Sa kushtojnë vizitat sipas pavijoneve në QSUT
Laureta Rryçi
Shërbimi shëndetësor në spitalet apo poliklinikat publike për personat që nuk janë të siguruar, tashmë kushton më shtrenjtë. Tarifat e reja të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se vizitat fillojnë nga 500 lekë të reja deri në 3000 lekë të reja, kjo në varësi të mjekut specialist dhe spitalit ku merret shërbimi. “Një vizitë tek mjeku i familjes për të pasiguruarit kushton 1000 lekë të reja, një vizitë tek specialisti në poliklinikë, 1500 lekë të reja, në QSUT, 3000 lekë të reja, në spitalet rajonale, 2000 lekë të reja”. Nga pagesat e vizitës të afishuara në të gjitha institucionet shëndetësore në vend nuk mund të shpëtojnë edhe të siguruarit që shmangin sistemin e referimit. Sistemi i referimit, sipas drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, ka për qëllim rritjen e rolit të mjekut të familjes dhe reduktimin e numrit të pacientëve pranë spitaleve.
Përjashtimi
Shërbimi shëndetësor do të jetë falas vetëm për ata, që në momentin e vizitës do të kenë me vete dokumentet e nevojshme, pasi edhe nëse ata që janë të siguruar por nuk kanë rekomandim, do të paguajnë tarifat që paguajnë personat e pasiguruar. “Ata që kanë një librezë shëndeti, mjet identifikimi kartën dhe një rekomandim, e marrin çdo shërbim falas, por duke ndjekur shkallët një nga një”, - bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë. Tashmë gjithçka kushton nëse nuk ke rekomandim dhe librezë shëndetësore. Edhe një injeksion i thjeshtë në poliklinikën e lagjes kushton 1500 lekë të reja. Tarifat e reja janë përllogaritur në bazë të kostove reale të çdo shërbimi, e për pasojë, në shumicat e rasteve ato janë të njëjta apo dhe më të larta se tarifat në poliklinikat private.
Urdhri
Ministria e Shëndetësisë u ka dhënë urdhër spitaleve të vendosin tarifat e reja, të cilat do të zbatohen tani e tutje. Prej disa ditësh, spitalet kanë afishuar tarifat e reja, që pothuajse janë trefish më të larta se ato më parë. Tashmë një pacient që do të kryejnë një vizitë të thjeshtë në poliklinikë nuk do të paguajë më 400 lekë, por do të paguajë 1000 lekë. Ndërsa një vizitë te specialisti, pacientit do t'i duhet të paguajë 1500 lekë nga 600 lekë që ka qenë më parë. Po kështu është vepruar me spitalet e nivelit terciar dhe me maternitetet, ku tarifat kanë arritur vlerat maksimale dhe janë bërë të papërballueshme për personat e pasiguruar. Numri i personave të pasiguruar në vend është tepër i lartë, prandaj dhe numri i pacientëve që do të kryejë vizitë me lekë në dorë është shumë i madh.
18 Janar 2010