E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstradohet shqiptari që përdhunoi dy vite më parë turisten çeke



Laureta Rryçi
Ekstradohet nga Athina shqiptari që përdhunoi dy vite më parë turisten çeke. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pohuan dhe se nga Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës u krye ekstradimi nga Athina - Greqi drejt Shqipërisë i shtetasit Redion Shkëlqim Terolli, i vitlindjes 1987, nga Korça. Të njëjtat burime shpjeguan se Redion Terolli, në bashkëpunim me shtetasin Maljan Mecolli, dy vite më parë, në afërsi të fshatit Zvezdë, rrugës për në Prespë, pasi kanë takuar rastësisht shtetasit çekë Robert T. dhe Alena K., me anë të kërcënimit kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen Alena K. dhe i kanë grabitur shumën e të hollave, si dhe sendet që ata kishin me vete.
Dënimi
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e saj më 6 prill 2007, ka vendosur deklarimin fajtor të shtetasit Redion Terolli për veprat penale të “marrëdhënieve seksuale me dhunë” dhe “vjedhjes me dhunë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 102/2, 139 e 25 të Kodit Penal dhe ka vendosur dënimin e tij me 8 vjet burg. Ngjarja për të cilën u dënuan dy shqiptarët ndodhi më 30 korrik të vitit 2006. Pas ngjarjes dy shtetasit çekë iu drejtuan policisë së zonës për të kryer denoncimin.
Ekstradimi
Pas denoncimit policia arriti të arrestonte fillimisht vetëm Maljan Mecollin. Ndërkohë për Redion Terolli u shpall person në kërkim si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Terolli kishte arritur të kalonte kufirin duke iu shpëtuar vetëm përkohësisht prangave. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tiranës me Interpol-Athinën, më datën 21.01.2008 u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë të shtetasit Redion Terolli. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas Redion Terolli i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›