E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa u bënë?

Pavarësia e Kosovës të hënën është njohur nga Fixhi. Por, zyrtarët kosovarë ende nuk e dinë se sa është numri i shteteve që e kanë njohur realitetin e krijuar në Kosovë më 17 Shkurt 2008. Hajredin Kuçi, me ironi, premtoi se së shpejti do t’i numërojnë të gjitha njohjet.

Qeveria e Republikës së Kosovës të hënën palosi edhe një njohje të pavarësisë në sirtarin e saj diplomatik.

Republika e Fixhit thuhet të jetë shteti i radhës që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Lajmin për këtë e kumtoi vetë kreu i qeverisë, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes me kabinetin e tij.

“Ju konfirmoj se sot kemi pranuar konfirmimin edhe nga shteti i Fixhit për vendimin që ka marrë qeveria e këtij vendi për të njohur republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, tha Kryeministri Thaçi.

Mirëpo, as pas kësaj njohjeje, zyrtarët nga kabineti i tij nuk po janë në gjendje të konfirmojnë numrin e saktë të njohjeve për Kosovën. Një përgjigje rreth kësaj çështjeje dha zëvendësi i Thaçit, Hajredin Kuçi.

Ai premtoi se do t’i numërojë ato.

“Do t’i numërojmë dhe do të tregoj”, ishte përgjigja e Kuçit.

Një premtim për kumtimin sa më të shpejtë të numrit të saktë të njohjeve ditë më parë e dha edhe Zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi. Ai kishte deklaruar se presin konfirmimin e disa shteteve që numri të arrijë në 96.

Ndërkaq, deri tani në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme figurojnë vetëm 91 sosh.

Ajo e Republikës së Çadit është e fundit, e që ka ndodhur muaj më parë. Shumë më vonë se ajo ka ardhur njohja nga Timori Lindor, e cila u konfirmuar nga Kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj.

Të njëjtin konfirmim ky i fundit e kishte dhënë edhe për Republikën e Papua New Guinea, në po të njëjtën ditë kur edhe Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli lëshoi lajmin për njohjen nga Republika e Burundit.

Njohje këto që nuk figurojnë askund në faqen zyrtare të MPJ’së.

Por, për dallim prej këtyre në listën e njohjeve, Ministria e Enver Hoxhaj po mban ende atë të Nigerisë, e cila u kontestua nga vetë Ministri i Jashtëm i saj, Olugbenga Ashiru.

Me kryediplomatin nigerian, Gazeta Express ka kontaktuar përmes telefonit duke e pyetur se a ka marrë vendi i tij ndonjë vendim për të njohur Kosovën.

“Ne nuk kemi marrë asnjë vendim për këtë”, ka thënë Ashiru në një prononcim të shkurtër.

Pavarësisht kësaj, proklamuesi i kësaj njohjeje Behgjet Pacolli ka vazhduar me insistimet se ky vend e ka njohur Kosovën.

Kontradiktor rreth njohjeve, Pacolli ndërkaq u shfaq edhe për njohjen e shtetit afrikan Mali.

Pacolli kishte prezantuar njohjen në një konferencë për media, derisa nga Mali kishte ardhur një njoftim se nota verbale është falsifikuar.

Kjo pati shtyrë Ministrin Hoxhaj të deklarojë se njohja nga Mali nuk ka ndodhur asnjëherë, gjë që pati nxitur reagimin e Pacollit, i cili pati në anën e tij Kryeministrin Thaçi.

Kreu i ekzekutivit pati thënë se Mali kishte marrë vendim për njohje.

Por, kontestues i njohjes ishte vetë Kryetari i Malit, Diokunda Traore.

Tanjug ka njoftuar se Traore i ka thënë kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolic, se vendi i tij nuk e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës përmes një letre.

Zëvendëskryeministri Kuçi është pyetur nëse edhe pas gjithë këtyre kontestimeve gjatë numërimit të tij do të llogarisë edhe njohjet nga Nigeria dhe Mali. Ai tha se për këto u beson vetëm letrave.

“Ju e dini që si jurist jam shumë i kujdesshëm dhe u besoj vetëm letrave, kur t’i shohim letrat, do të japim qëndrimet tona”, ka thënë ai.

E si duket kujdesin e ka të mos bie ndesh me kolegët e tij qeveritarë.

“Unë nuk jam ai që nuk i di njohjet, po jam ai që nuk desha me ra në konflikt në thonjëza me qëndrimet apo fjalimet e dikujt tjetër”, ka thënë Kuçi të hënën.

Ndryshe, Fixhi është emri zyrtar për Republikën e Ishujve Fixhi, që është pjesë e Oqeanisë. Fixhi përbëhet prej një mori ishujsh në jug të Oqeanit Paqësor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›