E Diel, 1 Nëntor 2026

Dobjani i kërkon Topit: “Falua dënimet shqiptarëve që u dënuan nga gjykatat greke”

Ekskluzive\Kush përfiton nga rekomandimi që ka mbërritur te tavolina e kreut të shtetit. Ermir Dobjani jep zgjidhjen për rastet kur mund të jepet falje e plotë apo të pjesshme të dënimit
Laureta Rryçi

Tiranë - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, i kërkon presidentit që t’u falë pjesërisht dënimin shqiptarëve që u dënuan nga gjykatat greke. Rekomandimi erdhi pas ankesave të shumta që kanë mbërritur në institucionin e Avokatit të Popullit prej kohësh, duke shpjeguar me argumente ligjore se ndaj tyre janë dhënë vendime të padrejta. Sipas Dobjanit, deri në vitin 2000 në Shqipëri janë ekstraduar nga Greqia rreth 200 të dënuar, shtetas shqiptarë që kishin kërkuar që të vinin në atdhe për të vuajtur dënimet penale që u kishin caktuar gjykatat greke për krime të kryera në Greqi. Që nga viti 2003 e në vazhdim, këta të dënuar kanë bërë ankesa dhe kërkesa të vazhdueshme.
Pretendimet
Shqiptarët e dënuar nga gjykatat greke ankohen se në masat e dënimit ndaj tyre ka arsye të bazuara për të menduar se kanë ndikuar konsideratat negative të gjykatave greke për racën dhe fenë e shqiptarëve të gjykuar. Sipas tyre, kur në të njëjtin proces janë akuzuar shtetas grekë si bashkëpunëtorë me shqiptarët, grekët janë favorizuar duke u dhënë pafajësi ose dënime mjaft të ulëta në krahasim me shqiptarët. Sipas tyre, gjatë gjykimeve në Greqi ka pasur raste të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut, si mungesë të përkthyesve që njohin gjuhën shqipe (rasti Vavacula), apo që avokatët grekë nuk i kanë ndihmuar realisht për të bërë mbrojtje profesionale, apo nuk kanë bërë ankim në gjykatat e shkallëve më të larta, me mendimin se nuk do t’u lejohet ekstradimi në Shqipëri, apo se do t’u ngrihet dënimi. Dënimet për trafikim të lëndëve narkotike, kryesisht Cannabis sativa (që është një nga drogat më të lehta dhe në disa shtete europiane nuk dënohet, p.sh. në Holandë), janë tepër të rënda krahasuar edhe me dënimet e zbatuara për raste analoge në Shqipëri. Nuk kanë pasur mundësi të apelojnë vendimet e njohjes së vendimeve të gjykatave greke në gjykatat shqiptare të Apelit apo në Gjykatën e Lartë. Të dënuarit e tjerë shqiptarë që kanë mbetur për të kryer dënimet në Greqi, kanë përfituar shumë më tepër falje dënimi, sepse sistemi grek është më favorizues se ai shqiptar.
Rekomandimi
Në rekomandimin e Emir Dobjanit thuhet se duke shqyrtuar këto ankesa të të dënuarve për këto probleme, mendimi i komisionarëve ka qenë dhe është që i vetmi institucion që mund t’i japë një zgjidhje pozitive ankesave që do të rezultojnë të drejta, është aplikimi nga Presidenti i Republikës i së drejtës së faljes së pjesshme apo të plotë ndaj çdo kërkese të dënuari në mënyrë individuale. Kjo sepse nuk ka asnjë shans që për këta të dënuar shqiptarë të rihapen procese rigjykimi në Greqi. Që të realizohet kjo duhet patjetër që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve t’i përcjellë Drejtorisë përkatëse në Presidencë vendimet e plota të çdo të dënuari në Greqi për të konstatuar sa qëndrojnë pretendimet e mësipërme për çdo të dënuar. Mbas këtij verifikimi individual të vendimit gjyqësor grek mund t’i propozohet Presidentit të Republikës falja pjesore ose e plotë e dënimit për ata të dënuar në Greqi që do të vlerësohet se duhet të aplikohet falje. Mbase për disa të dënuar në Greqi kërkesat për falje edhe mund të jenë depozituar sipas ligjit në Presidencë. Zyra e Avokatit të Popullit ka qenë e gatshme dhe ka kërkuar të bashkëpunojë për këtë çështje me ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë dhe të administratës së Burgjeve. Për këtë çështje ka një korrespondencë jo të pakët me këto institucione. Por për shkak të gabimeve që ka bërë në kohën kur ka pranuar ekstradimet Drejtoria e Bashkëpunimit Gjyqësor me vendet e tjera në Ministrinë e Drejtësisë, që nuk ka kërkuar vendimet e plota të gjykatave greke, kjo çështje ka mbetur pa zgjidhje.
Pse duhet të falen
“Mendimi ynë është se nuk duhet lejuar që për shkak të fajit dhe gabimeve të pariparueshme të administratës sonë publike, të dënuarit e kësaj kategorie (në Greqi) të mos mundin të përfitojnë nga lehtësitë që parashikon ligji dhe xheneroziteti i parashikuar në Kushtetutë për Presidentin e Republikës”, - thuhet në rekomandimin e Dobjanit. Sipas tij, këto çështje ia kemi ngritur që në vitin 2004 edhe ish-presidentit Moisiu. “Mund t’ju konfirmoj se në fillim të vitit 2007 Ai u bind për propozimin tonë për të aplikuar falje të pjesshme individuale për këtë kategori të caktuar të dënuarish. Por për rrethana të caktuara, që dolën edhe në media në janar 2007, kjo nuk u realizua”, - shpjegon Dobjani. “Pavarësisht vështirësive praktike që paraqet aplikimi i të drejtës së faljes ndaj kësaj kategorie të dënuarish, gjykojmë se me ndjenjën e drejtësisë dhe të humanizmit që manifeston personaliteti Juaj, mund të bëhet e mundur që këta fatkeq të përfitojnë në atdheun e tyre diçka që mendojnë se u është mohuar në Greqi. Nga lista e vitit 2004 që ne disponojmë, të dënuar të tillë, që kanë ardhur nga Greqia dhe mund të përfitojnë, janë rreth 100 persona. Duke shprehur konsideratën më të lartë, institucioni që përfaqësoj është i gatshëm të bashkëpunojë për të ndihmuar këta të dënuar”.

28 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›