E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sa të pasur janë Spahiu, Dibra dhe Halili

Pasuria e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar, të lakuara për problemet e korrupsionit, mbetet ende shumë e diskutuar. Në vazhdën e transparencës së pasurive të funksionarëve të lartë, gazeta "Shqip" kërkoi pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, deklaratat e pasurive të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, të drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, dhe të drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Astrit Halilaj. Në numrin e sotëm, gazeta po boton se si kanë ndryshuar pasuritë ndër vite, gjatë kohës që kanë qenë me poste shtetërore. Spahiu e ka ngritur pasurinë mbi konsulencat ligjore, Dibra mbi trashëgiminë e familjes, ndërsa Halili nga emigracioni.

Kreshnik Spahiu
Deklarimi i pasurive të nënkryetarit aktual të KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka filluar në vitin 2007, kur mori edhe postin. Ai ka deklaruar si pasuri të vetën një apartament banimi me sipërfaqe 100 metra katrorë në rrugën "M. Shyri", Tiranë. Apartamenti është prenotuar në vitin 2002 dhe hipotekuar në datën 19.10.2004. Burimi, sipas dokumentit të deklarimit të pasurive, është me të ardhura nga aktiviteti si avokat dhe nga konsulenca ligjore. Vlera e apartamentit është 31 000 USD. Ai ka një tjetër apartament banimi me sipërfaqe 108 metra katrorë te Rruga Elbasanit Tiranë, e porositur në datë 5 shkurt 2005 dhe paguar pjesërisht. Burimi është me të ardhura si avokat, nga kursimet e bashkëshortes. Vlera e apartamentit është 70 000 USD. Gjithashtu ka edhe një ambient 15 metra katrorë, të cilën e ka përfituar nga një dhurim për shkak të përfaqësimit ligjor. Vlera totale e ambientit është 17 000 USD. Zotëron edhe një garazh me sipërfaqe 12 metra katrorë, të cilën e ka përfituar nga shitja e pronësisë të një apartamenti banimi. Vlera e garazhit është 5 400 euro. Këto ishin pasuritë e paluajtshme. Në të njëjtin deklarim ka shtuar si "deklarimi i interesave private" një dyqan me sipërfaqe 21 metra katrorë në rrugën "Myslym Shyri". Dyqani është blerë në vitin 2001. Burimi është me të ardhura nga shitja e pronësisë së një shtëpie banimi. Vlera e tij është 21 000 euro. Spahiu ka një depozitë bankare 20 565 euro, 273 999 lekë dhe 7619 USD. Të ardhurat janë krijuar nga kursimet si avokat, ekspert ligjor, e honorare, si dhe kursimet e bashkëshortes. Ka një depozitë bankare që në vitin 2006 me 50 000 lekë. Burimi është nga anëtarësia në bordin e këshillit të statistikave. Gjithashtu ka një depozitë 600 000 lekë, ku burimi është aktiviteti tregtar i prindërve të bashkëshortes. Si "të ardhura të krijuara", Spahiu ka përfituar si drejtor i ZMQ-së dhe honorareve nga konsulencat 13 500 USD, si kryetar i bordit të koalicionit antikorrupsion 1600 euro dhe si trajnues e konsulent pranë Institutit Shqiptar të Medias 4 800 euro. Ndërkohë, nga konsulenca ligjore për funksionimin e qendrës "Akses" ka përfituar 3600 euro dhe në fund ka deklaruar një përfitim prej 90 000 lekësh si anëtar i bordit të këshillit të statistikave dhe nga bashkëshortja ka përfituar 4 500 euro prej konsulencave gjyqësore. Në vitin 2008, ka deklaruar si të ardhura nga paga si zv.kryetar i KLD-së, si dhe honorare 250 000 lekë, të ardhura të kursyera nga puna si ekspert 1000 euro dhe të ardhura të kursyera nga paga si drejtues i ZMQ-së 2000 euro. Në vitin 2009, ka deklaruar të ardhurat nga paga, honorare e shpërblime 2743.113 lekë, të ardhura vjetore nga paga e bashkëshortes 7200 euro, të ardhura nga bashkëshortja si konsulente 5200 euro dhe të ardhura si anëtar i këshillit drejtues dhe udhëheqës teme në Shkollën e Magjistraturës 96750 lekë.

