Si ta ndërtojmë ndryshimin?
Dr. Irena Nikaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke filluar nga fillimi i viteve 1980 eksportet më të rëndësishme kishin idetë. Dy ide themelore kanë sunduar mendimin global, që kur Ronald Regan u zgjodh president i ShBA në vitin 1981. E para, vizioni i qartë për kapitalizmin, si kapitalizëm i tregut, me taksa të ulëta, me dinamikat dhe vetërregullimin, që përvijonte të ashtuquajturin revolucion konservator ose rrymën neoliberale. Sipas Reganit “qeverisja nuk është zgjidhje për problemet tona; qeverisja është problemi”.
E dyta ishte ideja se Amerika ishte përshpejtues, nxitësi i demokracisë liberale në botë, e cila shihej si rruga më mirë për të vendosur një rend më të përparuar dhe më hapur global. Midis 2002 dhe 2007, ndërsa bota përjetonte një rritje të paprecedentë, u shfaqën edhe kritikat për rolin e ShBA, posaçërisht për ekonominë. Kriza e tashme mund të vlerësohet fundi i erës Regan. Ide të mëdha janë përpunuar në kushtet e zhvillimeve dramatike të cilat nuk mungojnë të shfaqen edhe në rrafshin politik. Mund të vërejmë se pas Depresionit të Madh, në pushtet erdhën Demokratët; pas kolapsit financiar 2007 e më tej, në fuqi erdhën në ShBA përsëri Demokratët.
Për më tepër, shteti i rëndë i viteve 1970 rezultoi dy-funksional. Shpenzimet telefonike ishin të mëdha, të udhëtoje me aeroplan ishte luks i të pasurve, interesat për kursimet ishin të ulëta, programet sociale të pamjaftueshme, etj. Në këto kushte, i ashtuquajturi “Konsensus i Uashingtonit” shënonte një revolucion, domethënë, institucionet në varësi të Uashingtonit, FMN dhe BB, nxitën vendet në zhvillim të hapnin ekonomitë e tyre. Ky zhvillim u shoqërua me kriza lokale që përfshinë disa nga këto vende, si Argjentina, Brazili, Kina, India. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe falimentimit të shteteve komuniste u provua se shteti i mirëqenies si i tillë kishte vdekur. Por zhvillimi i revolucionit Regan u vlerësua edhe si një ideologji e dyshimtë, dhe më pak si një përgjigje pragmatike ndaj teprimeve të shtetit të mirëqenies. Rrjedhojat ishin të njohura, sepse nëse ul taksat dhe nuk shkurton shpenzimet, shfaqet një deficit rrënues, dhe, për rrjedhojë, shkurtimi i taksave prej Reganit solli deficitin e madh; rritja e taksave prej B. Klinton solli suficit; ulja e taksave prej Bushit Junior. në fillim të shekullit të 21-ë solli një deficit edhe më të madh. Këto tronditje kanë ndikuar negativisht edhe në programet sociale, në radhë të parë në rënien e cilësisë së edukimit në shoqëritë të cilat kanë mbështetur rritjen dhe zhvillimin tek ky model tregu dhe demokracie.
Për shqiptarët parashikimet më pesimiste kanë ardhur nga Banka Botërore e cila parashikon se shqiptarët do të humbin në 10 muaj ato që fituan në 10 vjet. Shigeo Katsu, zëvendësdrejtor në BB për Evropën dhe Azinë Qendrore ka vlerësuar:
“Me 10 muaj në krizë, vendet e rajonit po humbasin në varfëri atë që kanë fituar në 10 vitet e fundit. Në fund të vitit 2010, ne do të kemi për fat të keq 35 milionë njerëz më shumë në varfëri. Kjo është një krizë humane që dëgjohet, ndryshe e thënë si “krizë financiare dhe ekonomike globale”. Dy vendet e përmendura nga Banka Botërore në këtë mbledhje si më të rrezikuarat, në Evropën Lindore janë Shqipëria dhe Moldavia. Sipas BB-së, qeveria ka shumë pak mundësi që të ndihmojë ekonominë në Shqipëri. Banka Botërore bën të ditur se me rënien e remitancave me 30 për qind, numri i të varfërve është rritur me 5 për qind.
Philip Mejer, njeriu nga brenda botës së tronditur rëndë të financave, shkruan midis të tjerash për hedonizmin e pakufi me shumat financiare të kreditorëve nga ata që u është besuar investimi i sigurt i tyre: ...
Ideja e Tregut-Zot, që sheh gjithçka, di gjithçka përtej çdo dyshimi, është ajo që lejon një shef të madh ekzekutiv të pushojë disa mijëra njerëz nga puna, ndërkohë që për vete firmos çeqe 40 milionë dollarësh. Është ai që u jep shansin disa menaxherëve fondesh të fitojnë gjysmë miliardë dollarë në vit (po, po, gjysmë miliardë dollarë në vit), ndërkohë që shkollat e urat shemben.
