Sa u kushton taksapaguesve shqiptarë qeveria “Berisha 2”
Vetëm me pagat mujore qeveria harxhon në muaj rreth 100 milionë lekë
Eljona Ballhysa
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, duket se nuk po mban premtimin elektoral për të pasur një qeveri në dietë. Megjithëse ai ka krijuar një kabinet qeveritar me një numër të vogël ministrash, nga ana tjetër ka krijuar më shumë se 3 kabinete të tjera “qeveritare” në prapavijë, që do të thotë se pas ministrave qëndrojnë jo pak, po 35 zëvendësministra dhe në ndihmë të kryeministrit janë emëruar jo pak, po 21 këshilltarë dhe ndihmës. Që të gjithë së bashku, vetëm me pagën mujore që marrin, i kushtojnë qytetarëve shqiptarë 100 milionë lekë në muaj, pa llogaritur këtu paratë që marrin nga pjesëmarrja në borde të ndryshme, dietat, makinat etj.
Paratë
Kryeministri Berisha është ndër ata drejtues që sipas burimeve nuk para i pyet këshilltarët dhe ndihmësit, megjithatë, numri i tyre në qeveri është më i madh se numri i ministrave, pra 21 të tillë. Paga mujore e një këshilltari është afërsisht 1.2 milionë lekë të vjetër në muaj. Paga e 21 këshilltarëve të kryeministrit Berisha kap shifrën e 25.2 milionë lekëve në muaj.
Kabineti qeveritar ka gjithsej 15 ministra. Secili prej tyre merr afërisht një pagë mujore prej 1.5 milionë lekë në muaj. Të 15-të së bashku kushtojnë 22.5 milionë lekë në muaj, pa përfshirë këtu paratë për karburant, pagesën e shoferit dhe shpenzimet të tjera, si bileta avioni, apo dieta. Shifra rritet edhe më shumë duke i shtuar edhe pagën mujore të kryeministrit, megjithëse duhet shtuar se në krahasim me homologët e tij kjo pagesë është normale.
Ajo që bie në sy më shumë në kabinetin qeveritar është fryrja e tij më një numër të madh zëvendësministrash, saktësisht 35 të tillë, që ndryshe përkthehen dy ose tre zëvendësministra në një dikaster. Një zëvendësministër merr një pagë mujore afërsisht 1.3 milionë lekë dhe 35 të tillë kushtojnë 45.5 milionë lekë të muaj.
Me një numër kaq të fryrë zëvendësministrash mësohet se kryeministri Berisha është munduar që të kënaqë aleatët. Zgjerimi i koalicionit qeverisës edhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka detyruar kryeministrin Sali Berisha që të rrisë në mënyrë formale dhe joefektive jo vetëm numrin e portofolave ministrorë, siç bëri në rastin e krijimit të postit të ministrit të Shtetit, por edhe të zëvendësministrave. Ndryshe nga kabineti paraardhës, ky i tanishmi ka plot 35 zëvendësministra, ku për herë të parë ndoshta në historinë e pluralizmit shqiptar vetëm Ministria e Kulturës ka tre të tillë. I gjithë kabineti qeveritar kap shifrën e 72 titullarëve, që në muaj kushtojnë rreth 100 milionë lekë, ndërsa në një vit pagat e tyre kapin shifrën e 1.2 miliardë lekëve. Kjo shifër sigurisht që është më e lartë nëse përllogariten dietat, karburanti, shoferët, truprojat dhe biletat e avionëve.
