E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, “viktima” e parë e krizës globale në ekonominë shqiptare

Volumi i remitancave në vitin 2008 ra në 802 milion euro. Analiza shpjegon efektet e para që dha kriza në Shqipëri

Ervin KOÇI

Kriza ekonomike globale e ka prekur edhe Shqipërinë në mjaftë prej sektorëve më kyç të saj, nga ku efektet po ndjehen për ditë e më tepër. Ekspertët e ekonomisë kanë bërë dhe konstatimet e para të sakta të sektorëve që janë prekur pjesërisht dhe tërësisht nga kjo krizë, duke dhënë dhe sugjerimet përkatëse për qeverinë dhe subjektet, se si t’i shpëtojnë krizës. Edhe pse kjo krizë nisi fillimisht në SHBA, më pas u eksportua në Europë dhe tani ka prekur gjithë botën, as vendi ynë nuk kishte se si të mbeste jashtë kësaj vorbulle. Një nga sektorët e parë që është prekur dhe që deri tani konsiderohej si “serumi” që mbante ekonominë tonë në këmbë, ishte ai i remitancave (parave të sjella nga emigrantët). Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se, Nxitja për migrim shpjegohet sipas modelit “shtytës-tërheqës” (push-and-pull model). Sipas këtij modeli, kushtet ekonomike, presionet demografike, papunësia në vendet dërguese (push factors) bashkëveprojnë me pagat më të larta, kërkesat për fuqi punëtore, bashkimin e familjeve në vendet pritëse, etj. Volumi i remitancave varet nga numri i emigrantëve, nga vendi i migrimit, nga të ardhurat që sigurojnë aty, nga shkalla e lidhjeve me familjet e tyre, nga lehtësitë në dërgimin e parave, nga stabiliteti politik etj. Gjatë 10 vjetëve 1993-2002 tek ne kanë hyrë gjithsej 4.367 miliard dollarë, ose 437 milion dollarë mesatarisht në vit. Kurse për 6 vitet, 2003-2008, kanë hyrë gjithsej 5,161 miliardë euro, ose 860 milion euro mesatarisht në vit. Rritja e ritmeve në vitet 1994-1996 ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të emigranteve në vendet europiane, sidomos në Greqi dhe Itali. Ndërsa rënia erdhi më pas në vitin 1997, ku si pasojë e kolapsit të skemave piramidale humbën rreth 2 miliard USD. Në këtë vit, siç dihet u trondit jo vetëm sistemi financiar por edhe ai ekonomik, politik e social, në tërësi.

Rënia e vitit 2008

Volumi i remitancave në vitin 2008 ra në 802 milion euro,145 milionë euro më pak se në vitin 2007. Ky nivel ishte madje më i ulët se në vitin 2004. Kjo prirje nuk shpjegohet vetëm me përvojën botërore që tregon se niveli i remitancave arrin një kulm pas rreth 14-15 vjetësh dhe pas kësaj vjen rënia, por kryesisht me pasojat e krizës financiare botërore.
Shqipëria në vitin 2003 zinte vendin e parë midis 11 vendeve të ELQ-së për ritmet e migracionit, me 24 për qind të popullsisë. Nga këto,19 për qind kishte emigruar deri më 1999, kurse 5 për qind, në vitet pasues. Pra, ritmet kanë ardhur në rënie në këto dhjetë vjetër e fundit. Aktualisht vlerësohet se ka mbi 1.1 milion emigrantë shqiptarë, 550 mijë në Greqi (Baldwin-Edwards 2006), 350 mijë në Itali (ISTAT 2006) etj. Pra, rënia kaq e ndjeshme në vitin 2008, në tremujorin e katërt nuk mund të shpjegohet thjesht me këtë prirje por me ndikimin e drejtpërdrejtë të pasojave të krizës në Greqi e Itali, ku është përqendruar numri më i madh i emigrantëve tanë. Kjo dhe vonesa në marrjen e masave mbrojtëse të kursimeve të tyre në vendin amë, sidomos në fillimet e krizës, ndikoi gjithashtu negativisht në tkurrjen e remitancave.

Pasojat e rënies së remitancave

Rënia e remitancave ka si efekt të drejt për drejtë rritjen e varfërisë. Anketimet në 6 vende në tranzicion: Bosnjë, Bullgari, Gjeorgji, Republikën Kirkize, Rumani dhe Taxhikistan, tregojnë se 30 për qind e remitancave përdoren për konsum ushqimor dhe veshmbathje. Kuptohet se rënia e tyre do të sjellë shtimin e varfërisë sidomos në zonat rurale ku dhe mundësitë për punë janë më të pakta dhe varfëria më e lartë. Rënia e këtyre të ardhurave përkeqëson menjëherë edhe treguesit makroekonomikë. Moldavia, Bosnja dhe Shqipëria, renditen e para, e dyta dhe e treta për remitancat në raport me PBB-në në ECA. Tek ne, remitancat gjatë viteve 2003-2007 zënë 13.2 për qind të PBB-së dhe 317 për qind të IHD-së. Por rënia e tyre ndikon dhe ul menjëherë edhe volumin e importeve. Në disa vende të ECA-së ato arrijnë mbi 10 për qind të eksporteve; në Moldavi dhe Serbi-Mal i Zi mbi gjysmën e tyre, kurse në Shqipëri dhe Bosnjë janë më të larta se eksportet. Remitancat kanë mbuluar 44 për qind të bilancit të tregtisë së jashtme këto dy vitet e fundit. Por ato padyshim ndikojnë dhe në rënien e investimeve private. Siç dihet, një pjesë e remitancave përdoren për investime të karakterit material (biznese dhe prona të paluajtshme) dhe të karakterit human (për shkollimin e fëmijëve etj.). Aspekti më i dukshëm i përdorimit të remitancave për investime familjare janë shtëpitë e reja (vilat) dhe autoveturat. Por gjithashtu ato kanë ndikim të drejt për drejtë edhe në uljen e kursimeve të qytetarëve, dukuri e vërejtur prej shtatorit 2008 e këtej.

Skema//////////////////////////////
Sektorët ku ka nisur të ketë ndikim kriza ekonomike:
Në rënien e ritmeve të remitancave- dërgesave të emigrantëve;
Në rënien e ritmeve të depozitave të kursimit;
Në rënien e ritmeve të eksport-importit;
Në dobësimin e lekut ndaj euros dhe dollarit amerikan;
Në frenimin e kredidhënies bankare,sidomos në valutë të huaj;
Në rritjen e shkallës së papunësisë;
Në bllokimin e sektorëve të veçantë, si ndërtimi;
Rritjen e deficitit buxhetor;
Rritjen e çmimeve të konsumit-inflacionit;
Rritjen e informalitetit në ekonomi;
Zgjerimin e varfërisë, sidomos në zonat rurale;
Frenimin e zgjerimit të turizmit
Rënien e ritmit të rritjes ekonomike;

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›