026

STANDARDIZIMI GJUHESOR

Herë pas here, nëpër hapësirat e ndryshme
mediatike, brenda dhe jashtë kufijve të
vendit, çështja e standardizimit të gjuhës
shqipe është shfaqur temë debatesh dhe
diskutimesh, të cilat, për fat të keq, në të shumtën
e herëve duhet thënë se kanë qenë të shoqëruara
nga hije patetizmi, pasionalizmi dhe subjektivizmi
individual, që shfaqet i përkundërt në kahje dhe
mendësi nga subjektivizmi transcendental, pasi
shpaloset krejt i paaftë që të projektojë një qëllim
"jashtë vetes"me mëtimin për të ngarendur drejt
"gjësendeve", në rastin tonë drejt gjuhës. Çfarë
do të thotë kjo? Të para hollë-hollë, debatet dhe
diskutimet në lidhje me çështjet dhe problemet
që lëvizin pas dukurisë së standardizimit të gjuhës
janë nisur nga, dhe janë mbështetur kryesisht mbi
një sërë parametrash dhe kriteresh jashtëgjuhësore,
të cilat nuk lidhen drejtpërsëdrejti me natyrën,
thelbin, funksionin dhe shprehjen e vetë gjuhës,
por me një sërë acarimesh, tutjesh dhe reagimesh
në lidhje me pro-të dhe contra-t ndaj aksh apo
aksh ideologjie. Në fund të fundit, këto debate janë
përafruar ndjeshëm me debatet dhe diskutimet që
lidhen me çështjen e globalizmit të shumëfaqtë,
nga ai ekonomik, deri tek ai kulturor dhe zakonor.
Porse, le të mos nxitohemi, le të mos lemë shteg
për keqkuptime dhe përndezje të kota. Debatet dhe
diskutimet në lidhje me standardizimin gjuhësor
nuk vërehen vetëm nëpër hapësirat shqipfolëse,
dhe vetëm në lidhje me gjuhën shqipe, por edhe
në hapësirat e vendeve të tjera, duke u shoqëruar,
siç pritet, me qëndrime pro dhe contra, ku vlen
të sjellim në kujtesë rastin e vendeve baske. Fjala
është për debate që i brendashkruhen zhvillimeve
historike kryesisht të gjysmës së dytë të shekullit që
lamë pas, që përkon me kohën kur procesi i "standardizimit
gjuhësor" zuri vend në pjesën dërrmuese
të vendeve të globit në formën e vet të "shprehur",
pasi në formën e vet të "pashprehur", një dukuri e
tillë, që lidhet në thelb me "normatizimin", ka ekzistuar
edhe më parë. Ajo çka e bën të ndryshme këtë
dukuri nuk është përmbajtja, por shtrirja, përmasat
dhe shoqërizimet, "kripëpiperosjet" e kësaj dukurie
me "elementë" jashtëgjuhësorë. Çfarë do të thotë
kjo? I vështruar në thelbin dhe kahjen e vet, standardizimi
gjuhësor lidhet me "format gjuhësore" (që
nënkupton "përzgjedhje" dhe "kodifikim") dhe me
"funksionet" që luan gjuha në sferën e komunikimit
dhe të shoqërorizimit të folësve (që nënkupton
"përpunim" dhe "jetësim" të formave gjuhësore
të përzgjedhura nën dritën e këtyre funksioneve
të gjuhës). Ajo çka rrjedh prej gjithë sa pohuam,
i kapërcen paq caqet e një pohimi apo një teze të
vetme, për të na shpërhapur tek ide dhe tek teza të
trajtuara dhe shtjelluara gjerësisht dhe qartazi nga
lëvruesit e gjuhësisë dhe filozofë të gjuhës, apo që
u përqendruan edhe tek gjuha, -- që nga Wilhelm
Humboldt-i, Ferdinand De Saussure-i, Edward
Sapir-i e deri tek filozofët analitikë të Oksfordit, me
në krye Bertrand Russell-in, George Edward Moorein
dhe Ludwig Wittgenstein-in, te filozofët e gjuhës
së Rrethit të Vjenës, me në krye Moritz Schlick-un
dhe Rudolf Carnap-in, dhe te fenomenologjistët, me
në krye Edmund Husserl-in, Martin Heidegger-in,
