Desh humbëm një talent
DURRËS - Këto ditë, në qytetin e Durrësit ka ardhur për pushime Eranda Çela, e panjohur për shumë kënd në vendin e saj, por docente me titull në Universitetin e Gracit, një ndër qendrat universitare më të njohura në Austri. Ajo ka ardhur në atdheun e vet, për të cilin ka mall të përhershëm, pasi siç shprehet ajo, “Shqipëria është vendi që i ka shërbyer si një start për të arritur më pas në nivele të larta në studimin e shkencës ekzakte të matematikës. Por, Durrësi është nostalgjia e saj e veçantë pasi me të e lidhen kujtimet e shumta dhe të ëmbla të fëmijërisë, apo të rinisë, por edhe të dhimbjet që ka kaluar ajo dhe familja e saj.
Do të humbasë, apo do të fitojë?
Eranda ka lindur në këtë qytet më 8 nëntor 1969, por megjithëse erdhi në jetë në ditën e një feste zyrtare nga më të vlerësuarat në historiografinë komuniste, shënjimi i kësaj date nuk i shërbeu si ogur i mirë, pasi fati e deshi që të lindej në gjirin e një familjeje me të kaluar politike jo të mirë. Kjo lidhje me faktin se gjyshi i saj, Beqir Çela, ishte eksponent i grupit të deputetëve të pushkatuar në vitin 1946 nga qeveria komuniste. Prindërit i kishte me shkollë të lartë, por të atin nuk e pranuan as në fshatrat e Pukës për të ushtruar mësimdhënien në disiplinën e matematikës. Kështu që ishte i detyruar për të punuar si xhenerik ekskavatorësh në ndërmarrjen e ORMN-së në Shkozet.
Eranda kishte rezultate të shkëlqyera në mësime, duke marrë vetëm nota maksimale në të gjitha lëndët, por që nuk i premtonin ndonjë garanci për të ardhmen. Damka e zezë e pushkatimit të gjyshit të saj në një kohë kur të atin e kishte vetëm 11 muajsh, e ndiqte nga pas si hije e keqe. Pas mbarimit të gjimnazit në shkollën e Mesme të Përgjithshme “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, biografia se lejonte që të vazhdonte më tej. Por, një nga familjarët e saj në atë kohë i drejtohet Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë, Ramiz Alisë, i cili e kthen letrën në Komitetin e Partisë së rrethit Durrës me një mbishkrim fatsjellës për Renin. Alia jepte porosi, duke shkruar një mesazh në formën e një pyetje: “A do ta humbim këtë talent, apo do ta fitojmë”. Kjo i hapi rrugën e Universitetit të Tiranës si dhe shtegun e sukseseve më pas në botën akademike jashtë vendit. Falë një rastësie, sot ajo është me gradën shkencore të Docentes në Universitetin e Gracit Austri.
Përtej së kaluarës
Kur hedh vështrimin në vitet e kaluara të saja, Eranda ose Reni, siç e thërrisni të gjithë në atë moshë, nuk mund të mos e kujtojë me dhimbje periudhën kur megjithëse ishte më e mira e klasës, madje me vijueshmëri absolute në mësime, nuk u vlerësuar asnjëherë me stimujt e kohës. Krejt pa faj, Renit të vogël i rrinte si çekani mbi kokë, biografia e keqe e familjes. “Unë ndjehesha realisht e përbuzur”, - thotë ajo, - “por se kuptoja inatin e mësueseve me një nxënëse të mirë. Ishte tepër absurde”. Ajo kujton me mirënjohje vetëm drejtorin e “Gjergj Kastriotit”, Petro Luarasin, i cili e kishte spikatur mes qindra nxënësve, dhe la mënjanë mentalitetin e kohës. Ai u bë një nxitur dhe promovues i Renit të vogël, të cilën docentja e sotme e Universitetit të Gracit, e ruan si një relikte të çmuar.
“Gjatë viteve të shkollës 8-vjeçare ajo merrte pjesë në të gjitha olimpiadat e matematikës dhe ishte absolutisht më e mira”, - thotë ish-drejtoresha e shkollës ”Nako Spiru”, Shyrete Maliqati. Ajo kujton me keqardhje se Renit nuk iu dha asnjëherë e drejta për të marrë pjesë në konkurset apo olimpiadat në nivel kombëtar. Me Shyreten edhe tani i lidh një miqësi e vjetër, sepse siç dhe shprehet babai i Erandës, “nuk mund ti harroj kurrë ata që më qëndruan pranë në ato ditë të vështira”. Novruz Çela, i cili në atë kohë, megjithëse ishte mësues matematike, punonte si xhenerik ekskavatorësh, mban ende në kujtesë momentet më të vështira të ndëshkimit që sistemi i asaj kohe i bënte vajzës së vogël, për një gabim që se kishte bërë as ajo dhe as ai vetë. Me gjithë peshën e rëndë të persekutimit dhe konsiderimit ndryshe nga të tjerët, Reni përfundoi shkollën e mesme me rezultate absolute, me të gjitha notat 10-ta. E ëma thotë se e “kam qarë me lot gjimnazin e vajzës, pasi kisha frikë se me të gjitha arritjet si nxënëse e talentuar, ajo përsëri do të më përfundonte punëtore në ndonjë ndërmarrje të rëndomtë. Po mësuesi i matematikës, Vasil Tati, thoshte: “Floriri nuk humb!”
Nga Tirana në Grac
Letër-përgjigjja e Ramiz Alisë e përmbysi “embargon politike” ndaj mbesës së deputetit të pushkatuar. Ajo tregon se si filloi studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për degën e Matematikës. Në vitin e dytë, duke qenë me rezultate maksimale, ajo kalon në ciklin 5-vjeçar, duke u specializuar për matematikë të aplikuar. Këtu mbron diplomën e titulluar: “Probleme të organizimit të rrjedhave në rrjeta”. Sërish edhe këtu del më e mira. Mesatarja e notës së 5 viteve ishte 10. Më pas Eranda emërohet si pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore në Tiranë. Jeta e saj merr tjetër ndryshim kur i ofrohet një bursë nga Shoqëria e Shkëmbimeve Austriake. Pas një periudhe kohe, falë vlerave që tregoi dhe aftësive të saja, Eranda thotë se iu ofrua mundësia për të mbrojtur doktoraturën, të cilën e financoi projekti “FWF”. Ajo u laureua si doktor në vitin 1995, nën drejtimin e profesorit të shquar të këtij universiteti, Bukkard. Tema e doktoraturës “Optimizmi kombinator i problemeve të caktimeve kuadratike” është vlerësuar në qarqet shkencore të studimeve në fushën e matematikës. Pas tre vitesh punë shqiptares së vullnetshme në Universitetin e Gracit i afrohet një vend si asistente. Këtë gradë e arrin në vitin 1999 dhe në verën e vitit 2001, pikërisht atëherë kur Eranda e madhe po bëhej edhe nënë, përfitoi denjësisht edhe titullin shkencor të Docentes. Eranda Çela sot është ashtu si edhe qindra të rinj shqiptarë, imazhi ndryshe i Shqipërisë reale në botën e zhvilluar të perëndimit. Pas shumë vitesh, Eranda sërish ka nevojë për vendlindjen e saj, por ky vend, tani ka më shumë nevojë për të.
15 Gusht 2008