Borxhi shtetëror, rritet nga viti në vit fatura e shqiptarëve
Borxhi që shteti shqiptar ka thelluar në katër vitet e fundit është një faturë e lartë që do tu rëndojë xhepave të taksapaguesve shqiptarë për vite me radhë. Ky borxh i cili ndahet në dy grupe, në të jashtmin dhe të brendshmin, është rritur si pasojë e shtimit të interesave të tij edhe prej kredive të fundit tregtare që qeveria mori prej bankave private. Raporti borxh i brendshëm/borxh i jashtëm ka pësuar ndryshme në totalin e përgjithshëm të tij. Në vitin 2005 ky raport ishte 70 me 30 për qind në favor të borxhit të brendshëm. Në fund të vitit 2008, për arsyet e përmendura më lart, ky raport ka ndryshuar në 67 me 33 për qind, për borxhin e brendshëm. Në raport me GDP-në, në fund të vitit 2008, borxhi i brendshëm përfaqësonte 36.73 për qind, ndërsa borxhi i jashtëm 17.91 për qind. Por jo vetëm stoku, edhe shpenzimet për interesat e borxhit kanë pasur të njëjtin trend. Ndonëse kanë pësuar rritje në vlerë absolute, në raport me GDP-në, shpenzimet për interesat e borxhit kanë ardhur në rënie. Në vitin 2005 ato përfaqësonin 3.19 për qind të GDP, ndërsa në vitin 2008 përfaqësojnë 2.87 për qind. Ndryshime kanë ndodhur edhe për sa i përket përbërjes së stokut të borxhit të brendshëm sipas instrumenteve. Për rrjedhim, pesha e tyre në totalin e stokut të borxhit të brendshëm ka ardhur duke u rritur. Në fund të vitit 2008 këto instrumente përfaqësonin 36.14 për qind të stokut të borxhit të brendshëm, kundrejt 11.67 për qind që zinin në vitin 2005. Si rezultat i këtyre ndryshimeve strukturore, është rritur edhe treguesi i maturimit të borxhit, tregues i cili në fund të vitit 2008 arriti në 401 ditë nga 195 ditë që ka qenë në fund të vitit 2005. Në funksion të përmirësimit të menaxhimit të borxhit publik, Ministria e Financave ka zbatuar politika, që synojnë zhvillimin e tregut primar të letrave me vlerë të qeverisë, nëpërmjet zgjerimit të bazës së investitorëve dhe shtimit të llojit të instrumenteve. Në stokun e borxhit të jashtëm, mbizotërojnë kreditë koncensionale që zënë 63 për qind të këtij stoku, ndërsa lidhur me përbërjen sipas monedhave, 38 për qind e stokut të borxhit të jashtëm është në euro, gjë që i përgjigjet edhe strukturës së të ardhurave tona në valute. Kreditori kryesor i vendit është Banka Botërore, e cila mban 37 për qind të stokut të borxhit, e pasuar nga Italia, Gjermania, BEI, etj. Në katër muajt e parë 2009, stoku i borxhit të brendshëm arriti në 398 miliardë lekë. Në vlera absolute, të dhënat zyrtare treguan se stoku i borxhit të jashtëm arriti në rreth 214 miliardë lekë, i ndarë në 181 miliardë lekë borxh shtetëror dhe 33 miliardë lekë borxh i garantuar.
25 Maj 2009