E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi i plotë për strategjinë e dhurimit të gjakut



Emanuela Sako

Dështon strategjia e Ministrisë së Shëndetësisë për grumbullimin e rezervave të gjakut. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Gjakut, Irena Çombo, pohoi se spitalet tona nuk arrijnë të mbulojnë nevojat për gjak. Ligji për marrjen e gjakut parashikon se gjaku mund të sigurohet nëpërmjet importit apo në mënyrë vullnetare, por asnjë nga këto procedura nuk i plotëson nevojat e spitaleve për gjak. Për më tepër që importimi i gjakut, i cili parashikohet në ligj, është një procedurë që nuk është kryer deri tani. Çombo sqaroi se importi i gjakut vazhdon të përjashtohet si mundësi për të zgjidhur krizën për gjak. Ndërkohë që numri i dhuruesve të gjakut vullnetar apo me pagesë ka rënë së tepërmi. Ministria e Shëndetësisë deklaroi dy muaj më parë deklaroi se në rast krize do te bënte gati dokumentacionin e duhur për sigurimin e flakoneve nga vendet e certifikuara të Bashkimit Evropian, por deri tani nuk është bërë asnjë blerje. Kështu, pacientët do të vuajnë nga sëmundjet për mosfurnizimin e trupit me gjak edhe për shumë dhe pa një afat të pacaktuar. Përveç mungesave të medikamenteve apo pajisjeve spitalore, spitalet nuk do t’iu ofrojnë të sëmurëve rëndë edhe kurimin dhe plotësimin e nevojave të pacientëve me gjak.
Ligji
Ligji për importin e gjakut prej një viti ka hyrë në fuqi. Nismëtarët e tij në Kuvendin e Shqipërisë e cilësuan atëherë mjaft të vlefshëm sidomos për pacientët që vuajnë nga sëmundja e rendë e gjakut, Talasemia. Sipas këtij ligji, importimi i gjakut do të bëhej në mënyrë të vazhdueshme në bazë të nevojave dhe do t’iu zgjaste jetët e të sëmurëve. Por, realisht nuk ka ndodhur kështu, pasi importimi i gjakut është përjashtuar nga axhenda e procedurave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ato pak furnizime me gjak kanë ardhur nga familjarët e pacientëve apo nga dhurimi vullnetar i gjakut. i vetmi rast kur është bërë importimi i gjakut nga vendet e huaja ka qen tragjedia e shpërthimeve të Gërdecit, ku pati me dhjetëra të plagosur.
Situata
Situata në spitale është tepër e vështirë dhe emergjente, përsa i përket furnizimit me gjak për pacientët që kanë sëmundje të cilat kërkojnë furnizimin e vazhdueshëm të trupit me gjak. Talasemikët janë një nga kategoritë e pacientëve që e kanë të domosdoshme marrjen e gjakut. Aktualisht, mjekët thonë se ata po kurohen me doza tepër të ulta, por e kanë të nevojshme furnizimin e herëpashershëm me gjak. Rezervat e spitaleve kanë shkuar në fund dhe nuk ka asnjë mundësi furnizimi për plotësimin e nevojave. Ndërkohë që autoritet shëndetsore theksojnë se numri i dhuruesve është tepër i ulët dhe i pamundur për të plotësuar të gjitha nevojat. Askush nuk di të japë një përgjigje për zgjidhjen e kësaj situate që duket se do të vazhdojë për shumë kohë, ndërkohë që autoritetet shëndetësore po japin alarmin për plotësimin ebankinave me gjak dhe importimin e menjëhershëm të dozave të nevojshme.
Rreziku
Humbja me shpejtësi e një sasie të konsiderushme gjaku afërsisht 1.5 litra rrezikon jetën, ndërsa dhënia e një sasie gjaku për shembull 300-350 ml nuk i kushton asgjë një organizmi të shëndoshë, i cili e zëvendëson shpejt atë. Asnjë medikament apo produkt artificial nuk mund ta zëvendësojë atë. Gjaku për transfuzion merret vetëm nga njerëzit. Një individ në nevojë duhet të marrë gjak sa më të sigurt që të jetë e mundur.
Gjak i sigurt është gjaku që nuk përmban viruse, parazitë, medikamente, alkool, substanca kimike ose faktorë të tjerë që mund të dëmtojnë, rrezikojnë ose sëmurin marrësin e tij. Për marrjen e gjakut duhet që dhuruesi t’i nënshtrohet disa procedurave. Kështu para se mjekut të marrë gjakun e një dhuruesi bën regjistrimin e dhuruesit, njihet me historinë mjekësore,
kryen ekzaminimin fizik, nëpërmjet të cilave të mund të dallojë nëse gjaku është i pastër dhe të jepet për kurim tek pacientët.
Njerëzit që dhurojnë gjak duhet të jenë me shëndet të mirë dhe nuk duhet të vuajnë nga ndonjë sëmundje serioze. Marrësi nuk duhet të dëmtohet nga marrja e gjakut, ndërsa dhuruesi nuk duhet të rrezikohet nga dhënia e gjakut. Gjithkush që gëzon shëndet të mirë mund të dhuroj gjak. Mosha më e përshtatshme për të dhuruar gjak është 18-60 vjeç, ndërsa pesha mbi 50 Kg. Shpeshtësia dhe intervali midis dy dhurimeve të gjakut është 3-4 herë në vit për femrat dhe 4-5 herë për meshkujt, ndërsa intervali i kohës midis dhurimeve duhet të jetë të paktën 8 javë. Në vendin tonë nevojat për gjak janë 10 herë më të mëdha se sa gjaku që mblidhet për njerëzit që kanë nevojë për të mbijetuar. Shpeshherë ka ndodhur që marrësit e gjakut të jenë infektuar nga sëmundje të ndryshme, për shkak të së cilës rrezikojnë jetën e tyre. Problemet të mëdha janë hasur dhe me analizimin e gjakut, çka shkakton edhe mungesën e sigurisë më marrjen e gjakut të sigurt.