Në fakt, tregu nuk është as më shumë e sa më pak, por njerëzit që e përbëjnë. Tregjet kontrollohen nga një numër shumë i vogël investitorësh - tregtarë në banka, fonde investimesh, e fondesh të tjera - të cilët kanë makina të bukura e pinë verë të shtrenjtë. Ndërkohë që ne kemi nevojë për tregjet financiare. Janë domosdoshmëri e qytetërimit modern. Ajo që nuk është e domosdoshme, është se njerëzit që i kanë në dorë këto tregje paguhen me shifra skandaloze krahasuar me të tjerët.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ajo që i motivon këta njerëz, të shpërblehen me çeqe disa milionëshe apo qindra miliona dollarëshe, nuk ka të bëjë fare me punën që bëjnë me të vërtetë. Dikur njerëzit i kryenin punë të tilla kundrejt pagesave shumë të vogla dhe nuk është se sot ka mungesë kandidaturash - për çdo një rekrut që punësonim në Universitetin Kornel kthenim mbrapsht dhjetë të tjerë.
Arsyeja për të cilën jemi sot në këtë ditë të zezë nuk fshihet aq shumë te dështimi ynë në kuptimin e ekonomisë, por te dështimi në të kuptuarin e natyrës njerëzore. Jepu një grushti njerëzish mundësinë të pasurojnë veten përtej ëndrrave më të shthurura të kujtdo, një këndvështrim filozofik për të shpjeguar disi racionalist gjithë dëmin që po shkaktojnë, dhe ata nuk do të ndalen deri në çastin kur ta nxjerrin ekonominë botërore tërësisht jashtë shinave.
Nuk është se njerëzit në qendër të Nju Jorkut apo në Wall Street janë domosdoshmërisht të këqij: ndodh vetëm që ata, si thuajse gjithkush tjetër, do bënin ç‘të kishin në dorë për të marrë çeqet e tyre prej 1 milion apo dhjetë milionë dollarësh. Këta i interpretojnë të dhënat në mënyrë kreative, nënvleftësojnë rreziqet, u japin shtysë gjërave. Disa arrijnë të gënjejnë, të mashtrojnë dhe të vjedhin. Por pjesa më e madhe e tyre, si shumë prej nesh, thjesht nuk pranojnë ta shohin botën nga një perspektivë tjetër që nuk është e tyrja. Dhe po të jemi të zgjuar, duhet t‘i mbikëqyrim me shumë vëmendje-tani por edhe në një të ardhme të largët. ...
Ndikimi i krizës në qwndrueshmërinë e shoqërisë
Është e padyshimtë që kriza ka tronditur me pasojë të parë saj besimin tek sistemi dhe krijon mundësitë për të pritur edhe tronditje të tjera të afërta siç parashikon ekonomisti egjiptian Samir Amin. Por ato që shfaqen krahas efekteve ekonomike janë edhe pasoja tronditëse politike, kulturore, mendore. Kriza ekonomike nxit paqwndrueshmërinë politike, që do të thotë humbje besimi tek politikat qeverisëse, sidomos në drejtim të ekonomisë; në Francë, në Greqi, në Islandë, në Letoni, Lithuani, Rusi, Kinë ka pasur protesta dhe greva, të cilat janë paralajmërime se kriza globale kërcënon seriozisht qwndrueshmërinë globale, rregullin shoqëror dhe institucionet, duke krijuar sfida serioze që duhen menaxhuar me shumë maturi, sidomos në vendet në zhvillim, ku ekonomitë janë më pak të afta të përballojnë efektet shkatërruese të saj.
Problemi i parë është shteti: çfarë duhet ndryshuar në filozofinë neoliberale, që të lejojë ekonominë e tregut të maksimizojë efektet e saj në ekonomi dhe në të njëjtën kohë mekanizmat kontrollues të mbikqyrin me kujdes për ta mbrojtur nga dëmet serioze, mashtrimet, spekulimet me pasoja globale. Në kuptimin e drejtëpërdrejtë do të theksonim-rikthim i shtetit, sepse mekanizmat e derisotëm të modelit laissez faire( let do) të tregut nuk janë të sigurt, sepse ato vazhdimisht kërcënohen nga lakmia, papërgjegjshmëria, mungesa e mjeteve efikasë të kontrollit; sugjeron kthimin e shtetit si institucion, dhe shndërrimin e tij në të tillë, sidomos në ato vende që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë krijuan shtete kombëtarë, të cilët janë më pak të aftë të sigurojnë vendimmarrje të sigurta të çliruara nga ideologjitë e propogandës së dukjes, të pompozitetit bajat.