Gazmend Dibra
Në deklaratën e pasurive të datës 21 dhjetor 2005, si drejtor i përgjithshëm i Aviacionit Civil, Gazmend Dibra, ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një apartament 150 metër katrorë, me vlerë 33 mijë lekë, e privatizuar në vitin 1992, një apartament 140 metër katrorë, përfituar nga pronësia e truallit, me vlerë 40 mijë euro, të cilën e ka përfituar që në vitin 2005. Gjithashtu ka deklaruar edhe një dyqan te Rruga e Barrikadave, e përfituar nga privatizimi si pronar toke, 271 metër katrorë, që e ka marrë me 5 mars të vitit 1997, pjesa që zotëron është 1/64, sipas trungut familjar. Dibra ka deklaruar një tjetër dyqan te Rruga e Barrikadave, 141 metër katrorë, e përfituar në të njëjtën mënyrë, që me 25 shtator të vitit 1997 dhe pjesa që zotëron është 1/64, sipas trungut familjar. Është trashëgimtar i një trualli te "21 Dhjetori", 1079 metër katrorë, e përfituar që me 5 maj të vitit 1997, pjesa që zotëron është 1/64 sipas trungut familjar. Është trashëgimtar i një trualli prej 1315 metrash te "Misto Mame", i marrë që me 22 shkurt të vitit 1996 dhe pjesa që zotëron është 1/64, sipas trungut familjar. Është trashëgimtar i truallit "Gropa", 813 metër katrorë, sipas vendimit datë 24 mars 1995 dhe pjesa që zotëron është 1/64, sipas trungut familjar. Ka trashëguar truall te "Gropa" sërish, 673 metër katrorë, që me 24 mars 1995 dhe pjesa që zotëron është 1/32, sipas trungut familjar. Është trashëgimtar trualli te "21 Dhjetori", prapa Fakultetit të Ndërtimit, 24 655 metër katrorë, që me 28 janar 1997 dhe pjesa që zotëron është 1/64, sipas trungut familjar. Gjithashtu është trashëgimtar trualli te rruga "4 Dëshmorët", 510 metër katrorë dhe pjesa që zotëron është 1/64, sipas trungut familjar. Ka një truall në Skelë, dy parcela të trashëguara, 14 mijë metër katrorë dhe 19 mijë metër katrorë dhe pjesa që zotëron është 1/20, sipas trungut familjar. Si "të ardhura në familje" ka rrogën 60 mijë lekë në muaj, te Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil. Ka të ardhurat nga qiratë 300 euro në muaj, si dhe të ardhurat nga bashkëshortja e tij, Teuta Dibra, 35 mijë lekë në muaj, tek Albtransport. Në deklaratën e datës 18 mars 2008, si drejtor i përgjithshëm i Burgjeve, ka deklaruar si pasuri të paluajtshme dy makina "Rover" të vitit 1999 dhe "Ford", po i vitit 1999, me vlerë 10 mijë euro. Të ardhurat familjare ka nga posti i drejtorit, 1 milion e 400 mijë lekë në vit, të ardhura nga qiratë e disa objekteve e trojeve në trashëgimi të familjes 500 euro, të ardhurat nga aktiviteti publik në postin që mban bashkëshortja, nëpunëse të OPSHTR, vlera 45 mijë lekë në muaj dhe të ardhura nga interesa bankare, 1 mijë euro. Gjithashtu, ka depozitë në bankë, e hapur që në vitin 1999, 33 mijë e 196 dollarë, e krijuar me të ardhura të krijuara nga shitja e pronave të familjes. Ka një depozitë në bankë, 300 mijë lekë, të ardhura nga rroga dhe një depozitë 30 mijë lekë, të ardhura si anëtar i Këshillit Bashkiak.

Astrit Halilaj
Në deklaratën e datës 25 mars 2004, si oficer i Policisë Gjyqësore, kreu aktual i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Astrit Halilaj, ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një banesë private 150 metër katrorë në Selitë të Tiranës, e ndërtuar vetë që në vitin 1994, një veturë "Mercedes Benz 200", e blerë nga të ardhurat e familjes. Ka një depozitë bankare në vlerën 17 mijë dollarë, të ardhura nga emigracioni, të sjella nga familjarët e tij, si dhe një depozitë bankare në vlerën 10 mijë dollarë, të ardhura po nga emigracioni. Te "të ardhurat në familje", ka deklaruar pagën 44 mijë lekë në muaj dhe pagën e bashkëshortes, 42 mijë lekë në muaj punonjëse te drejtoria e përgjithshme e INSIG. Në vitin 2006, si drejtor i SHKB-së ka deklaruar pasuri të paluajtshme një autoveturë, e blerë më datë 1 maj 2003 dhe e shitur më 18 shkurt 2006. Çmimi i shitjes ishte 500 mijë lekë, më pas të depozituara në bankë. Në deklaratën e vitit 2007 ka deklaruar se ka pakësuar dy llogari bankare, me 6482 dollarë e 500 mijë lekë dhe të ardhura në familje ka deklaruar pagën prej 861 mijë lekë dhe pagën e bashkëshortes, 695 mijë lekë. Në deklaratën e vitit 2008 dhe 2009 ka deklaruar vetëm pagën e vet dhe të bashkëshortes.

S.Çobo

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›