E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti: Na mbyti Man. Siti Suksesi i Mançinit smë shokon

çelsi Trajneri s’i kursen komplimentet për bashkëkombësin e tij në pankinën rivale

Trajneri i çelsit, Karlo Ançeloti, ka refuzuar t’ia lërë fajin Xhon Territ për humbjen e parë në këtë sezon, e cila ndodhi pikërisht të shtunën pasdite në përballjen në shtëpi ndaj Mançester Sitit, i cili mundi të triumfonte me rezultatin 4-2 në “Stamford Bridge”. I pyetur nga kanali prestigjioz sportiv “Sky Sports”, se a ishte humbja rezultat i gjërave që ndodhën para fillimit të ndeshjes (nënkupton polemikën e madhe në lidhje me çështjen e tradhtisë së Territ ndaj Brixh të skuadrës mike), Ançeloti u përgjigj: “Jo, nuk mendoj ashtu si thoni ju”. Në këtë sfidë turpëruese për çelsin, Juliano Beleti dhe Mikael Balak ishin të detyruar të lënë fushën e lojës, për shkak të ndëshkimit të tyre me nga një karton të kuq në minutat e fundit të sfidës. “Ne jemi të zhgënjyer, për shkak se humbëm një ndeshje të rëndësishme, ne humbëm ndeshjen e parë në shtëpi, por bëmë gabime dhe kur bën gabime, është thuajse e sigurt që do ta humbasësh atë ndeshje”. Më pas tekniku italian i londinezëve i hyn analizës së mirëfilltë të ndeshjes. “Unë mendoj se i kemi humbur balancat në skuadër, sepse ne ishim në një dyluftim 2 kundër 1 në rastin e golit të parë të Tevezit, ndërsa ishim në një luftë 2 kundër 2 në golin e dytë. Dhe pikërisht kjo tregon një humbje të balancave në skuadër, gjë që nuk vjen për shkak të gabimeve individuale”, nënvizoi Ançeloti, i cili më pas filloi të detajojë edhe lojën jo të mirë të skuadrës së tij në këtë sfidë jo pak të rëndësishme. “Ne luajtëm një pjesë të parë të mirë dhe shënuam gol, por më pas edhe pësuam një. Në pjesën e dytë humbëm balancat në skuadër dhe Mançester Siti na mbyti në kundërsulme. është hera e parë që kemi humbur balancat në një ndeshje. Nuk jam i habitur për suksesin e Mançinit, pasi ai e ka treguar se është një trajner i madh”. Për garën për titull në Premier Ligë, Ançeloti u shpreh: “Duhet të shikojmë përpara dhe të kontrollojmë besimin tonë, pasi jemi në krye të tabelës, është vetëm një pikë, por ama është një pikë. Mendoj se ne kemi më shumë gjasa, respektojmë Mançester Junajtid dhe Arsenalin. Kjo është çfarë thotë tabela”, përfundoi Ançeloti.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›