për të mbërritur tek Jacques Derrida-ja.-- Së pari,
ajo çka rrjedh nga pohimi i mësipërm lidhet me vetë
natyrën e gjuhës; gjuha, fjalëzimi, artikulimi i tingujve
për të formuar fjalë që përcjellin kuptime, ide
dhe mesazhe, nuk është funksion biologjik (siç është
frymëmarrja, për shembull) që i brendashkruhet
natyrës njerëzore, aq më pak një funksion organik
dhe instinktiv, por është produkt, është "produkt"
shoqëror dhe, më pas, një funksion kulturor. Nëse
do të zeronim vatrën, kontekstin dhe marrëdhëniet
që njerëzit krijojnë gjatë vendosjes së tyre në shoqëri,
qenia njerëzore do të vijonte të kishte frymëmarrje,
por nuk do të fjaloste, domethënë, nuk do
të përdorte si mjet komunikimi dhe kontakti fjalën,
artikulimin e tingujve sipas një forme të caktuar, por
vetëm tinguj të paartikuluar, apo, shumë-shumë, ca
pasthirrma, ca klithje të zvargëta dhe, për më tepër,
nuk do ta përdorte bashkësinë e fjalëzimeve si mjet
për të përcjellë kuptime, ide, mesazhe të kodifikueshme
sipas një sistemi tradicional të një shoqërie të
veçantë. Gjuha, fjalëzimi është një kod, që fillimisht
lindi si një pakt shenjues arbitrar, ku fjalëzimi
i tingujve sipas një forme të caktuar mëtonte të
shenjonte, të mbarte dhe të materializonte mes
këtij procesi, gjësendet në tinguj; është një pakt
arbitrar që dora-dorës u pranua nga pjesëtarët e
përfshirë në pakt, që do të thotë shprehimisht se
u "normativizua", duke e shtrirë këtë në ato përmasa,
sa shpeshherë e harrojmë arbitraritetin që
mbart, i cili tashmë nuk bie aq fort ndjeshëm në
sy përpos se në përballjen e gjuhëve të ndryshme
me njëra-tjetrën, apo në përballjen e gjuhëve-ama
me gjuhët-bija, me syresh që janë mëvetësuar për
shkak të zhvillimeve diakronike dhe, për më tepër,
kanë njohur një shtrirje përtej kufijve të ngushtë
të "zonales", "provinciales", e kështu me radhë, siç
shfaqet rasti mes anglishtes amerikane dhe asaj
britanike, ku fjalët e Oscar Wilde-it tingëllojnë jo
pak domethënëse dhe mendimngacmuese, kur
pohon: "Tashmë amerikanët dhe britanikët janë
njëlloj në gjithçka. Natyrisht, duke përjashtuar
vetëm gjuhën." Dhe kjo vlen edhe për rastin mes
anglishtes britanike dhe asaj indiane, apo frengjishtes
frënge dhe asaj afrikane, e kështu me radhë,
ku gjuha e kolonizatorëve u asimilua dhe u përtyp
sipas "stomakut" dhe, mbi të gjitha, sipas aftësive
përthithëse dhe përvetësuese të "organizmit" të
gjuhës vendase. Prej këndejmi, vështrimi i gjuhës
si një pakt, si një sistem shenjues, si një sistem
fjalëzimesh, tingujsh të artikuluar sipas një forme të
caktuar, tregon qartazi se jo vetëm gjuha standarde,
por edhe varietetet e tjera gjuhësore, apo gjuhët "jostandarde",
udhëhiqen nga një sistem rregullash, pa
të cila është e pamundur që të arrihet kodifikimi.
Prej këndejmi, gjuha "standarde" nuk ndryshon nga
varietetet e tjera për shkak të "standardit"; nga ky
këndvështrim, që të dyja kanë "standardin" e vet,
që të dyja na shpalosin një proces përmes të cilit
gjuha është kodifikuar sipas një mënyre a tjetre, një
proces ky që pasqyrohet në zhvillimin dhe lëvrimin
e gramatikave, fjalorëve, madje, edhe të një letërsie,
në varësi të shtrirjes dhe zhvillimeve diakronike.