Ministrat që kanë në krah tre zëvendës
Numri i madh i partive aleate me të cilat hyri në zgjedhjet e 28 qershorit, rreth 16 parti aleate i kanë diktuar PD-së një kabinet qeveritar më të gjerë sesa ai me të cilin qeverisi katër vitet e shkuara. Kështu, pavarësisht trumbetimit në media për një qeveri të vogël, kreu i maxhorancës, Sali Berisha, për të kënaqur të gjithë aleatët të vjetër dhe të rinj, ka rritur jo pak numrin e dikastereve që kanë nga tre zëvendësministra. Kështu, gjashtë prej ministrive aktuale kanë nga tre poste zëvendësministrash, ku shumica u është dhënë aleatëve të PD-së. Ndërsa gjatë mandatit të parë kishim vetëm një dikaster me tri poste zëvendësministrash, pra Ministrinë e Brendshme, sot numri i ministrive të tilla ka shkuar në gjashtë. Me tre zëvendësministra është bërë organika e Ministrisë së Mbrojtjes, ku është larguar Petrit Karabina, për t’u zëvendësuar nga Arian Starova, ndërsa është shtuar edhe një karrige zëvendësministri edhe për kreun e PLL-së, Ekrem Spahia, i cili ka lënë postin e zëvendësministrit të Kulturës që mbante më parë. Me tre zëvendësministra funksionon sot edhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, e cila, përveç Eno Bozdos dhe Neritan Alibalit, ka tani si zëvendësministër edhe Leonard Beqirin si përfaqësues i LSI-së. Po ashtu, me tri poste zëvendësministri është bërë edhe Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve, duke emëruar Edmond Haxhinaston si përfaqësues i LSI-së, Adriatik Alimadhin si përfaqësues i Ballit dhe Ernest Nokën. Por, ndërsa për katër ministritë e mësipërme ky shtim mund të justifikohet për shkak të rëndësisë dhe volumit të madh të punëve që mbulojnë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për dy dikasteret me më pak rëndësi në këtë kabinet qeveritar, pra për Ministrinë e Mjedisit dhe atë të Kulturës. Struktura e këtyre dy ministrive është shtuar po ashtu me nga një post zëvendësministri, ku shumica e këtyre posteve u është dhënë aleatëve. Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, përveç ministrit Fatmir Mediu, ka si përfaqësues politik edhe tre zëvendësministrat Arben Demeti, Taulant Bino dhe Auron Meneri, ndërsa në Ministrinë e Kulturës si zëvendësues të ministrit Ferdinand Xhaferri janë emëruar Dashnor Bajaziti, Nikollë Lesi dhe Suzana Turku. Shtimi i numrit të zëvendësministrave ka rritur edhe barrën financiare të kësaj qeverisje, çka e bën një premtim të pambajtur të kësaj maxhorance angazhimin për shkurtim të shpenzimeve të qeverisjes, kjo pasi dihet që një zëvendësministër për nga hierarkia renditet njësoj si dhe një deputet.
Zëvendësministrat
Selim Belortaja - Zëvendësministër i Punëve të Jashtme
Edith Harxhi - Zëvendësministre e Punëve të Jashtme
Iva Zajmi - Zëvendësministre e Brendshme
Ferdinand Pone - Zëvendësministër i Brendshëm
Avenir Peka - Zëvendësministër i Brendshëm
Arian Starova - Zëvendësministër i Mbrojtjes
Ekrem Spahia - Zëvendësministër i Mbrojtjes
Zana Xhuka - Zëvendësministre e Mbrojtjes
Edmond Hoxha - Zëvendësministër i Integrimit
Jorida Tabaku - Zëvendësministre e Integrimit
Nezir Haldeda - Zëvendësministër i Financave
Alfred Rushaj - Zëvendësministër i Financave
Ermal Dobi - Zëvendësministër i Drejtësisë
Brikena Kasmi - Zëvendësministër i Drejtësisë
Leonard Beqiri - Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Neritan Alibali - Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Enno Bozdo - Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Edmond Haxhinasto - Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Adriatik Alimadhi - Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Ernest Noka - Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit
Nora Malaj - Zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës
Halit Shamata - Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës
Filloreta Kodra - Zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Kastriot Sulka-Zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Zamira Sinoimeri - Zëvendësministre e Shëndetësisë
Bardh Spahia - Zëvendësministër i Shëndetësisë
Ndoc Fasllia - Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Tokli K. Thomaj - Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit
Dashnor Bajaziti - Zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Nikollë Lesi - Zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Suzana Turku - Zëvendësministre e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Arben Demeti - Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Taulant Bino - Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Auron Meneri - Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave
Visho Ajazi Lika - Zëvendësministër i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin
8 Shkurt 2010