Tirana, autokritikë me 6 gola
Tirana, tenis me Bylisin. Pikërisht në sytë e Ari Hanit. Një hakmarrje direkt për atë barazim pa gola në fazën e parë në Ballsh, por dhe për të shfryrë dufin e mbledhur në Vlorë, në atë humbje 2-0 me Flamurtarin. 23-herë kampionët e Shqipërisë fituan me rezultat tenistik 6-2 kundër Bylisit, ku “Rafael Nadali” i bardhebluve nuk mund të ishte askush tjetër përveç Migen Memellit, që me tre golat në minutat 5, 35 e 58 kundër formacionit të Hysen Dedjes u ngjit në kuotën e 10 golave.
Ndeshja filloi me autogolin e minutës së 2-të nga ana e mbrojtësit portugez të Bylisit, Pedro Pablo Nevez, i cili devijoi në portën e mbrojtur nga Mircelovski, një goditje të Ansi Agollit. Pas tre minutash Migen Memelli (në superformë) realizoi golin e dytë. Talenti 21-vjeçar i Bylisit, Taulant Bakiu, në minutën e 11-të realizoi një eurogol nga 16 metra, që bëri të pavlefshëm akrobacinë e portierit veteran 37-vjeçarit Blendi Nallbani, duke çuar rezultatin në 2-1. Vetëm katër minuta iu deshën Tiranës të çonte rezultatin në 3-1, kur mesfushori sulmues, Gjergj Muzaka, realizoi në minutën e 15-të një gol të kontestuar jo pak nga stafi teknik i ballshiotëve të kryesuar nga Hysen Dedja. Uragani bardheblu vazhdoi me golin e Daniel Xhafës (32’) dhe pas dy minutash me atë të Migen Memellit (54’), duke çuar shifrat brenda 45 minutave të para në 5-1. Fraksioni i dytë i ndeshjes u hap me penalltinë e realizuar nga Bakiu (49’), pas ndërhyrjes së parregullt të mbrojtësit të Tiranës, Tefik Osmani. Në minutë e 58-të Migen Memelli vulosi shifrat në 6-1, duke shënuar tripletën e tij të dytë në këtë kampionat pas asaj kundër Flamurtarit (3-1). Për Tiranën kjo ishte fitorja e 8-të në 15 ndeshje historike me Bylisin (2 fitore).
Partizani, “1”-shi i parë në shtëpi
Partizani arriti fitoren e parë shtëpiake ndaj një Flamurtari që nën drejtimin e Edmond Licajt pësoi humbjen e parë. Babamusta dhe Hallaçi ishin dhe autorët e golave të “Demave të kuq”, që tashmë nuk janë më në vendin e fundit, edhe pse kanë pikë të barabarta me Lushnjën, të dyja nga 13 pikë. Apolonia e trajnerit serb Esad Karishik regjistroi fitoren e dytë radhazi falë një penalltie të shndërruar në gol nga Arbër Dhrami në minutën e 62-të. Të premten, Lushnja barazoi 1-1 me Shkumbinin.
28 Dhjetor 2008