Sa e vështirë të gjesh emra për rrugë
Prishtina po përgatitet për të vendosur emra në 100 rrugë që nuk kanë identitet, por disa nga propozimet kanë shkaktuar debat.
Kur kryebashkiaku Isa Mustafa propozoi që një rruge ti vihet emri i manjatit të medias, Dritan Hoxha, që vdiq në vitin 2008 në një aksident rrugor, disa anëtarë të këshillit kundërshtuan.
Kryebashkiaku tha se Hoxha e meritonte një rrugë për shkak se kishte bashkuar shqiptarët në një media të vetme. Por anëtarët e këshillit kundërshtuan duke thënë se ai ishte i dyshimtë moralisht për shkak se vdiq me një grua në makinë, që mendohej se ishte dashnorja e tij.
Fehmi Rexhepi, që drejton komisionin e ngarkuar për të emërtuar rrugët, thotë se lista do jetë gati në shtator për tu miratuar.
Rexhepi, profesor historie në Universitetin e Prishtinës, thotë se një problem është mungesa e personaliteteve të njohura nga Kosova. 477 rrugët e tjera të qytetit i kanë përdorur shumicën e emrave të njohur.
Ai thotë se po kërkohet për emra të rinj shqiptarësh e kosovarësh të njohur ndërkombëtarisht. Rexhepi thotë se komisioni do të vihet nën presion politik.
Rrugët e Prishtinës kanë ndryshuar emrat disa herë në vitet e fundit.
Pasi Serbia hoqi autonominë e Kosovës dhe sulmoi shqiptarët, ndryshoi shumë emra rrugësh në vitin 1995 për të nderuar heronjtë e nacionalistët serbë.
Pas fundit të luftës për pavarësi në vitin 1999, qeveria e përkohshme e Kosovës ndryshoi emrat e rrugëve duke i emërtuar sipas luftëtarëve të UÇK.
Por UNMIK shtoi konfuzionin pasi refuzoi të njihte emrat e rinj.
Pas zgjedhjeve të para të lira në tetor 2000, u ngrit një komision që hartoi një listë, kësaj here duke përfshirë edhe emra serbë për të kënaqur minoritetin më të madh në vend.
*Marrë me shkurtime nga Balkan Insight