E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa shitet arti?

Në Kosovë janë organizuar disa herë art ankande me qëllime të ndryshme, disa për bamirësi e disa prej tyre edhe me qëllim të shitjes së punës artistike dhe përfitimit nga ajo. Artistët gjejnë mundësinë e shitjes së punës së tyre edhe në forma tjera, por a janë të kënaqur me shitjen e veprës së tyre? Nga Albana S. Muja më 23 janar 2011 në ora 13:58

Arti tek ne vihet pak në dukje, pak shitet ngaqë pak blihet! Shpesh punën e artistëve tanë e shohim nëpër ekspozita kolektive, e kush prej tyre ekspozon edhe punën në ekspozitë personale, jo shpesh janë në modë ankandet, pavarësisht që ndonjëherë bëhen kush me një qëllim e kush me një tjetër!

Mirëpo, për të stimuluar shitjen e artit gjenden forma të ndryshme. Atë të cilën e hasim në gjithë botën është organizimi i ankandeve. Edhe në Kosovë disa herë janë organizuar ankande të ndryshme, disa me qëllim bamirësie dhe shumë më pak ankande me qëllim shitjen e punës artistike, e ka edhe prej atyre që artistët nuk janë ndarë të kënaqur me organizimin e gjëra të tilla!

Artistja Zake Prelvukaj është njëra nga ato e cila nuk është e kënaqur me shitjen sot, në krahasim me kohët e mëhershme, mirëpo, sipas saj, diçka shitet. Puna e saj është shitur edhe në ankande por edhe nga vet ajo. Sipas Prelvukajt, peripecitë, nga viti në vit për të jetuar me këtë profesion kanë qenë të vështira.

“Ata që jemi profesional nuk e japin pikturën “shkel e shko”, të dhimbset, sepse është njëfarë hakmarrje ndaj vetvetes. Ka prej njerëzve intelektualë të cilëve iu kam falur piktura, mirëpo e kam ditur shumë mirë te kush shkon piktura. Jam e lumtur shumë me menaxhimin e pikturës sime dhe shitjen e saj, sepse në këtë tmerr që ne e kemi pasur nga vitet e 90-ta, ishte vështirë ngaqë nuk kemi pasur asgjë, as studio as asgjë nga shteti, madje-madje i kemi pasur edhe rrogat e vogla, mirëpo, çdo gjë në jetë me pozitivitet, me ndihmë me financa, çdo gjë e kam prej artit, që asnjëherë nuk kam pushuar”, tha Prelvukaj. Kjo flet që Prelvukaj jeton nga puna e saj artistike, po çka për ata të cilët nuk mund të jetojnë nga arti?

Prelvukaj ka organizuar më herët tri ankande me qëllim bamirësie, njërën në bashkëpunim me Mimoza Kusarin, për fëmijët me nevoja të ndryshme. Sipas saj, ankandet kanë pasur shumë sukses, 4900 euro ka qenë çmimi më i lartë i pikturës që është shitur në këto ankande, krejt kanë qenë studentë të rinj dhe disa mysafirë, 5 përqind e fitimit ka shkuar në ndihmë të artistëve të rinj dhe 95 përqind ka shkuar për fëmijët. “Mirëpo, ankandi serioz në Kosovë ende nuk është bërë, ai ankand do të bëhet mund të them pas një kohe atëherë kur arti do të jetë më në pah, sepse tash arti nuk shihet dhe ankandet janë shumë të dobëta, në disa që janë mbajtur mund të biesh edhe në depresion sepse ta zhvlerësojnë punimin që e ke, kështu që tash për tash në ankandet që janë munduar të jenë serioze të organizuara nga disa në Kosovë mund të them që vetëm që kanë bërë që artistët të bien në depresion”, u shpreh Prelvukaj.

Ndërsa artistja Majlinda Kelmendi, e cila drejton Galerinë Expoart.40, thotë që galeria e saj nuk ka organizuar ende ndonjë ankand, mirëpo, po që se do e bëjë do të shkojë sipas disa rregullave për të cilat ajo shpreh pakënaqësi, e që i ka përjetuar në disa ankande që ishte pjesëmarrëse. Dhe sipas saj, ka disa lloje të ankandeve, duke nxjerr një çmim fillestar të veprës dhe duke rritur ketë çmim të interesuarit deri sa të përcaktohet çmimi final i blerjes së veprës nga ofertuesi i fundit i interesuar. Sipas Kelmendit, ka raste që organizohen oferta të mbyllura dhe kur ofertat hapen del fituesi i përfitimit të veprës ai klient qe jep ofertën më të mirë.

“Por unë mendoj qe kur bëhen këto ankande të bamirësisë duhet të ketë kontratë të shkruar me artistin dhe të shkruhen qartë xhirollogaria ku do të shkojnë këto përfitime ‘bamirësie’, duhet të përcaktohet shuma 70% për bamirësi 30 % për artistin dhe shumë sqarime tjera me detaje, pasi siç edhe dihet ka shumë raste qe abuzohet me këto fonde”, tha Kelmendi
Kelmendi shpalos pakënaqësitë pasi që vet ajo ka pësuar nga disa lloje organizimesh të tilla të ankandeve.

