E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa na kushton një kryeministër?

Sigurisht që nuk e kam fjalën vetëm për pagën e kryeministrit aktual, as për dietat e udhëtimeve të tij brenda e jashtë shtetit, as për biletat avionëve dhe faturat e hoteleve, as për dhjetëra roje, badigardë, gardistë e shoferë që e shoqërojnë dhe mbrojnë nga keqbërësit e nga paranoja, as për këshilltarët e shpenzimet e pritje-përcjelljeve të panumërta nëpër dreka-darka zyrtare, as për shpërblimet që u jep mediave që e përkrahin dhe “miqve” të huaj që e lobojnë, si ndozot Podestave e Tom Ridxhëve e lloj-lloj “lobistëve”, që nuk ua dimë as emrat dhe as lidhjet, madje as për fishekzjarret, tubimet, premtimet, fjalimet, spotet dhe banderolat e fushatave, por më së shumti për drejtimin ekonomik, kulturor dhe social që kryeministri i jep vendit, për shfytyrimin moral e material që i shkaktohet shoqërisë nëpërmjet shembullit vetjak, propagandës, korrupsionit, trafikimit të influencës, investimeve të panevojshme, tenderave e projekteve sipas simpative dhe antipative, urdhrave e diktateve...
Sa është kjo kosto? Askush nuk e di. Askush nuk bën bilancin e dëmeve dhe të prapambetjes, askush nuk mban përgjegjësi edhe kur hidhen në erë miliarda, si psh. për mbikalimin e ‘Zogut të Zi’ e për sheshin ‘Skënderbej’, as kur vetëm ne shqiptarët mbetëm më të fundit në Ballkan në të gjitha drejtimet, jo vetëm në procesin e demokratizimit e të integrimit në BE, por edhe për nivelin e ulët të mirëqenies dhe për shkallën më të lartë të varfërisë, të analfabetizmit, të krimit dhe të degradimit të mjedisit... Na drejton kryeministri i hyrjabyrjes dhe kuturusë! Ja përse duhet gjykuar se kostoja e shpenzimeve vetjake të kryeministrit, si person, është ku e ku më e vogël dhe më e parëndësishme se kostot dhe dëmet që na vijnë prej keqqeverisjes dhe abuzimeve direkte dhe indirekte të tij, prej tahmasë së vartësve e të pushtetarëve në nivel lokal e kombëtar që imitojnë jo vetëm me gjeste kreun e parti-qeverisë.
Nëse do të kuptosh cilësinë e një administrate publike, mjafton të vëzhgosh sjelljen, performancën dhe fjalimet e të parit të qeverisë në Zululand, ashtu sikurse, sa kalon kufirin, mjafton kontakti me një polic të çfarëdoshëm në pikën doganore për të kuptuar shkallën e korrupsionit, seriozitetit dhe respektimit të ligjeve të një shoqërie. Nëse kryeministri e quan publikisht kryeprokuroren “lavire bulevardi” dhe Presidentin e Republikës “horr”, atëherë si do të sillet një kryetar komune me katundarin që i ka shkuar në zyrë të zgjidhë një hall? Kur abuzon kryeministri, si mund të mos abuzojë edhe kapteri? Dhe, e kundërta, nëse guxon të të kërkojë ryshfet një polic trafiku, një mjek, një mësues, një nëpunës i rëndomtë, a nuk është ky tregues i keqqeverisjes dhe i pafytyrësisë reale të qeverisjes dhe, pse jo, edhe të vetë kryeministrit?
Ndoshta jemi i vetmi popull në Europë që nuk e vret mendjen për kësi lloj paralelesh dhe pyetjesh, pasi ende kujtojmë e besojmë, njëlloj si në diktaturë, se këto kosto, këto dëme morale e materiale, kjo hierarki hienash zyrtare nuk kanë ndonjë lidhje të qenësishme me ne, me xhepat tanë, me fukarallëkun e me mjerimin tonë, pasi vazhdojmë të gjykojmë se ata që janë “lart”, meqë janë të zgjedhur/emëruar, vetvetiu janë më sipërorë, dmth edhe më të plotfuqishëm e më të pagjykueshëm se ne... Gati-gati besojmë (për shkak të mosbesimit te ndershmëria e zgjedhjeve, por edhe prej emërimeve klienteliste të deputeteve dhe nëpunësve) se nuk jemi ne qytetarët që i zgjedhim përfaqësuesit tanë, por është fati, tarafi dhe aftësia e zyrtarëve për t’u vetëleqendisur që i ka përzgjedhur dhe vendosur atje, “lart”, në majë të kupolës, për të na tërhequr për hunde, dmth për të na drejtuar “nga suksesi në sukses”...
Prej kësaj mendësie, që buron nga “edukimi i masave” në diktaturë si dhe nga trashëgimia primitive e një shoqërie të prapambetur, a mund të guxojë të pyesë veten një malësor e një katundar se sa shpenzon bajraktari apo beu i krahinës? E pra, sot, edhe pse kemi institucion kushtetues për kontrollin e pasurive, nuk është e nevojshme të kontrollohet pasuria e kryeministrit dhe e familjarëve të tij, sepse mjafton të vëzhgohet si ka ndryshuar jetesa e familjes së çdo gjykatësi dhe e çdo kryetari komune, sipas shembullit që buron nga lart: “Sheh rrushi rrushin dhe piqet”!
