Sa orë duhet të qëndrojnë fëmijët para televizionit
Emanuela Sako
Specialistët e Shëndetit Publik vlerësojnë se qëndrimi për një kohë të gjatë përpara televizorit, është i dëmshëm. Ky fenomen ndikon së pari në formimin e një temperamenti pasiv dhe ndikon në uljen e qëndrimit të fëmijëve para librave. Qëndrimi i pakët para librave ndikon në zhvillimin e intelektual të fëmijëve dhe uljen e fantazisë. Specialistët kanë vërtetuar se fëmijët që qëndrojnë për një kohë të shkurtër studimi, shfaqin probleme të aftësisë së përpunimit të informacionit dhe zhvillimit të inteligjencës së mëvonshme. Ndërkohë që duke e parë situatën në këndvështrimin social, të gjithë këta fëmijë që qëndrojnë për orë të tëra para televizorit nuk janë shumë produktivë në mësime, pasi kanë më pak kohë në dispozicion për të studiuar. Sipas studimit 60 për qind e fëmijëve qëndrojnë për më tepër se 3 orë para televizorit, ndërsa në kohën kur ata duhet të studiojnë truri apo sytë mund të jenë të lodhur për të ndjekur edhe detyrat për arsimimin e tyre.
Situata
Specialistët rekomandojnë që prindërit të jenë më të kujdesshëm ndaj zgjedhjes së asaj se çfarë duhet të bëjnë fëmijët dhe për atë që janë të prirur të bëjnë. Një fëmijë duhet të qëndrojë 1 orë para televizorit. Në këtë rast duhet marrë parasysh koha e qëndrimit dhe koha e mësimit të librave shkollorë. Njëkohësisht, fëmijët duhet të kenë një përkushtim më të madh ndaj librave, që janë jashtë procesit mësimor për të nxitur fantazinë. Përveç problemit të formimit të tyre intelektual, fëmijët janë të prirur të shfaqin edhe probleme shëndetësore. Qëndrimi me kohë të zgjatur para programeve televizive krijon terren për shfaqjen e obezitetit, si dhe nxit karakterin pasiv te fëmijët. Ky karakter pasiv shuan kureshtjen e fëmijës për të qëndruar shumë mbi libra dhe interesin për shkollën e shoqërinë.
Studimi
Studime të tjera nxjerrin në pah se mbipesha dhe obeziteti janë mjaft të pranishme në grupmoshat e hershme. Kështu, rezulton se 15.4% e fëmijëve të moshës 9-10 vjeç vuajnë nga mbipesha, ndërsa rreth 4 % nga obeziteti. Obeziteti quhet ndryshe dhe shëndet i tepërt, ku personat kanë masë të madhe dhjamore, që vjen si rezultat i ngrënies së tepërt dhe djegies së pakët të kalorive të marra, apo depozitimi i tepricave kalorike. Nga të dhënat e studimit ka dalë se fëmijët shqiptarë qëndrojnë më tepër se 3 orë para televizorit, çka është e dëmshme për moshën e tyre. Raporti i atyre që e deklarojnë këtë shqetësim është 60%, çka përbën dhe pjesën më të madhe. Specialistët rekomandojnë që fëmijët që qëndrojnë jo më shumë se një orë para ekranit dhe të shohin emisione të kontrolluara nga prindërit e tyre. Ndërkohë që, mbikëqyrës dhe menaxhues të situatës duhet të jenë prindërit të cilët duhet të drejtojnë fëmijët për emisionet dhe oraret që duhen vendosur. Nga ana tjetër, mësuesit duhet të jenë më të impenjuar në këshillat që u japin nxënësve në shkolla, në lidhje me rregullat që ata duhet të zbatojnë.
25 Maj 2009