Strategjitë e dështuara
Strategjia për plotësimin e nevoja me gjak
Strategjia për parandalimin e pirjes së duhanit në ambiente publike

Importimi i gjakut bëhet me urdhër të Ministrit të Shëndetësisë në këto raste:

Në katastrofa ose aksidente të rënda, në pamundësi për t’u mbuluar nga burimet e brendshme

Për trajtimin e individëve të veçantë ose të pacientëve me probleme specifike, për të cilët është e pamundur të sigurohet gjak ose përbërës të tij në vend.

Importimi i derivateve të gjakut për përdorim klinik lejohet kur zbatohen kërkesat e legjislacionit në fuqi për barnat dhe kur dokumentohet negativiteti i kontrollit për agjentë dëmtues të shëndetit.
Importimi dhe eksportimi i qelizave burimore hemopoetike për qëllime transplantimi rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për transplantet.

Urdhri i Ministrit të Shëndetësisë rregullon:
Mënyrën dhe përmbajtjen e informimit të dhuruesve të gjakut dhe të përbërësve të tij
Mënyrën dhe përmbajtjen e informacionit të marrë nga dhuruesit e gjakut dhe të përbërësve të tij
Procedurat që përcaktojnë përshtatshmërinë e dhuruesve të gjakut dhe të përbërësve të tij
Mënyrat e mbledhjes e të përpunimit të gjakut dhe të përbërësve të tij
Kontrollet laboratorike dhe mënyrën e kryerjes së tyre në dhurimet e gjakut dhe të përbërësve të tij
Kërkesat e cilësisë për gjakun dhe përbërësit e tij
Kërkesat e detyrueshme për etiketimin
Mënyrat e ruajtjes e të shpërndarjes së gjakut dhe të përbërësve të tij
Procedurat dhe testimet laboratorike për shpërndarjen e gjakut dhe të përbërësve të tij.

Dhurimi i gjakut
Procesi i seleksionimit të dhuruesve
Procesi i kontrollit të dhuruesve përfshin komponentët e mëposhtëm:
Regjistrimi i dhuruesit
Historia mjekësore
Ekzaminimi fizik

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›