Ekonomia shqiptare në krizë, ekspertët: “Po rritet papunësia”
Edhe pse Shqipëria është një nga vendet me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, të dhënat zyrtare tregojnë se zhvillimi i ekonomisë nuk është shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, që nga viti 2001 ekonomia shqiptare është rritur në total me 47.1 për qind në terma reale, duke e çuar Produktin e Brendshëm Bruto në rreth 13 miliardë dollarë në vitin 2008. Por të dhënat zyrtare nga Instituti Kombëtar i Statistikave tregojnë se paradoksalisht kjo rritje e kënaqshme e ekonomisë ka mundur të hapë vetëm 54 mijë vende të reja pune në 8 vjet, ose vetëm 5.8 për qind më shumë. Por edhe këto nuk janë vende të mirëfillta pune, të cilat kanë ardhur si pasojë e rritjes së biznesit. Sipas INSTAT-it, 40 nga 54 mijë vendet e reja të punës që janë krijuar që nga viti 2001 i përkasin sektorit bujqësor, pasi qeveria i regjistron fermerët si të punësuar. Vendet e punës të hapura mirëfilltazi nga biznesi janë në tetë vjet vetëm 30 mijë të tilla. Ekonomisët e njohin këtë situatë me termin, “rritje ekonomike që prodhon papunësi”, e cila sipas FMN-së ndeshet në disa vende të Europës qendrore dhe asaj lindore. “Rritja me këto ritme, e pabazuar dhe e pashoqëruar me ritme të punëismit nuk është afatgjatë. Për shkak të mosshpërndarjes së mirëqënies në të njejtën mënyrë, të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfërit më të varfër”, deklaron eksperti Gjergji Filipi.
Tregu shqiptar, guvernatori Fullani fton britanikët të investojnë në Shqipëri
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka ftuar investitorët britanikë të kthejnë sytë nga Shqipëria, e cila ofron burime të larmishme investimi ende të pashfrytëzuara. Këto sipas tij, janë të mbështetura nga një ekonomi e qëndrueshme, burime njerëzore të kualifikuara, me infrastrukturë rrugore bashkëkohore që po zhvillohet dita-ditës. I pranishëm në mbledhjen e 18-të vjetore të Bordit të Guvernatorëve dhe Forumin e Biznesit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që u zhvillua ditët e fundit në Londër, Fullani, prezantoi zhvillimet kryesore të ekonomisë shqiptare dhe sfidave të saj. "Si rezultat, për herë të parë në vitin 2007, Shqipëria pati gradimin e saj të pavarur lidhur me profilin e rrezikut të saj. Agjencia Moody e vlerësoi Shqipërinë me B+, vlerësim i cili ishte i njëjtë edhe për vitin 2008", tha Fullani. Sipas BSH-së, ky eveniment u fokusua mbi impaktet e krizës financiare botërore. Ai mblodhi në një tryezë të përbashkët diskutimi aksionerët e kësaj banke së bashku me rreth 1000 drejtues të lartë të qeverive si dhe përfaqësuesve të biznesit, organizatave jofitimprurëse dhe medias nga vende të ndryshme në të cilat BERZH investon. Gjatë qëndrimit në Londër, me ftesë të grupit financiar Citigroup, Guvernatori Fullani, zhvilloi takime me bankier dhe ekspertë të ekonomisë pjesëmarrës në këtë takim.
25 Maj 2009