E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët rrëfejnë në gjyq "ferrin Gërdec"

Dy dëshmitarë, Ndue Nikolli dhe Qemal Mema, me detyrë specialistë të grupeve të demontimit të municioneve në fabrikën e Gërdecit, kanë treguar dje metamorfozën e shpërthimit, e cila kishte ardhur si pasojë e grumbullimit të madh të barutit në sheshet e magazinave. Në një seancë maratonë që ka filluar në orën 10:00 e ka përfunduar në orën 16:00, Nikolli e Mema, dëshmitarët e akuzës, kanë treguar momentet e demontimit të municioneve, ku përdornin mjete të rastit, si sqeparë e leva. Më pas ndanin barutin nga gëzhojat e djegoret dhe u jepnin detyrat punëtorëve. Të dy, me djegie në trup, iu përgjigjën pyetjeve të katër prokurorëve, si dhe trupës së avokatëve, duke pranuar se në fabrikë punonin edhe fëmijë.

Ndue Nikolli:
"Kam punuar në një polici private dhe më pas në shoqërinë ‘Albdemil‘ në vitin 2008. Një shoku im, Mustafa Laçi, më tha se janë hapur disa vende pune në Gërdec. Më pas kam takuar të pandehurin Sokol Gjeçi, si dhe të pandehurin Mihal Delijorgji. Jemi takuar në një kafe në Gërdec dhe kemi biseduar për kushtet e punës. I kërkova punë dhe më tha, ‘hajde të hënën‘, pasi dita kur u takuam ishte e shtunë. Pas takimit, shkuam te fabrika e demontimit për të parë sesi realizohej puna. Unë kam qenë artiljer gjatë shërbimit ushtarak dhe kisha një pasion për demontimin e municioneve. Më pas më instruktuan Dritan Minxolli dhe një brigadier. Shef ishte Dritani, i cili bënte edhe inspektimin. Na thoshte që mos të ngelnin djegore, të cilat i vendosnim në arka të vogla. Si mjet për të demontuar municionet përdornim sqepar dhe leva të vogla. Nga demontimi përfitonim djegoret, të cilat i çonim në një vend të caktuar. Në vendin e demontimit mund të ishin rreth 6-7 grupe me nga tre veta. Demontimi realizohej me një pjesë betoni që ishte si hinkë. Predha dilte më vete e pjesët e tjera më vete. Sipërfaqja ku realizohej demontimi ishte një fushë e madhe. Baruti shkonte në disa kontejnerë, të cilët ishin rreth 500 metra larg vendit. Ditën e ngjarjes ishin të mbushur me barut. E gjithë puna zhvillohej në shesh, ndërsa municioni që e demontonim ne vinte që herët në mëngjes. Ditën e ngjarjes në shesh kishte shumë barut dhe, pasi ishin mbushur kontejnerët, ai duhet të kalonte në magazinë. Te zona tjetër kishte municione të tjera dhe në shesh nuk kishte shumë hapësira. Më 15 mars automjeti i vogël që transportonte barutin nuk ka ardhur dhe punëtorët filluan ta transportonin barutin me karroca të vogla metalike me katër rrota që shtyheshin nga punëtorët. Të pandehurin Sokol Gjeçi e njihja që më parë dhe kisha pirë nja dy herë kafe. Ai merrej me ardhjen e municioneve në fabrikë. Gjeçi shpesh herë fliste me Tanin ndërsa Ylli Pinarin e kam parë vetëm njëherë që ka ardhur në fabrikë. Duke iu kthyer demontimit dua të shtoj se predha, pas çmontimit, merrej nga fadroma, e cila i çonte në vendin e caktuar. Në lidhje me shpërthimin dua të shtoj se afër meje kanë qenë rreth shtatë persona të cilët merreshin me thasët e barutit. Diku nga mesi i barutit kam parë një zjarr. Një punëtor kishte marrë një thes dhe kishte filluar të shuante flakën që ishte krijuar. Në këtë moment më ka nxjerrë presioni i flakës. Shkova në rrugë dhe atje gjeta një makinë. Afër meje ishin edhe persona të tjerë që kishin djegie. Më pas na çuan te spitali "Nënë Tereza" e më pas në Brindizi, Itali, ku gjithsej ishim 8 të dëmtuar nga tragjedia. Jam djegur në masën 35-50 për qind të trupit. Në Itali kam qëndruar rreth dy muaj. Dua të theksoj se njëri nga punëtorët, gjatë demontimit, u dëmtua dhe kishte pasoja të rënda. Në sheshin e demontimit kishte edhe fikse të zjarrit, ndërsa pagesa ime ishte 3 mijë lekë në ditë, pra 90 mijë lekë në muaj. Në fabrikën e demontimit ka qenë edhe një amerikan me mjekër dhe interesohej për punën e demontimit si dhe filmonte punën që realizohej. Dua të shtoj se gjatë marrjes në punë në fabrikë nuk kam nënshkruar kontratë".

Qemal Mema:
Kam punuar në Rinas tri ditë dhe më pas kam vazhduar në fabrikën e demontimit të Gërdecit. Firmosa një letër e filluam punë pas takimit me Dritan Minxollin. Puna ishte me tre turne e unë punoja te makineria që demontonte municione të kalibrit 14.5 mm. I merrnim fishekët me dorë e i fusnim te makineria. Më pas dilte gëzhoja e baruti. Më pas i fusnim në një kuti. Dua të sqaroj se jam instruktuar nga Dritan Minxolli dhe gjatë procesit të demontimit kishte disa zjarre të vegjël, që ndizeshin në kova si pasojë e shkëndijave që mund të krijonte vetë baruti. Por, rreth makinerisë mbanim kova me ujë dhe në momentin që flaka përhapej, i hidhnim ujë. Afër vendit të demontimit kishim edhe disa fikse të zjarrit. Por, në fillim të vitit 2008, rreth muajit janar, mesa mbaj mend, një predhë më ra në këmbë. Pas konsultimeve me mjekun konstatova se kisha thyer gishtin e këmbës. U riktheva në punë. Më dhanë 200 mijë lekë si dëmshpërblim. Ditën e ngjarjes po nxirrnim barut nga gëzhojat. Procesi ishte në një fushë të madhe. Barutin e fusnim në një thes. Atë ditë baruti ishte në shesh dhe makina nuk kishte ardhur për ta marrë. Po e transportonim me karroca metalike. Në një moment, pashë një flakë e cila vinte nga baruti dhe po përhapej me shpejtësi. Ishte rreth 5-6 metra larg nga vendi ku ndodhesha unë. S‘kishte njeri afër zonës. Dikush më thirri "Qemal ik". Dhe pas kësaj ika nga dera kryesore e dola në rrugë. Hoqa rrobat që kishin marrë flakë dhe kisha disa probleme. Më vonë e kuptova se kisha djegie në dorë, qafë e kurriz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›