Kjo na tregon qartas se gjuha është një sistem
shenjues i shtrirë në histori, që do të thotë jo thjesht
se është një produkt historik, por edhe se ndikohet
mjaft ndjeshëm nga zhvillimet historike që zënë
vend në gjirin e shoqërisë. Ndikimet që pëson gjuha
nga zhvillimet historike pasqyrojnë bindshëm të qenit
e saj jo thjesht një dukuri socio-kulturore, por një
funksion socio-kulturor. Dhe pikërisht nën dritën
e këtij funksioni lipset vështruar edhe "standardizimi
gjuhësor"; gjuhët "standarde" janë projekte të
mirëfillta ligjërimore, dhe proceset e standardizimit
shoqërohen në mënyrë tipike nga zhvillimi i një sërë
praktikash ligjërimore të veçanta, të cilat mëtojnë jo
vetëm shtrirjen e kontaktit dhe të kuptimpërcjelljes
mes pjesëtarëve të bashkësisë, por edhe bashkimin
e tyre në një "unitet kombëtar". Kjo është arsyeja
se përse procesi i "standardizimit gjuhësor" nisi
me hove të dukshme kryesisht pas luftës së dytë
botërore, atëherë kur "uniteti kombëtar", i plasaritur
nga qëndrimet pro dhe contra luftës, apo pro dhe
contra kësaj apo asaj pale ndërluftuese, kërkohej më
tepër se kurrë për rimëkëmbjen e vendit nga dëmi
dhe rrënojat që solli lufta.
Gjuha "standarde", gjuha e kthyer në mjet kuptimpërcjellës
dhe kontakti me shtrirje mbarëkombëtare,
nuk ka në thelb përpos se format e përzgjedhura
fonetike, morfologjike dhe, deri diku, edhe
sintaksore, të dialekteve zonale apo shoqërore;
gjuha standarde është policentrike, jo monocentrike;
gjuha standarde është gjithëpërfshirëse,
jo izoluese dhe veçanore, i shërben nevojave të
mbarë shoqërisë, dhe jo vetëm nevojave të një
grupi të ngushtë; gjenetikisht, gjuha standarde ka
një "prejardhje të shumëfaqtë", ka një varg "etërish",
historia e saj është formësuar nga tipe dhe forma
të ndryshme të gjuhës së kontaktit. Në zhvillimet
historike të shekullit që lamë pas, standardizimi i
gjuhës tregoi se ishte i nevojshëm, më së pari, për
shkak se i krijonte mundësi gjuhës që të shërbente
si një model për të tërë pjesëtarët e bashkësisë që
përmes tij të lehtësonin mendimpërcjelljen dhe
ta shtrinin këtë përtej përmasave të ngushta të
"zonales", "provinciales" dhe "krahinores"; dhe,
përmes këtij modeli, përmes pasjes së një gjuhe
reciprokisht të kuptueshme e mendimpërcjellëse,
forcohej akoma edhe më tepër lidhja mes
pjesëtarëve të bashkësisë, përbashkimi i tyre në
një identitet gjuhësor dhe përfaqësues. Po ashtu,
standardizimi e lehtëson mjaft ndjeshëm gjuhën
si mjet arsimues. Kështu, për shembull, do të ishte
absurde që zonat dhe krahinat e ndryshme të një
vendi të përdornin si gjuhë arsimuese të folmen,
nëndialektin apo dialektin e zonës apo krahinës;
çdo të ndodhte me një njeri që arsimin nëntëvjeçar
e kryen në vendlindje, atë të mesëm në një krahinë
tjetër, dhe atë universitar në një krahinë tjetër, në
rast se gjuha me të cilën i përcillen dijet do të ishte
ajo nëndialektore apo dialektore?
Porse, deri këtu folëm vetëm për aspektet pozitive
të standardizimit gjuhësor; për fat të keq, standardizimi
i gjuhës haset edhe me një varg problemesh
të mprehta dhe, sidomos, me jo pak abuzime.