“Artistët janë të ndjeshëm dhe të gatshëm në shumë raste të dhurojnë një vepër të tyre për ankande ne raste te caktuara, por shpesh ka ndodhur që gjerat nuk janë të qarta për këto organizime dhe marrëveshjet bëhen me telefon ose me biseda në kafe. Kjo gjë nuk me duket aspak serioze dhe profesionale nga organizatoret”, tha ajo.
Ajo vazhdoi duke shpalosur parregullsitë, duke thënë që pasi ka përfunduar ankandi nuk janë mbledhur fare këta artistë për t’i dhënë një raport për të treguar në mënyrë transparente dhe me shkrim se ku janë dërguar këto fonde.

“Unë vet kam dhuruar dy herë në dy ankande dy punime të mijat, por jam ndarë e çuditur dhe e zhgënjyer me këto lloj organizime, kështu për raste të tjera do të jem rigoroze, kur të më kërkohet një gjë e tillë”, tha Kelmendi

Sipas Kelmendit, duhet të bëhen gjerat me seriozitet dhe përgjegjësi si nga organizatorët ashtu dhe nga artisti pjesëmarrës. Vetëm kështu mund të themi që ky qellim i mirë i bamirësisë u realizua me sukses.

Për dallim të ankandeve të cilat janë organizuar me qëllim bamirësie, skulptori Burim Berisha, para disa viteve, ka organizuar dy ankande me një qëllim tjetër. Sipas tij, ideja për ankandin e parë ka ardhur me qëllimin për ta ndërlidhur pak shitjen dhe punën artistike.

“Në kohën kur kam organizuar ankandin rreth vitit 2005, artistët të cilët shitnin punime i quanin komercial, ndërsa mua më dukej shumë normale, nëse një artist shet punime. Nëse një njeri merret me art dhe e përdor vetëm për shitje, atëherë mund ta quajmë komercial, ndërsa një artist i cili punon gjithë kohën dhe e ka qasjen artistike, kreative pa asnjë qëllim për shitje dhe nëse iu ofrohen blerës, ndërsa ai nuk i ka shitur ose nuk i ka konvenuar shitja, këtë kompleks e kam sulmuar”, tha Berisha.

Mënyra më e mirë për ta asgjësuar këtë kompleks për Berishën ka qenë organizimi i art ankandit, duke rrezikuar në shitjen e punimeve të atyre artistëve të cilët nuk mendojnë komercial por punojnë për dëshirën e tyre. “E këto punime kam dashur t’i shes, pa menduar që të jap paratë ndihmë për diçka apo t’i stimulojë në mënyra komerciale blerësit. Artistët e kanë sjellë punën e tyre, deri 100 euro ka qenë çmimi fillestar e pastaj çmimi është rritur gjatë ankandit, duke bërë që asnjë punë e rreth 17 artistëve të mos shitet me çmimin fillestar”, tha Berisha.

Çmimi i cili ka shkuar më së larti ka qenë 450 euro. Këtë art ankand e pati ndihmuar zyra zvicerane “Pro Elvetia”, mbajtur në Muzeun Etnologjik.
Berisha, ka bërë edhe një ankand tjetër, duke dashur që të shfrytëzojë rastin gjatë fushatës elektorale, me një qëllim.

“Kam dashur të testoj politikanët, sa janë të gatshëm të japin para gjatë fushatës së tyre, d.m.th. a kanë interes të blejnë art për të marrë vota. Kjo nuk ka funksionuar mirë, janë shitur disa punime, mirëpo nga politikanët asnjë nuk është blerë, ngaqë nuk ka pasur kamera. Kanë ardhur përfaqësuesit e tyre dhe kanë ikur, ngaqë kanë munguar kamerat, pavarësisht që janë zotuar, disa nga këta politikanë që do të blejnë gjithë ekspozitën”, tha Berisha.

Blerja e punës artistike e paraqitur nëpërmes ankandit, sipas Berishës, duhet të futet në trend, sidomos tek binznesmenët apo ata që kanë para. Ndërsa se sa është me rëndësi art ankandi për artistët, Berisha tha: “Art ankandi për artistin është shumë i mirë sepse, punën e vet e shet, në anën tjetër merr parat që mund ti shfrytëzoj për të blerë prapë material apo edhe fiton nga puna e tij, e mira tjetër është që punën, e ka në ekspozitë permanente të përhershme të atij që e ka blerë apo edhe rrethit të tij. Edhe blerësi mund të fitojë ngaqë pas një kohe nëse artisti ka sukses ai mund ta shes prapë pikturën dhe të fitojë nga ajo, siç ndodh në gjithë botën, apo edhe mund ta vendosë në pjesën e koleksionit të tij”, u shpreh Berisha.

Në anën tjetër, sipas Prelvukajt, ankandet do të vijnë atëherë kur do t’i menaxhojmë bashkërisht me veprimin në artin serioz të shitjes sikur në ankandet rajonale dhe evropiane, botërore.

“Sepse tjetër është ta vlerësojmë Muslim Mulliqin ne në Kosovë, e tjetër kur vjen një njeri në Kosovë i cili ka njohuri globale, ndoshta studiuesit që e studiojnë pikturën e Pikasos nesër i bëjnë studim edhe pikturës së Mulliqit atëherë do të jetë ankand që vlen”, tha Prelvukaj.

Piktura më e shitur e Prelvukajt, është rreth 17 mijë euro, e blerë nga një menaxher i bankës së Johanesburgut, kjo pikturë është e vendosur në këtë bankë. Ky i fundit është koleksionues i punës së piktorëve të njohur botërorë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›