E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet rritja ekonomike në Europën Lindore me 5 për qind

BERZH-i analizon situatën financiare në tregjet e Europës Lindore. Parashikimet për vitet 2009-2010 dhe rreziqet që ekzistojnë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson që ekonomia e Europës Lindore do të tkurret me 5% në 2009-n kundrejt një rritjeje vjetore prej 4 përqindësh në 2008-n. BERZH-i paralajmëron për rritjen e kredive me probleme, shtrëngimin e kushteve të kredive dhe krizat bankare dhe të monedhës. Për më tepër, BERZH pret një rritje të sheshtë, ose shumë të dobët për gjysmën e parë të vitit 2010.
Në njoftimin për shtyp të BERZH-it thuhet: “Kriza ekonomike globale, që fillimisht kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në sektorin financiar, po ndikon tashmë rëndë sektorin e korporatave, duke çuar në rënie të mëdha të prodhimit në fund të vitit 2008 dhe në tremujorin e parë të këtij viti. Kjo situatë ka filluar të tkurrë konsumin e brendshëm”.
Parashikimi
Sipas parashikimit të BERZH-it, ekonomitë e Europës Qendrore dhe vendeve baltike pritet të ngadalësohen me 3%, pas një rritjeje prej 3.4 përqindësh në 2008-n, teksa rëniet dyshifrore në vendet baltike dhe një rënie e rëndë ekonomike në Hungari do të neutralizohet pjesërisht nga një rritje e sheshtë në Poloni, që pritet të përfitojë nga kërkesa e brendshme krahasimisht e qëndrueshme.
Rënia ekonomike do të kapë gjithashtu edhe vendet e Europës Juglindore, shumë prej të cilave ende po rriteshin në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Pas një rënieje të madhe të prodhimit në tremujorin e katërt, ekonomia rumune pritet të vazhdojë të tkurret gjatë këtij viti, me një rënie totale të prodhimit prej 4%, në krahasim me 2008-n. Në vendet e tjera të Europës Juglindore priten disa tkurrje më të buta, me një mesatare rajonale si në Europën Qendrore dhe në vendet Baltike.
Në Europën Lindore dhe Kaukaz, tkurrja që po ndodh është edhe më e mprehtë, pjesërisht për shkak të sistemeve më të brishta financiare dhe pjesërisht prej varësisë më të madhe nga mallrat, të cilat kanë vuajtur nga rënie e çmimeve dhe e volumeve që nga mesi i vitit të kaluar. Ukraina, në veçanti, ka përjetuar një goditje të trefishtë, me çmime shumë të ulëta të eksportit dhe volumeve, çmime më të larta të energjisë së importuar dhe një reduktim të shpejtë të financimeve të jashtme. BERZH-i pret që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) real i Ukrainës të jetë rreth 10% më i ulët në 2009-n, krahasuar me 2008-n.
Rusia ka vuajtur nga rënie të mëdha të prodhimit në muajt e fundit në 2008-n dhe në fillim të këtij viti. Bazuar në vlerësimet e qeverisë, që presin një reduktim të jashtëzakonshëm të PBB-së në tremujorin e parë, BERZH-i po projekton tani një tkurrje vjetore prej 7.5% në 2009-n, pasi një rënie e madhe në gjysmën e parë të vitit do të kompensohet nga një ringritje në gjysmën e dytë, e orientuar nga pagesat fiskale nxitëse të qeverisë, dhe mund të rishikohet në momentin që do të publikohen shifrat finale të PBB-së në tremujorin e tretë.
BERZH-i projekton gjithashtu një rënie të madhe vjetore të PBB-së për Turqinë në vitin 2009, e orientuar kryesisht nga një rënie e madhe e prodhimit në tremujorin e fundit të 2008-s, që vazhdoi në tremujorin e parë të këtij viti.
Vendet e Azisë Qendrore, që janë më pak të integruara financiarisht, po mbahen më mirë, me një rritje më të ulët, por ende pozitive që pritet në pjesën më të madhe të vendeve. Përjashtimi kryesor është Kazakistani, që po vuan nga një krizë bankare dhe ku pritet një rënie e prodhimit 2% për 2009-n.
E përbashkët në këto parashikime është pikëpamja se dy tremujorët më të këqij, përsa i përket rënies me bazë tremujorë të prodhimit, janë mbrapa nesh në këtë pikë. BERZH-i ende parashikon rënie të prodhimit për pjesën më të madhe të ekonomive për pjesën e mbetur të vendit, por me norma më të buta. Për më tepër, disa ekonomi – veçanërisht ato me paketa të mëdha fiskale nxitëse – pritet të ringrihen përkohësisht në gjysmën e dytë të vitit. Gjithsesi, rritja pritet përgjithësisht të jetë e sheshtë ose shumë e dobët në gjashtëmujorin e parë të vitit që vjen, teksa rritja e kredive mbetet e kufizuar nga huat me probleme dhe problemet financiare të bankave, dhe kërkesa e jashtme mbetet e dobët.
Një rimëkëmbje e qëndrueshme dhe graduale pritet të ndodhë vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2010, në linjë me përmirësimin e ngadalshëm të kushteve të jashtme. Për rajonin si një e tërë, rritja e 2010-s pritet të jetë rreth 1.4%, një rritje prej 1.3% në Europën Lindore dhe Kaukaz, 3% në Azinë Qendrore, por rritje më e dobët pritet në Europën Qendrore dhe shtetet Baltike prej 0.2% dhe 0.4% në Europën Juglindore. Rritja në Rusi në 2010-n pritet në 2.5%.
Rreziqet
Në këtë panoramë ka rreziqe, si për uljen, ashtu dhe rritjen e parashikimeve për ecurinë ekonomike.
•Për ulje, kulmi i huave me probleme, të cilat janë rritur gjatë muajve të fundit, është ende përpara, ashtu siç është dhe kulmi i papunësisë. Teksa të dyja rriten, kjo jo vetëm do të përshpejtojë ritmin e tkurrjes së kredisë, por gjithashtu do të shtojë stres domethënës në sistemet bankare. Do të jetë e vështirë të përballohet kjo situatë pa mbështetje të jashtme, duke përfshirë mbështetje nga bankat ndërkombëtare mëmë ose degët vendase. Në rast se financimet e jashtme të kërkuara nuk do të vijnë, kjo mund të rezultojë në një numër krizash bankare dhe të monedhave, duke çuar në një valë të dytë të rënies së mprehtë të prodhimit disa tremujorë më pas.
• Për rritje, ritmi i rënies së prodhimit në përgjithësi është ngadalësuar në muajt e fundit dhe ka pasur rritje mujore të prodhimit industrial në disa vende. Në të njëjtën kohë, treguesit e besimit kanë filluar të përmirësohen në pjesën më të madhe të vendeve ku ato janë të disponueshme, dhe tregjet financiare kanë filluar të rimëkëmben si globalisht, dhe rajonalisht. Në rast se kjo ndodh, kjo mund të çojë në një rreth virtuoz të përmirësimit të besimit, vlerave më të larta të aktiveve, shpenzime të brendshme dhe ringritje të kërkesës së jashtme, që mund të kompensojë pjesërisht ose tërësisht efektet e kundërta të huave më të larta me probleme në disponueshmërinë e kredisë dhe aktivitetit ekonomik.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›