E Diel, 1 Nëntor 2026

Saberi kishte zbuluar raportin sekret të presidencës

Teheran - Avokati mbrojtës i gazetares Roksana Saberi deklaron se akuzat për spiunazh ndaj klientes së tij u ngritën për shkak se ajo kishte zbuluar një raport sekret të presidencës iraniane lidhur me luftën në Irak. Gazetarja iraniano-amerikane u lirua nga burgu para dy ditësh, pasi më parë gjykata e pati dënuar me tetë vite burg, vendim që u anulua.

"Ajo arriti të zbulonte një dokument ku raportohej mbi ndërhyrjen e trupave amerikane në Irak, dokument i përgatitur nga qendra e kërkimeve strategjike në presidencën iraniane. Qendra e kërkimeve besonte se bëhej fjalë për një raport sekret. Por klientja ime nuk e ka përdorur këtë dokument dhe informacionin e tij", deklaroi Saleh Nikhbakht, avokati i Saberit.

Ndërkohë, avokati tjetër i saj, Abdolsamad Khoramshahi, deklaron se Saberi është dënuar dy vjet lirimi me kusht. Ai nuk bëri të ditur vendndodhjen aktuale të gazetares.

"Ajo u akuzua se kishte arritur të kishte akses në disa dokumente sekrete. Nëse këto dokumente dhe informacioni që përmbanin do të ishin përdorur, dënimi do të ishte me 10 vjet burgim, nëse jo, dy vjet lirim me kusht", theksoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›