E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sa herë ndihet në rrezik, shpik një armik” – Vokshi: Rama sulmon News24 sepse u jep zë atyre që protestojnë, kundërshtojnë dhe kërkojnë llogari!

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar pas sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj News24, duke theksuar se sa herë që ndihet në rrezik, ai kërkon që të gjejë një armik për të shpëtuar veten.

albana vokshi

Në një reagim në rrjete sociale, ajo shkruan se News24 sulmohet nga kryeministri për shkak se është zëri i atyre që janë ngritur në protestë, që kanë kundërshtuar dhe kërkuar llogari nga pushtetarët.

“Edhe sot, në qendër të sulmit të Kryeministrit ishte @news24al . Pse? Sepse transmeton protestat e studentëve, nxënësve dhe qytetarëve! Sepse u jep zë atyre që protestojnë, që kundërshtojnë, që kërkojnë llogari! Sepse ndjek një linjë editoriale që nuk i pëlqen Kryeministrit!”, thekson ajo.

REAGIMI I PLOTE:

Sa herë Edi Rama ndihet në rrezik, shpik një armik!

Armiku i përhershëm është opozita. Herë është armiku i jashtëm, qeveritë apo faktorët e huaj. Dhe sa herë e vërteta bëhet e pakëndshme, në shënjestër vendos median!

Edhe sot, në qendër të sulmit të Kryeministrit ishte @news24al . Pse? Sepse transmeton protestat e studentëve, nxënësve dhe qytetarëve! Sepse u jep zë atyre që protestojnë, që kundërshtojnë, që kërkojnë llogari! Sepse ndjek një linjë editoriale që nuk i pëlqen Kryeministrit!

Media nuk është zëdhënëse e qeverisë! Dhe Kryeministri nuk duhet të bëjë kryeredaktorin e saj!

Një Kryeministër nuk qeveris me thashetheme, insinuata dhe sulme publike. Nëse disponon informacionet që pretendon ka detyrimin t’ua përcjellë institucioneve kompetente, jo t’i përdorë për të goditur këdo që mendon ndryshe, që kritikon, denoncon apo demaskon abuzimet, korrupsionin e pushtetit.

Sulmet ndaj mediave për linjën e tyre editoriale janë përpjekje për të frikësuar jo vetëm gazetarët, por këdo që guxon të ngrejë zërin.

Në një demokraci, media ka të drejtë të kritikojë qeverinë. Qeveria ka detyrimin të japë llogari, jo të sulmojë median!

Solidaritet me gazetarët e News24 dhe me çdo gazetar që refuzon t’i nënshtrohet presionit politik!

Protestat nuk mund të censurohen! E vërteta nuk mund të heshtet! Liria e medias nuk negociohet!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›