Sherr për drejtësi
Gjyqtari i basketbollit Zaim Zenuni ka rënë në hall të madh. Në dy vitet e fundit, 30 vjeçari thotë se është lënë anash nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK).
Përmes një emaili dërguar Gazetës Express, Zenuni është ankuar se është anashkaluar dhe i është bërë e padrejtë. Ai ka drejtuar 15 ndeshje të Superligës në sezonin 2007-2008, derisa nuk e di arsyen pse nuk po i jepet rasti të referojë. Për këtë ai fajëson komisarin e garave, Nazmi Paçarada.
“Në kohën e Mit’hat Belegut, një legjendë e basketbollit, referoja rregullisht. Bile edhe në gjysmëfinale e finale të play-off-it. Por, pasi u kthye Nazi në krye të Komisionit të Garave, gjërat ndryshuan. Ai ua dha rastin të referojnë gjyqtarëve të rinj dhe të papërvojë, të cilët rrinë në restorantin e tij. Mua m’u bë padrejtësi, pasi referova 10-15 ndeshje më pak se ata. Po shihet se këtu janë formuar grupacione”, theksoi fillimisht Zenuni përmes emailit të tij.
“Unë jam ankuar te Paçarada për numrin e vogël të ndeshjeve. Ai më tha se ka kritere, të cilat unë duhesha t’u përmbahesha. Por, unë nuk dua t’i nënshtrohem askujt, nuk lejoj të m’i ulë vlerat askush”, ankohet Zenuni.
Ai tregon se nuk ka lënë vend pa u ankuar, duke u nisur nga udhëheqësit e kaluar të Federatës, Departamenti i Sportit, Shoqata e Gjyqtarëve, por edhe te kryesia aktuale e Federatës.
“Jam ankuar çdo kund, por nuk e kam idenë pse nuk më është kthyer asnjë përgjigje. Tash jam ankuar edhe te kryesia e re e Federatës dhe më është premtuar se do të shqyrtohet ankesa ime”, shkruan Zenuni.
Zenuni tregon se ishte i vetmi gjyqtar që e kaloi testin fizik për sezonin 2009-2010 dhe u la jashtë. Ai mendon se komisari i garave ka diçka personale me të.
“Pasi jam ankuar te Paçarada, ai më ka thënë se nuk ishte vendi i duhur për ankim. Ndoshta mendon ai se duhet të ankohem në Federatën e Pingpongut apo diku tjetër. Në muajin mars të vitit të kaluar, Nazi më ka thënë se jam i suspenduar përjetë, derisa ai të jetë komisar”, vazhdon shkrimin Zenuni.
Ai njofton se Paçarada i kishte thënë që të kërkojë falje publike nëse dëshiron t’i kthehet referimit, por nuk e kishte bërë një gjë të tillë, pasi e ka princip që mos t’i nënshtrohet askujt. Sido që të jetë, gjyqtari vushtrrias shpreson që sa më shpejt Federata e Basketbollit të Kosovës ta zgjidhë këtë çështje dhe t’i kthehet normalisht referimit.
Në anën tjetër, kritikave të Zenunit u është kundërpërgjigjur komisari i garave të FBK-së, Nazmi Paçarada. Ky i fundit ka thënë se nga viti 2002 deri 2006, kur ishte komisar i garave, në garat e ligës më të fortë që ka pas ndonjëherë Kosova, Zenuni nuk ka qenë i përfshirë në listën e Shoqatës si gjyqtar.
Paçarada shton se në vitin 2006, kur është tërhequr nga posti i komisarit, Zenuni ka filluar dhe ka përcjellë seminaret për gjyqtarë dhe ka hyrë në listën e gjyqtarëve me avancim deri në Ligën Verore, të cilën askush nga kompetentët e atëhershëm nuk ka bërë kontroll se si po gjykon.
“Askund në botë nuk ekziston avancim i tillë që menjëherë të kalosh në Superligë pa i kaluar të gjitha ligat dhe atë me performancë që i plotëson kriteret, sikurse e kanë bërë një gjë të tillë gjyqtarët që sot e bajnë barrën kryesore të ligës si psh: Daut Mehmeti, Alban Vula, Xhelal Mumini, Arbnor Rifati, Xhavit Beqiri, Fisnik Ramadani, Agim Halili”, theksoi Paçarada i cili përmendi vetëm Edmon Raçën që ka pasur avancim më të shpejtë, pasi e ka merituar këtë, ngase për shumë kohë ka qenë basketbollist i dalluar dhe e ka ndjenjën e referimit.
