E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i vdekur në ujërat e liqenit adoleshenti Balliu



Një djalë 17-vjeçar është gjetur i vdekur në ujërat e liqenit të Pogradecit dhe rezultoi se ai ishte banor i Tiranës. Burime zyrtare policore bënë të ditur se viktima është Valmir Balliu, lindur në Sllatinë të Pogradecit dhe banues prej disa vitesh në Babrru të Tiranës. “Valmiri u gjet në orën 19:30 të ditës së djeshme në afërsi të lokalit ‘Konti’, në Lagjen Nr. 1 të qytetit, në largësinë 100 metra nga bregu i liqenit”, - sqaroi Policia e Pogradecit. Adoleshenti është zbuluar nga qytetari Servet Çollaku, banues në Pogradec, i cili po kalonte rastësisht me varkë dhe gjeti trupin, të cilin e mori në mjetin lundrues dhe më pas lajmëroi policinë. Ekspertë hetimorë mblodhën prova dhe dëshmi. Atyre u rezultoi se dy ditë më parë, Valmir Balliu, sipas deklarimeve të dëshmitarëve, ishte futur në liqen për t’u larë, por nuk ishte parë më të dilte që andej. Pak minuta më vonë, trupi i tij u gjet nga personi me varkë 100 metra larg bregut. Policia tha se dyshon që vdekja e të miturit të ketë ardhur për shkak të mbytjes në ujë, nga bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes ndaj e klasifikoi ngjarjen si vdekje aksidentale.
Aksidentohet familja Sako nga Maqedonia
Një familje nga Maqedonia është bërë objekt aksidenti dhe çifti me fëmijën e tyre pësoi plagë serioze, duke përfunduar për mjekim në spitalin vendor. Ngjarja ka ndodhur dy net më parë, në orën 23:00, në qendër të Vlorës, pranë teatrit “Petro Marko”. Burime zyrtare policore bënë të ditur se Tahir Sako, 42 vjeç, bashkëshortja e tij Brunilda Sako, 32 vjeçe dhe djali i tyre, Myslimi, 12 vjeç, janë plagosur teksa po ecnin në këmbë në rrugë. Një motor me targa të huaja i tipit “Honda” ka kaluar me shpejtësi duke i përfshirë të tre personat dhe duke i përplasur ata, me pasojë shkaktimin e plagëve. Policia tha se motorin e drejtonte 30-vjeçari Avram Xamaza, nga Narta e Vlorës, i cili gjithashtu u dërgua në spitalin rajonal. Mësohet se gjendja e motoçiklistit është e rëndë, kurse jashtë rrezikut për jetën janë tre të aksidentuarit e tjerë që ndodheshin me pushime në bregdetin e Vlorës.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›