Pernaska: “Denoncojmë punën e papërgjegjshme të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama”
Deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Pernaska, e ka cilësuar të papërgjegjshme punën e kryetarit të Bashkisë, Edi Rama. “Edhe pse i zgjedhur me votën e qytetarëve, zoti Rama prej kohësh e ka nëpërkëmbur besimin e tyre, ka braktisur interesat e tyre dhe ka zgjedhur të jetë një kryetar bashkie i munguar apo ambulant, madje së fundi, po me vullnetin e tij, ka fituar një status të ri: atë të kryetarit me kohë të plotë të kutisë dhe herë pas here ose aspak kryetar i Bashkisë”, - u shpreh Pernaska. Sipas saj, me qeverisjen e tij vendore Rama ka prodhuar tashmë një nga modelet më të deformuara të kësaj qeverisjeje, si modelin e rrugëve të paasfaltuara ose të lëna në mes; modelin e lënies së sheshit qendror të kryeqytetit me gropa si mos më keq; modelin e mbytjes nga pluhuri në periudhë të nxehtë dhe e vërshimit të ujërave në periudhë me reshje, ashtu siç ndodhi edhe gjatë paradites së sotme në disa nga lagjet e Tiranës, në veçanti në lagjen “Don Bosko”; modelin e mungesës së një plani të domosdoshëm dhe themelor të mirëzhvillimit dhe urbanizimit të kryeqytetit. “Ky kapitull keqqeverisjeje mund të mbyllet dhe të përfundojë njëherë e përgjithmonë me largimin e zotit Edi Rama nga detyra shumë e rëndësishme e kryetarit të Bashkisë dhe me rikthimin e vlerave, traditave më të mira drejtuese, ashtu siç e meriton Tirana, ashtu siç e meriton çdo banor i saj”, - tha Pernaska.
Doda: “Maxhoranca, e vendosur për të ndarë historinë kriminale të Shqipërisë”
Pas akuzave të kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, se sistemi i Drejtësisë është i korruptuar, reagoi deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, duke deklaruar se maxhoranca do të vazhdojë përpjekjet për të ndarë historinë kriminale të Shqipërisë. Ajo theksoi se PD-ja do të vazhdojë të drejtojë e të punojë, duke respektuar vendimet e gjykatave shqiptare dhe punën e pushtetit të tretë, duke qenë e vetëdijshme se respekton njëherazi një prej shtyllave të shtetit demokratik. “Theksoj se referendumi popullor për këtë çështje madhore është hapi i sigurt dhe demokratik që do realizojmë dhe që do të ndajë njëherë e përgjithmonë krimin nga gjykimi, nga akuza, nga politika e nga drejtimi. Askush nga ekzekutorët apo dënuesit e dikurshëm nuk do të mund të shpëtojë nga verdikti popullor, i cili do të japë përfundimisht pozicionin e merituar për këta punistë që ende sot këmbëngulin të mbeten në pozita drejtimi në majat e pushtetit gjyqësor”, - deklaroi Doda. “Rama rikonfirmoi dhe njëherë bashkëpunimin e hershëm të tij dhe të familjes së tij me shumë prej eksponentëve të kësaj trupe gjykuese. Duhet t’ju rikujtojmë se dënimi me varje i Havzi Nelës bart mbi vete firmën e eksponentëve të Gjykatës Kushtetuese, por edhe firmën e Kristaq Ramës, babait të kryetarit të opozitës, Edi Rama. Ky bashkëpunim kriminal i gjeneratave të dikurshme në dënimin e dhjetëra intelektualëve shqiptarë, sot është rikthyer para syve të të gjithë shqiptarëve”, - tha Doda.
8 Shkurt 2010