Problemi i dytë është shoqëria civile, e cila duket se ka shërbyer më tepër si shtojcë e shtetit, në tipologjinë e sindikatave, shoqatave të mikrokreditit, duke u përpjekur më shumë t’u kundër-qwndrojë marrëdhënieve të ekonomisë së tregut në efektet e tyre konkurruese dhe ruajtjes së karakteristikave të qwndrueshme të marrëdhënieve shoqërore; në një fushë duket se shteti dhe shoqëria civile mirëkuptohen në parim, në fushën e mbrojtjes mjedisore përmes organizatave të gjelbra apo Protokollit të Kiotos. Në Shqipëri shoqëria civile akoma vazhdon të jetë e ndrojtur sidomos organizimet që përfaqësojnë grupe e interesit të punonjësve, të të papunëve, të emigrantëve, etj. Në fakt Drejtimi i Ri në ShBA-të e pas 1929 dhe shteti i mirëqenies pas Luftës së Dytë Botërore përfaqësojnë një rregullim në marrëdhëniet midis shtetit dhe ekonomisë së tregut sesa një shfaqje të dualitetit strukturor të tyre. Rikthimin e shoqërisë civile do ta konsideronim si shfaqje e monedhës së tretë, që tregon se nuk mund të zgjidhen problemet vetëm prej shtetit dhe tregut, duke shpresuar tek kuptimi i ri i shoqërisë civile si një përpjekje për të rigjallëruar dimensionin gjithëpërfshirës të politikës dhe forcimin e pavarësisë së saj.
Problemi i tretë: politika si do ta konfigurojë veten, gjeopolitika sidomos-e hapur apo e mbyllur?
Në kuadër të këtyre kushteve marrëdhëniet midis shteteve që janë fuqi botërore janë duke u konfiguruar. Shumë gjëra tregojnë se marrëdhëniet midis ShBA-ve, Kinës, Rusisë, dhe Bashkimit Evropian janë në proces ristrukturimi, për shkak të krizës financiare aktuale. E nga kjo pikëvështrimi ka edhe më tepër pasoja: nëse e konsiderojmë ngjarje kolektive, këtë fenomen, që ndikon botën globale ku ne jetojmë, atëherë ne duhet të mendojmë se historikisht jemi në një fazë të re, një etapë tjetër që me shumë zhurmë lajmëron se ka mbërritur.
Si ta ndërtojmë ndryshimin?
Jo pa shkak: Kohë të dëshpëruara, njerëz të dëshpëruar...
Ndoshta edhe gjeneratat e mëparshme janë ndier njëlloj. Në vitin 1911, drejt përfundimit edhe të një tjetër periudhe të gjatë paqeje, lulëzimi dhe globalizimi, G.P. Gooch, një historian i njohur britanik, shkroi: “Ne tani mund të shikojmë përpara, me besimin se do të vijë koha, kur lufta në mes kombeve të civilizuara do të konsiderohet aq vjetër sa vetë dueli.” Në të kaluarën ndodhi që kriza solli në pushtet lëvizjet radikale politike dhe sociale, nazizmin, fashizmin. Ndërsa tash e vetmja demokraci e rëndësishme që ka organizuar zgjedhje janë ShBA-të dhe rendi demokratik atje ndjehet i sigurt nga fitorja e një liberali demokrat. Pritet që demokraci të tjera të realizojnë zgjedhje për të vlerësuar edhe prirjen e zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve sociale.
Natyrisht edhe Shqipëria pritet të mbajë zgjedhje, të cilat nuk kanë bazën kryesore të konfliktit tek faktorët ekonomikë të nxitur prej efekteve sado periferikë të krizës financiare globale, sesa luftën për pushtet politik të grupeve që kanë kapitalin ekonomik dhe synojnë krijimin e shumicës që do të legjitimojë jo vetëm bazën klasore të ndryshimeve ekonomike që kanë ndodhur gjatë këtyre 19 viteve të transformimit drejt demokracisë liberale, por kapitalin kulturor dhe politik, pushtetin politik dhe kulturor më qartë.
Ndryshimi i mirëpritur do të ishte i lidhur me rikthimin e besimit tek institucionet financiare dhe drejtimi i kujdesshëm i tyre, duke rritur syçeltësinë për menaxhimin korrekt dhe pa teprime të tyre. Ekonomia globale gjithashtu ka kufij, dhe këta kufij janë kufijtë individualë të mirëqenies. Në një shkrim sugjerohej që të shpenzojmë me kujdesin e dikurshëm të gjyshërve tanë, të cilët e kishin jetuar Depresionin e Madh dhe kishin mësuar prej tij, pra një kuptim etik i shoqërisë duke theksuar qytetarinë më të rëndësishme se konsumatori dhe konsumin. Sistemi ekonomik është me shumë vend të orientohet nga altruizmi dhe komunitarizmi, drejt zvogëlimit të varfërisë, krijimit të vendeve të reja të punës, drejt dimensioneve më të spikatura të qytetërimit në shkencë, art, kulturë, vetëdije njerëzore dhe frymës së respektimit të vlerave morale.
Është gjithashtu rasti për të organizuar debatin, si edhe bëmë në Konferencën III të Institutit të Sociologjisë, në lidhje me alternativat më të qwndrueshme në dobi të zgjidhjeve efektive të problemeve, por edhe në formimin edhe më të qwndrueshëm edukativ të qytetarëve. Për rrjedhojë qytetari konsumator pas kësaj do të jetë më i mbrojtur nga ngritjet e rëniet e ekonomisë materiale, për shkak të vlerësimit dhe interesit të tij më tepër kah përkufizimi më i gjerë i lulëzimit njerëzor.
* Profesor i asociuar
Universiteti Fan Noli, Korçë
25 Maj 2009