Standardizimi i gjuhës mund të shfrytëzohet për
arsye politike, ideologjike etj. Standardizimi është
policentrik, jo monocentrik; porse, ajo çka shfaqet
problematike është pa dyshim shkalla e përfaqësimit
të të folmeve, nëndialekteve dhe dialekteve
në këtë amalgamë të re, në këtë "njëshmësi në ndryshueshmëri".
Një e folme, një nëndialekt apo një
dialekt mund të ketë një shkallë përfaqësimi më të
madhe sesa tjetra, apo tjetra priret të ankohet se ka
një shkallë përfaqësimi të vogël, ndonëse mund të
jetë më e përfaqësuar sesa simotrat. Porse shkalla
e përfaqësimit mbetet një koncept i luhatshëm,
një parametër i lëvizshëm, larg "peshores" së "farmacistëve"
apo të "argjendarëve". Ajo çka mbetet e
prekshme është efekti, pasoja negative që mund të
vijnë nga mospërfaqësimi, nga ankesa apo kahja
sunduese e njërit apo tjetrit dialekt, nëndialekt, apo
të folme. Përzgjedhja në shkallë më të lartë e aksh
dialekti, nëndialekti a të folmeje ndaj të tjerëve,
krijon ndjesinë e një lloj elitarizmi, e një ndjesie superioriteti
tek të parët, dhe një ndjesie inferioriteti
tek folësit e varieteteve të tjera. Porse, ky rast, dhe
të tjerë që shfaqin natyrë të ngjashme, apo burim
të ngjashëm me të, nuk cenojnë në thelb nevojën
e standardizimit të gjuhës, janë çështje të natyrës
jashtëgjuhësore, mbështeten mbi parametra që
mund të rivështrohen dhe rishikohen. Siç shfaqet
i këtillë edhe rasti i rrezikut të tjetërsimit në një
shkallë që nuk mund të anashkalohet lehtë e të
folmeve, nëndialekteve dhe dialekteve nga hyrja
në jetë e gjuhës standarde, pasi e vërteta është se
standardizimi i gjuhës krijon jo pak firime jo vetëm
për një apo për dy, por për të tëra varietetet e përfshira
në këtë amalgamë. Porse, hollë-hollë, kjo
lidhet me thelbin e shoqërorizimit të njeriut; të mos
harrojmë se çdo njeri ka një idiolekt, një intuitë dhe
sjellje gjuhësore të mëvetësishme, e cila i përshtatet
më së pari, idiolekteve të tjerë, të folmeve të rrethit
familjar (bazolekti), dhe më pas atij krahinor dhe
mbarëkombëtar (sociolekti). Një mospërshtatje e
këtij idiolekti do të bllokonte ndjeshëm spiralen e
komunikimit të tij me të tjerët, duke penguar edhe
vetë krijimin e urave të kontaktit me tërë pjesëtarët e
vendit. Nga ky këndvështrim, pranimi apo mospranimi
i standardizimit gjuhësor varet nga shtrirja e
kontaktit që mëton vetë individi, ku gjithçka është
e ngjashme me rastin e një shkrimtari; në rast se një
shkrimtar mëton ta shtrijë mesazhin e tij deri tek
një audiencë krahinore, atëherë shkruan dhe lëviz
brenda kodit të kësaj audience, brenda përmasave
krahinore të këtij kodi; në rast se mëton t‘i drejtohet
një audience mbarëkombëtare, shkruan dhe lëviz
brenda përmasave kombëtare të këtij kodi; dhe
në rast se kërkon t‘i drejtohet një audience më të
gjerë, shkruan dhe lëviz brenda përmasave të një
kodi tjetër, të një kodi më të gjerë, siç shfaqet rasti
i Kundera-s, që nga çekishtja filloi të shkruante
në frëngjisht, apo i Kazantzakis-it, që një pjesë të
veprës e shkroi në frëngjisht dhe anglisht. Që do
të thotë shprehimisht se standardizimi jo vetëm
që nuk cenon, por i jep mundësinë njeriut që të
shprehet në një hapësirë shumë më të gjerë. Natyrisht,
duke marrë parasysh rrezikimin, përshtatjen
që kërkon kodi i hapësirës shoqërore të cilës mëton
t‘i drejtohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›