Me sa duket, si qytetarë ne ende nuk jemi çliruar nga psikologjia tipike e të shtypurit dhe e të nënshtruarit të përvuajtur, i cili për inerci vazhdon të kujtojë dhe besojë se edhe në demokraci uji nga lart del i kulluar, por përherë turbullohet poshtë, nga ne, më të zakontët. Mbreti i Spanjës para ca muajsh shkurtoi shpenzimet e udhëtimeve të oborrit për shkak të krizës, të njëjtën gjë kanë bërë shumica e kryeministrave të BE-së, madje disa vende të Europës kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e tyre në Eurosong pikërisht për këtë shkak. Kurse Berisha, edhe kësaj here deklaroi se medemek nuk do të lejohet të bëhet fushatë me makinat e qeverisë, kur në të vërtetë shqiptarët e shohin çdo ditë se si jo vetëm makinat e qeveritarëve venë e vijnë anekënd Shqipërisë, por e gjithë administrata publike, madje edhe fëmijët e shkollave janë përfshirë e mobilizuar me detyrim-përcaktim në fushatë.
Në vendet demokratike nuk ka mjerim moral më të madh e më të pafalshëm se sa një zyrtar i lartë, sidomos kryeministër a president, të karfoset e t’i vrasë sytë një populli të uritur e të rënë në krizë qoftë edhe me luksin e makinës, të kuzhinës e të veshjes. Kurse udhëheqësit tanë, provincialë në mendësi, jo vetëm që i bëjnë karshillëk popullit me “performancën”, me udhëtimet jashtë vendit, me emërimet e fëmijëve nëpër ambasada, me prona të tundshme e të patundshme, me vila e makina luksoze, por edhe kur shkojnë te Papa (i cili u lan këmbët të burgosurve dhe paguan vetë faturat për të dhënë shembullin e përunjësisë para njerëzve në nevojë), merakun e kanë si e si të sfilojnë me luksin e tyre... Krerët tanë janë sivëllezër në mendësi dhe tangërllëk me krerët e fiseve afrikane që e lyejnë fytyrën me bojëra... Kulmi i abuzimit ndodh gjatë fushatave zgjedhore kur shpërdorimi i fondeve dhe i fjalës publike bëhet “në të mirë të publikut”!
Makiaveli thotë te “Princi” se ekzistojnë tre tipe udhëheqësish, por më fatkeqsjellësi, i cili, në mënyrë të pashmangshme e çon kombin në rrënim dhe në shprishje, - edhe në qoftë shtet-perandori, jo më një vend i vogël, si yni, - është kur prijësi mediokër mban rreth vetes ministra dhe këshilltarë të njëjtë me nivelin e tij, dmth po aq dritëshkurtër, makutër e dritëshkurtër sa e si vetja. Ky përfundim logjik, që vjen prej historisë e prej filozofisë duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm për votën që lipset të japim ne më 23 qershor... Po a thua të jemi bërë kaq të vetëdijshëm sa të bëjmë bilancin e pyetjes: Sa na kushton realisht një kryeministër? Dyshoj se jo.
***
E vërteta është se në zgjedhjet e 23 qershorit ne nuk do të vendosim për deputetët e ardhshëm, për Kuvendin, për përfaqësuesit tanë legjislativë, prej të cilëve do të dalë nesër, sipas Kushtetutës, qeveria dhe kryeministri, pasi deputetët e nesërm tashmë janë të paracaktuar kokërr më kokërr nga kryetarët përkatës të partive. Ndaj më e saktë do të jetë sikur ne, si qytetarë të bindim veten paraprakisht se kësaj here, kur të hedhim votën, do të jemi të detyruar të përzgjedhim jo deputetët, por cili do të jetë kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Andaj e gjithë fushata është orientuar drejt synimit: Rama apo Berisha do të jetë nesër kryeministër?
Kështu, pyetja që vlen të bëhet në këto ditë të nxehta të kësaj fushate hidh e prit, me klithma e këngë majekrahit si dhe me “vallen e shpatave” duhet të jetë kjo: Sa na kushton realisht një kryeministër? Sa dobi, sa garanci kemi se përnjimend do të na përmirësohet jetesa dhe bashkëjetesa dhe sa dëme e humbje kohe do të kemi nga njëri e nga tjetri...? Por fatkeqësisht fushata po bëhet e tillë që të mos e lejojë votuesin të mendohet e të gjykojë qetësisht e mëvetësisht as për këtë pyetje të thjeshtë. Trullosja, trushpëlarja, gënjeshtrat, demagogjia, shiritat e përurimeve dhe lumi i premtimeve janë në kulm, ato sërish po shërbejnë për të na hedhur hi syve. E shqipëruar, kjo do të thotë se po e hëngrëm edhe kësaj here “barin” apo “thesin me miell”, në këmbim të një vote, nuk e ka fajin “bari”, as grazhdi, as thesi, as hyzmeqari i haurit, por vetë ne! 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›