Ai përmendi edhe gjyqtarin Faton Kurshumlija, që për katër vjet ka mbërri të jetë lider i arsyeshëm, sepse komunikimi për gjykim sa më të mirë ka qenë i përditshëm mes tyre, plus ka investuar në vetvete. Tash Kurshumlija është i aftë t’i drejtojë ndeshjet edhe në Bundesliga gjermane
“Këtë komunikim e kam edhe me të tjerët për çdo ditë dhe për çdo rast që ju ndodh apo mund të ju ndodhë në ndeshje. Jam i gatshëm në çdo moment që ta bëjë me çdonjërin, por asnjëherë afërsinë me mua nuk e keqpërdorin. Sepse, kur është në pyetje zyrtarja, nuk e njoh askënd, vetëm rregullshmërinë e kërkoj”, vazhdoi komisari i garave.
“Në mungesë të kontrollorëve të ndeshjes, shpesh edhe gjatë pauzës komunikoj me ta edhe me tone të ashpra, që ata të jenë në nivelin e duhur, qofshin ata edhe gjyqtarët më të vjetër që më kanë referuar edhe mua, por gjithherë me raporte të shëndosha”, vijon ai.
Pa dashur të lavdërohet, Nazi përmend seminaret që ka organizuar me instruktorët më në zë në rajon dhe Evropë, gjë që, vazhdon ai, nuk e ka bërë askush nga federatat tjera, duke bërë që basketbolli kosovar të jetë më profesional dhe të përparojë.
“Mirëpo, unë karakterin dhe kulturën nuk mund të t’ua ndryshoj. Gjyqtari në fjalë nuk e ka zgjedhë rrugën e avancimit, afërsisë me kolegë, bashkëpunimin dhe kritikat, por të kundërtën: konfrontimin me të gjithë, kolegët, trajnerët, përfaqësuesit e klubeve, vërejtje të cilat pas çdo ndeshje të tij i komunikonin tek unë. Vërejtje të cilat kur unë fillova t’ia transmetoj, por edhe të miat, për performancën e tij në ndeshje, nuk i pranonte që t’i evitonte, por i merrte si tendencioze e që tek unë nuk e ka dhe s’do ta ketë asnjeri”, tha Paçarada.
Sipas Nazit, Zenuni e ka përdorur komunikimin e ashpër, të cilin nuk ia toleron askush, me ofendime, ankesa dhe shkresa, të cilat për të ishin të papranueshme.
“Nuk e kuptoj se çka dëshiron ai me këto shkresa, ku është qëllimi i tij. Mua nuk mund të ma hedhë poshtë përkushtimin, punën profesionale dhe tendencën për avancim të më të mirëve. Teket e tij, konfliktualitetin me të gjithë nuk mund ta shërojë me mua askush nga largësia dhe shkresat, por me komunikim të përditshëm, nëse ka nevojë edhe në gjysmë të natës, sepse ky është përkushtimi im për të sinqertit dhe jo tek ata që s’kanë aftësi ta përcjellin avancimin e kolegëve dhe ju pengon çdo gjë”, tregon Paçarada i cili shton se është fusha e lojës ajo ku duhet të arsyetosh nivelin prej gjyqtari e jo shkresat.
Sipas Paçaradës, nuk ka udhëheqës të garave që nuk e delegon atë që e kryen punën në bazë të rregullave dhe ka aftësi të përbashkët me çfarëdo sfide të ndeshjes. “Ky gjyqtar nuk po kupton që të gjitha strukturat ku ankohet mund ta bëjnë një të vetme, që ta fusin në listë e që mua nuk më obligon ta delegoj”, shpjegon ai.
Nazi e pranon se më herët i kishte thënë Zenunit se vetëm komunikimi në mes të dyve do të mund t’i ndryshonte gjërat dhe raportin, por që gjyqtari vushtrrias e ka ndjekur një rrugë tjetër. Paçarada nënvizon se, edhe pse Zenuni ka gabuar herën e parë, është i hapur për dialog dhe mundësi të dytë, të cilën, sipas tij, nuk do t’ia jepte askush.